Pas Italisë Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon ndihmën edhe të një fqinji tjetër për dosjen Habilaj-Tahiri.
Burime të sigurta pohuan se prokuroria i ka përcjellë një letërporosi autoriteteve greke për çështjen më të bujshme që pas tetorit 2017. Por ndërkohë burime të Top Channel pohojnë se edhe ndaj tre ish-zyrtarëve të policisë të shpallur në kërkim, ish-drejtori i policisë Vlorë Jaeld Cela, ish-shefi kundër krimit të organizuar Gjergj Kohila dhe ish-shefit të kufirit Sokrat Bode ka nisur edhe hetimi pasuror sipas ligjit anti-mafia.
Këto veprime vijnë atëherë kur për secilin prej të dyshuarve përfshi edhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri është zgjatur afati hetimor edhe për tre muaj të tjerë deri sa dy shtete, Italia dhe Greqia, të kthejnë përgjigje.
Burimet tregojnë për Top channel se tre ish-zyrtarët e Policisë së Shtetit janë pjese e të njëjtës dosje të trafikut të drogës se bashku me Habilajt.
Rezulton thotë prokuroria se ish-drejtori i policisë Vlorë Jaeld Çela në bashkëpunim me punonjës të policisë Gjergj Kohila dhe efektive të tjerë që janë nën hetim kanë mbështetur dhe garantuar e bashkëpunuar me anëtarë të grupeve kriminale për kultivim droge dhe më pas trafikun e saj jashtë Shqipërisë.
Rezulton thuhet me tej se Gjergj Kolhia ish-shefi kundër krimit të organizuar ka ndihmuar për kultivimin e drogës në fshatrat e Vlorës, ndërsa Sokol Bode ka bashkëpunuar per trafikun e drogës jashtë kufirit shqiptar.
Nga hetimet shtetasi Moisi Habilaj sipas Prokurorisë në bashkëpunim me punonjës të shtetit ia ka dalë mbanë të trafikojë drogë thonë burimet.