Bien depozitat, 2 mld euro jashtë bankave

0
174

Normat e ulëta të interesave janë duke nxitur daljen e parasë jashtë bankave dhe rritjen e parasë kesh që qarkullon në ekonomi. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit të kaluar paraja jashtë bankave shënoi rekord historik duke arritur 265 miliardë lekë ose 2 miliardë euro.

Të dhënat tregojnë se vetëm në muajin dhjetor dolën 75 milionë euro jashtë sistemit bankar, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, paraja Cash në ekonomi është rritur me 120 milionë euro.

Qarkullimi i parave jashtë bankave është nxitur vitet e fundit edhe nga politika lehtësuese që ka ndjekur Banka e Shqipërisë. Ulja e normës bazë të interesit në 1.25% është reflektuar në uljen e interesave të depozitave në lekë.

Aktualisht interesat reale të depozitave kanë zbritur në nivele negative duke qenë më të ulëta se sa inflacioni. Kjo do të thotë se nga mbajtja e parave në bankë një qytetar jo vetëm që nuk fiton, pasi interesi është më i ulët se sa rënia e vlerës së lekut për shkak të inflacionit.

Ndërsa vendet e zhvilluara po shkojnë drejt “zhdukjes” së parasë cash nga qarkullimi, në Shqipëri po ndodh krejt e kundërta.

Sipas ekspertëve rritja e parave jashtë bankave tregon nivelin e ulët të zhvillmit të tregjeve financiare, normave të pafavorshme të interesave të depozitave në banka, informaliteti, por edhe i ekonomisë kriminale, që duket se po vjen në rritje.

Bien depozitat

Të dhënat tregojnë se rritja e parasë cash dhe rënia e depozitave në banka janë gati identike, që do të thotë se ato para kanë dalë nga bankat.

Sipas statistikave të fundit të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit dhjetor ishte 7.5 miliardë euro ose 100 mln euro më pak krahasuar me dhjetorin e 2016-s.

Rënia e depozitave gjatë vitit të kaluar ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e uljes së kursimeve në lekë, të cilat u reduktuan me 105 milionë euro, ose gati 3%. Kategoria e prekur më shumë nga ulja është ajo e depozitave me afat në monedhën kombëtare, e cila ra me 10%.

Ky është viti i dytë që shqiptarët nxjerrin paratë nga bankat. Hera e parë u shënua në vitin 2009, kur kriza shkaktoi panik tek qytetarët. Por këtë herë paratë nga bankat nuk po dalin nga frika, por për një arsye tjetër; sepse të mbash para në bankë nuk fiton, por humbet për shkak të rënies së interesave. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here