Kompani fantazmë po marrin lejet e ndërtimit nga Erjon Veliaj

0
304

Në Tiranë ka filluar një valë e re ndërtimesh, ku krahas firmave të mëdha, kanë dalë në skenë dhe kompani të vogla, të panjohura, të cilat sipas bilanceve zyrtare së paku tre vitet e fundit kanë deklaruar të ardhura minimale ose zero. Monitor ka identifikuar disa prej tyre, nga një vëzhgim që ka bërë në terren, po për arsye etike nuk e publikon emrat e plotë të firmave. Në rrugën e Kosovarëve, firma D… sapo ka nisur punimet për ndërtimin e një pallati 12 katësh dhe dy kate nëntokë. Firma në fjalë është investitor dhe ndërtues njëkohësisht, sipas tabelës së vendosur në rrethimin e ndërtimit. Sipas ekstraktit në QKB ajo është krijuar në vitin 2009. Të ardhurat e deklaruara të firmës gjatë 2016-s janë vetëm 28 mijë euro. Të kontaktuar si të interesuar për të blerë një apartament, çmimi që jepnin ndërtuesit ishte 1800 euro për metër katror (në gropë), duke e justifikuar atë me cilësinë e lartë të punimeve. Disa muaj më parë, në të njëjtën zonë, apartamentet shiteshin me 1700 euro/m2.

Pranë stadiumit Dinamo, në një tjetër kantier ndërtimi punimet kanë arritur në katin e tretë. Çmimi për metër katror ishte 1800 euro/m2. Një vit më parë çmimet në të njëjtën zonë ishin 1700 euro për metër katror. Sipas ekstraktit të publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, firma e ndërtimit (G..I..) ka deklaruar të ardhura zero prej tre vitesh, deri në 2016-n. Shpesh në projekte të ndërtimit, investitori dhe firma zbatuese e projektit janë të ndryshme. Sipas zotit Hajredin Fratari është e vështirë që të identifikosh se kush është investitori në një projekt ndërtimi.

Një tjetër ndërtues që operon që prej vitit 1992 në Tiranë, Sokol Kika, i Kika Construction tha për “Monitor” që ndër rreziqet që po përballet sektori i ndërtimit  është  hyrja në treg e kompanive që nuk kanë ekspertizë në fushën e ndërtimit dhe atyre që kanë ndërtuar dikur po nuk kanë likuiditete aktualisht, ndonëse kanë marrë leje ndërtimi. Vala e re e ndërtimeve, pas çlirimit të lejeve, po risjell fenomenin e kleringut, teksa shumë firma, që kishin kohë pa aktivitet, nuk kanë likuiditetin e nevojshëm për të ndërtuar. Nga ana tjetër, ka firma pa përvojë në ndërtim, por që kanë likuiditete dhe po hynë në këtë sektor, duke përbërë sërish një rrezik.

“Ajo që unë kam më tepër shqetësim janë aktorët e mundshëm në treg që mund të jenë duke kërkuar leje për momentin. Frika ime është për ndërtuesit që kanë shumë kohë pa ndërtuar, p.sh., kanë ndërtuar para dhjetë vjetësh. Rifutja e tyre me mentalitetin e vjetër, do të sjellë vështirësi në treg. Nuk punohet më me klering apo mënyra të tjera. Duhet të ketë likuiditete shtesë. Ndërkohë, ka edhe kompani që kanë likuiditete, por nuk kanë përvojë në ndërtim. Të dyja i shikoj si rreziqe pasi industria e ndërtimit ka një veçanti. Është një ndërmarrje që duhet të funksionojë me një plan të paktën 3-vjeçar. Pasi një projekt që nga projektimi deri tek regjistrimi zgjat 3 vjet. Duhet të ketë likuiditete të mjaftueshme që t’i përgjigjet kohës”, ka pohuar ndërtuesi Kika në një intervistë të mëparshme për Monitor.

Rikthimi i fenomenit të ndërtimit është shqetësues edhe për zotin Hajredin Fratari. Kompani të vjetra, me liberalizimin e lejeve të ndërtimit, po kërkojnë të hyjnë përsëri në treg edhe pse nuk kanë likuiditete. Një pjesë e kompanive po paguajnë paraprakisht taksën e infrastrukturës me anë të kredive bankare, ndërsa punimet po i bëjnë me klering, nga materialet e lëndëve të para, deri tek punëtoria.

Frikë tjetër, që shprehin ndërtuesit është dhe ajo e pastrimit të parave në këtë sektor, që mund të çojë në një rritje artificiale të çmimeve. Në janar, në disa zona të Tiranës u konstatuan shtrenjtim të apartamenteve me 100-250 euro më shumë për metër katror. Nga ana tjetër kredia për sektorin e ndërtimit u tkurr në vitin që lamë pas, në një tregues që vrulli i ri i ndërtimeve nuk po financohet me kredi bankare. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për sektorin e ndërtimit në fund të dhjetorit 2017 arriti në 46.4 miliardë lekë, me një rënie prej 1.3% me bazë vjetore.

Vetëm në kryeqytet, për gjithë 9 mujorin 2017 janë dhënë 167 leje ndërtimi, me një rritje prej 157% në krahasim me 9 muajt e parë të 2016-s, pra pothuajse me një trefishim, (102 leje më shumë).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here