OSHEE, nën hetim nga prokuroria, mbifaturon klientët e saj

0
203

Kompania publike e shpërndarjes së energjisë elektrike OSHEE, është nën hetim nga prokuroria për akuzat se mbifaturon një pjesë të klientëve të saj, duke i krijuar mundësi vetes të ulë artificialisht nivelin e humbjeve në rrjet.

Fatos Krasniqi është 53 vjeç, kryefamiljar dhe i papunë prej disa vitesh. Ai thotë se situata e familjes së tij është shumë e vështirë dhe prej 1 muaji kanë mbetur edhe pa energji elektrike.

“Ne jemi fukarenj, nuk kemi drita. Mendojmë se kemi mbifaturim, në muajin mars 2017 na ka ardhur një faturë ku tregon se jemi debitorë për shumën 1.5 milion lekë [të vjetra],” tha Krasniqi gjatë një interviste për BIRN në muajin dhjetor.

Krasniqi shprehet se ka shkuar në shumë zyra të kompanisë dhe të institucioneve të tjera, edhe në atë të Entit Rregullator të Energjisë, por kudo ku ka shkuar e kanë kthyer mbrapa dhe i kanë thënë që të paguajë shumën.

“Kemi një muaj pa drita, i lutemi të na japin zgjidhje sepse kam vajzën shtatzënë, tani është dimër,” shtoi ai, i cili më pas tregon se dhe vetë ka një gjendje shëndetësore të rënduar.

Rasti i Krasniqit nuk është i izoluar. Në zyrat e Kujdesit të Klientëve pranë njësisë qendrore të OSHEE radha e ankesave është e gjatë. Vetëm gjatë vitit që shkoi kompania mori 62 mijë ankesa me pretendime për keqfaturim.

Sipas OSHEE-së keqfaturimi ndodh në raste “sporadike, kryesisht si gabim teknik i lexuesve ose papërgjegjshmëri e tyre, ose ne rastet kur nuk kanë shkuar rregullisht sipas grafikut të përcaktuar për leximin e abonenteve.”

Por ndryshe nga çfarë pretendon kompania, dokumente dhe dëshmi nga zyrtarë, ish zyrtarë dhe faturistë të OSHEE-së të siguruara nga BIRN, ngrenë dyshime se disa drejtori rajonale të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike i mbifaturojnë qytetarët në bazë të një plani mujor që shpërndahet nga zyrat qendrore dhe ka për qëllim të fshehë humbjet në rrjet dhe të përmirësojë treguesit e kompanisë.

Të dhënat e siguruara nga BIRN, tregojnë se kompania është nën hetim nga Prokuroria, pasi dyshohet se zyra qendrore e saj qëndron pas mbifaturimit të një numër qytetarësh në Shkodër.

E pyetur nga BIRN për akuzat se mbifaturon në mënyrë masive abonentët, OSHEE i hodhi poshtë si të pavërteta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here