Edhe pse tregu i objekteve për banim ka hyrë në një fazë të vrullshme prej rritjes së investimeve, sidomos dy vitet e fundit, kërkesa për qira nuk është zbehur. Rritja e kërkesës dhe reflektimi i kostos së taksës së re të pronave ka sjellë një rritje të lehtë të çmimeve të qirave në muajin dhjetor 2017.
Sipas të dhënave të INSTAT, që kur çmimet e qiradhënies nisën rritjen në muajin mars të vitit 2017, tendenca ka rritëse ka vijuar duke kulmuar në muajin dhjetor ku çmimet e qirave ishte 3.6 për qind më të larta se ne muajin dhjetor të vitit 2016. Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm rritja ka qenë më e fortë gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.
Zakonisht në muajin dhjetor dhe në janar ndryshojnë kontratat e qirasë për biznesin. Këto lloj kontratash rishikohen zakonisht njëherë në vit dhe shumica e tyre janë të noterizuara. Rishikimi gjatë muajit dhjetor ka sjellë një rritje të lehtë të tyre për shkak se pronarët e vërtete i kanë revizionuar me kostot që krijon përllogaritja e taksës së banesës.
Në prill të këtij viti hyn ne fuqi tatimi i ri për ndërtesat, i cili do të jetë 0.05% e vlerës zyrtare te banesës për qytetarët dhe 0.2% për bizneset.
Siç ishte lajmëruar edhe më herët baza e taksës nuk do të jetë më sipas modelit të vjetër, por në përqindje bazë të vlerës së ndërtesës. Ky ndryshim ka sjellë rritjen e vlerës së qirasë për bizneset, teksa qiradhënësi e transferon rritjen e kësaj takse te qiramarrësi, ndërsa për qytetarët nuk sjell ndryshime me tendencë rritëse. Mirëpo duke qene se kontratat e bizneseve rishikohen me se shumti ne dhjetor, pronaret e objekteve kanë rritur qiratë ndaj tyre duke reflektuar barrën fiskale katër muaj me herët.
Nga ana tjetër fluksi i ndërtimeve të reja që nisi vitin e kaluar ende nuk është bërë i banueshëm teksa kërkesa sidomos në Tiranë vijon të rritet.
Teksa fuqia e blerëse e apartamenteve është e përqendruar tek një shtresë e popullsisë që i investon likuiditetet në blerje banesa, pjesa tjetër që kanë nevoja për strehim vijojnë të përdorin qiranë.
Gjithashtu një pjesë e kontratave të qirave janë rinovuar gjatë muajit dhjetor dhe të rejat janë lidhur me çmime më të larta se vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga statistikat e popullsisë Tiranë shtohet me rreth 20 mijë banorë të rinj vit. Banorët e rinj vijnë kryesisht nga qytetet e tjera, të tillë si familjet që zhvendosen për një jetë më të mira në kryeqytet. Gjithashtu një pjesë e studentëve nga rrethet që kryejnë studimet e larta në Tiranë preferojnë të vijojnë jetën në Tiranë.