Petrit Vasili, Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, tha në studion e Syri.net se nuk ka qenë i lumtur me qeverisjen e Edi Ramës edhe gjatë kohës kur kjo forcë politike ka qenë në aleancë me Partinë Socialiste. Vasili ka se ka artikuluar kritika dhe akuza në drejtim të qeverisë, veçanërisht përsa i takon shëndetësisë.
Lidhur me deklarimet e Edi Ramës për një President të Unitetit kombëtar, Vasili theksoi se misioni i Kryeministrit është të prishë festën.
“Edi Rama kishte si mision të prishte festën, duke përdorur një idiotësi. Në momentin që Kosova hodhi hapin e madh duke miratuar Demarkacionin, Edi Rama hodhi një gurë në lumë me idenë e tij, e cila nga ndërkombëtarët mund të përkthehet si ajo e Shqipërisë së Madhe.
Shtetet që deri më sot nuk e kanë njohur Kosovën, mund të përdorin këtë deklaratë për të vijuar me qëndrimin e tyre. Kjo deklaratë çoi ujë në shumë mullinj, por jo në atë të çështjes shqiptare. Thelbi i deklaratës ishte defaktorizimi i Kosovës, që po jepte shembullin e qartë, dhe është në funksion të idesë se dialogu Kosovë-Serbi, duhej të kalojë përmes Tiranës, që përjashton Kosovën dhe çon ujë në mullinjtë që nuk i shërbejnë aspak shqiptarëve. Rama shkoi si mik me thikën e fshehur”, tha Vasili.
Për kreun e grupit parlamentar të LSI-së, konsolidimi i çështjeve të mëdha dhe rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit euro-atlantik, kanë qenë prova të plota se Kosova ka bërë përpjekje madhore shtetformuese.
“Kosova merr nota shumë të larta në këtë 10 vjetor të Pavarësisë. Kanë treguar pjekuri më të mëdha politike se Shqipëria. Organizon zgjedhje të lira dhe të pakontestuara, të pamanipuluara”, tha Vasili.