Nuk ishte performancë, as një koncert i zakonshëm ai i Rita Orës në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, të shtunën mbrëma. Fjala që ka qarkulluar më shumë në rrjet është “tërbimi” i Rita Orës dhe është mëse e merituar. Energjia e jashtëzakonshme e artistes shqiptare, vëmendja që mori ky 10-vjetor për Kosovën, por edhe zbarkimi i të gjithë shqiptarëve në shesh mjaftuan që festa të ishte e para e të gjitha eventeve të fundjavës.
Veshja kuq e zi e Rita Orës, gjithashtu u komentua gjithandej në rrjet. Kostumi i zgjedhur enkas për të bërë krenarë shqiptarët anekënd globit ishte dizenjuar nga miku i këngëtares, Kyle De’Volle. Postimet dhe ripostimet nga performanca e artistes kanë qenë të panumërta, aq sa duket se Rita ia ka dalë t’i bëjë të gjithë xhelozë.
Në njërën prej fotove të Ritës në Instagram, që zbulon më shumë detaje të kostumit, ka komentuar edhe DJ me famë botërore, Diplo. Pasi ka shprehur pëlqimin, ai i ka shkruar Ritës se do edhe ai një kostum të tillë.
“Mund të bësh edhe një për mua?” shkruan Diplo pas fotos dhe kaq ka mjaftuar që miqtë e Ritës të vihen në lëvizje për kostumin.
Ndërsa grimieri i famshëm shqiptar, Mario Dedivanovic, “flakën” e Ritës e ka postuar edhe në Instagramin e tij, pasi ka parë performancën në sheshin kryesor të Prishtinës. Pasi publikoi videon ku Rita kërcen me balerinët vallet shqiptare, Mario Dedivanovic shkruan “Kjo është”, duke e shoqëruar postimin edhe me zemra të kuqe dhe të zeza.
Postime nga perfomanca e Rita Orës në Prishtinë ka bërë edhe personazhet e njohur shqiptarë.