Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, kërkoi nga SHBA që çështja e Adriatik Llallës të zbardhet sa më shpejt për të mësuar se cila ka qenë arsyeja konkrete që i është ndaluar hyrja. Vasili theksoi se nëse ka një akuzë për korrupsion ndaj Llallës, të zbardhet se cilin ka mbrojtur ish-kryeprokurori.
“Zbardhja e çështjes është me rëndësi dhe jo hyn apo nuk hyn Llalla në SHBA. Presim me padurim se cili ka qenë argumenti. Nëse ka qenë akuzë për korrupsion, për ccfarë është korruptuar dhe cilin ka mbrojtur?
Ndonjë trafikant, njeri politik apo çfarë? Është hedhur një hap me rëndësi, por do të marrë formë kur të bëhen publike. Shpresoj që do të jenë publike”, tha Vasili në studion e Report TV.
Në vijim, kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së theksoi se Ambasada duhet të japë shpjegim, pasi të gjithë jemi të interesuar.
“Sot dimë që i është refuzuar viza nga ambasada këtu, por në rast se bëhet fjalë për korrupsion, ka interes më të madh se ccfarë ka qenë shkak i korrupsionit dhe cilin ka mbrojtur?, deklaroi ai.
Vasili shpreh se tërheqja e Llallës nga sistemi i drejtësisë nuk është diçka e re, pasi nuk është hera e parë që ndodh.
“Nuk është rasti i vetëm ai i Llallës, ka shumë raste të tjera, edhe përpara tij ka pasur raste”, tha Vasili.