Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm, ka reaguar në lidhje me raportin e Komisionit Evropian mbi strategjinë e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Bushati shkruan në rrjetet sociale se e mirëpret vlerësimin e Komisionit Evropian dhe gatishmërinë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë,
“Strategjia e Zgjerimit e Komisionit Evropian dëshmon vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor, sikundër ofron një listë masash për integrimin dhe transformimin e të gjitha vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Reforma në drejtësi, zë një vend qendror, ku sipas modelit të reformës së thellë e transformuese të Shqipërisë, vendeve të rajonit u rekomandohet një plan konkret hapash dhe masash për përgatitjen e tyre për zbatimin e detyrimeve që burojnë prej anëtarësimit në BE.
Mirëpresim vlerësimin e Komisionit Europian dhe gatishmërinë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Ne besojmë që ky vlerësim i Komisionit do të mbështetet njëzëri nga vendet anëtarë të Bashkimit Evropian, si një investim i qëndrueshëm për procesin e pakthyeshëm të reformave në Shqipëri dhe stabilitetin demokratik të rajonit.
Duke pasur parasysh hendekun zhvillimor mes vendeve të rajonit dhe BE-së, mirëpresim që angazhimet e kësaj Strategjie të specifikohen më tej me programe e instrumente financiare në mbështetje të infrastrukturës, ndërlidhjes, arsimit e sigurisë energjitike të rajonit tonë.
Shpresojmë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin në rajon e të demonstrojë qartësi strategjike për të transformuar thellësisht dhe këtë pjesë të Evropës”, shkruan Bushati..