Katër shtetas të Kosovës janë të përfshirë në një rast për hetimin e së cilit përveç institucioneve të sigurisë në Kosovë u përfshinë edhe autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
15 armë, prej tyre 14 AK 47 dhe një antitank, që përshkruhen në aktakuzën prej 13 faqeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë arsyeja e një hetimi që vazhdoi me zbatimin e masave të fshehta për simulimin e blerjes e ku u përfshinë Policia e Kosovës, DEA në SHBA dhe në fund rezultoi me ngritjen e aktakuzës ndaj 3 personave në Kosovë ndërsa procedura po vazhdon ndaj njërit në SHBA.
KALLXO.com, sjell kronologjinë e gjithë ngjarjes të përshkruar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale.
Duke përdorur arsyetimin se armët ishin të destinuara për luftërat e përgjakshme të narko-karteleve meksikane, hetuesit i ranë në gjurmë një grupi për të cilin tani me aktakuzë po pretendohet se ka kryer krim të organizuar lidhur me veprën e trafikimit me armë.
Miftar Dobraj, Artan Kelmendi dhe Daniell Prendrecaj po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se duke vepruar si një grup i organizuar kriminal në krye me ish vozitësin e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, Albert Veliu, ndaj të cilit është duke u zhvilluar procedura në SHBA, kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë.
Ky i fundit përpos që po përmendet në aktakuzë si kreu i grupit, ishte shofer në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork.
Sipas aktakuzës, gjatë muajit prill/maj 2017 në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një agjent i DEA-as në zbatimin e masave të fshehta ka lidhur marrëveshjen me Albert Veliun për blerjen e 15 armëve automatike, gjoja se për narko kartelet në Meksikë me çmim prej 900 dollarë për copë dhe për këtë i ka paguar gjithsej 13,500 dollarë.
Nga kjo shumë e parave, sipas aktakuzës, Veliu më 23 maj 2017 i ka dërguar 2 mijë dollarë të akuzuarit Miftar Dobraj si parapagesë ndërsa më 4 qershor ka ardhur edhe vetë në Kosovë.
Duke ndjekur kronologjinë e ngjarjes aktakuza përshkruan se më 28 qershor pas marrëveshjes paraprake me oficerin e Policisë së Kosovës që ishte duke zbatuar masën e fshehtë të blerjes së simuluar në koordinim me policinë amerikane, i pandehuri Artan Kelmendi së bashku më Albert Veliun kishin arritur në parkingun e një restoranti në Klinë me një veturë të marrë më qira dhe nga bagazhi i saj kanë nxjerrë 6 armë të gjata AK 47 dhe një karikator të zbrazët për armë të gjata.
Të gjitha këto armë të vendosura në një çantë të plastikës, sipas aktakuzës, iu dorëzuan oficerit që ishte duke i zbatuar masat e fshehta dhe pastaj që të gjithë u larguan nga vendi.
Po në muajin qershor të vitit të kaluar, sipas aktakuzës, pasi që i pandehuri Miftar Dobraj e ka siguruar pjesën tjetër të armëve, saktësisht më 27 qershor rreth orës 19:00, po në vendin e njëjtë, të pandehurit, Artan Kelmendi dhe Daniell Prendrecaj kanë ardhur me veturën e këtij të fundit por që ishte duke u vozitur nga i pandehuri Artan Kelmendi.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi që janë ndalur, Artan Kelmendi ka nxjerrë nga bagazhi veturës 8 pushkë automatike AK 47 me nga një karikator, një antitank, (zollë) dhe një projektil 64 mm në të si dhe 3 karikatorë të zbrazët, të gjitha këto të vendosura në një qese të zezë dhe pastaj të gjitha këto i ka futur në bagazhin e oficerit të policisë që ishte duke zbatuar blerjen e simuluar.
Të gjithë këtë ngjarje, sipas aktakuzës, nga pak metra më larg e kishte përcjellë i akuzuarit Miftar Dobraj ashtu që pasi që kjo pjesë e procesit kishte mbaruar, i akuzuari Artan ka hyrë përsëri në veturë dhe është nisur ndërsa i pandehurit Daniell ka hyrë në restorant për t’iu bashkangjitur të pandehurit Miftar, ku pak çaste më vonë janë arrestuar që të gjithë.
Që nga ajo ditë të tre të akuzuarve u është caktuar masa e paraburgimit ku edhe ndodhen aktualisht ndërsa afër 6 muaj më pas Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë.
Provat që i ngarkojnë
Prokuroria në aktakuzë pretendon se hetimin e filluar lidhur me këtë rast e ka kurorëzuar me aktakuzë që bazohet në prova konkrete dhe bindëse.
Lidhur me këtë rast, në aktakuzë përshkruhet se një kohë të konsiderueshme janë zbatuar masa të fshehta, blerja e simuluar, përgjimi i telekomunikimeve si dhe vëzhgimi si në Kosovë por edhe në SHBA nga autoritetet amerikane.
Prokuroria në aktakuzë përmend edhe transkriptuat e bisedave telefonike në mes të akuzuarit dhe agjentit policor në zbatim të masave të fshehta.
Gjithashtu, në aktakuzë përmendet një bisedë e Albert Veliut me agjentin policor që ishte në zbatim të masave të fshehta ndërsa përshkruhet se pikërisht Veliu kishte caktuar vendin e dorëzimit të armëve në regjionin e Pejës për arsye se siç thuhet në aktakuzë ‘nuk ka frik dhe ka shumë policë të njohshëm”.
Duke u thirrur në aprovimin e Konventës të Kombeve të Bashkuara kundër organizimit të kriminalitetit trans-nacional, nga Republika e Kosovës, Prokuroria pretendon se veprimet e të pandehurve janë përmbushur të gjitha tiparet e veprës penale të krimit të organizuar.
Versioni i të akuzuarve
Të tre të akuzuarit e këtij rasti që ndodhen në Kosovë kanë zgjedhur që të mos deklarohen dhe të zgjedhin heshtjen.
Kështu, i akuzuarit Miftar Dobraj në polici më datë 28 qershor 2017 në prani të avokatit të tij, përshrkuhet se ka vendosur ta shfrytëzojë të drejtën e tij ligjore dhe të mbrohet në heshtje.
Sikur Dobraj, ka vendosur edhe i pandehuri Artan Kelmendi i cili po ashtu sipas aktakuzës më datë 28 qershor ka vendosur të mbrohet në heshtje.
Për dallim nga dy të parët, sipas aktakuzës, ndryshe ka vepruar i akuzuar Daniel Prendrecaj i cili më 28 qershor 2017 ka deklaruar se dëshiron të mbrohet në heshtje mirëpo më 27 shtator në prezencë të një avokati tjetër mbrojtës ka deklaruar se edhe pse ka qenë prezent në rastin kur janë dorëzuar armët, ai vetëm rrugës në Klinë e ka mësuar qëllimin dhe planin e shitjes së armëve