Vasili: Rama merret me rrjetet sociale, strukturat shëndetësore janë inekzistente

0
179

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ka komentuar epideminë e fruthit, duke vënë theksin  njëkohësisht në zbatimin e ligjit për raste të tilla.

Vasili tha se shpërndarja e sëmundjes së fruthit është në të gjithë vendin dhe ka marrë trajtën e një epidemie të mirëfilltë dhe se ligji që është në fuqi, që është miratuar në 2016, ka një seri hallkash ku duhet marrë ky vendim, në mënyrë që të jenë të sakta. Vendimet janë të planifikuara që të mos humbet kohë, në rast të kundërt u shpreh ai, epidemia merr rrugën e saj të pakontrolluar.

“Qoftë nga komuniteti bazë i ekspertëve të imunizimit, qoftë nga komiteti i sanitarëve ndërkombëtarë pasi kemi epidemi në Shqipëri të shoqëruar nga një epidemi në të gjithë vendet kufitare, si dhe instituti i shëndetit publik – të gjitha këto institucione nuk janë ngritur.

Ka një veprim plotësisht të ç’kordinuar dhe e gjitha ajo që quhet zinxhiri i komandimit të veprimit në situatë epidemike, që përbën kyçin e suksesit për përballimin e situatave të mëdha, praktikisht është inekzistent.

Ky problem nuk është në vëmendje të qeverisë fare. Ministrja e Shëndetësisë nuk komunikon fare me publikun që në rast epidemie, është personi i parë që mban përgjegjësi politike. Është gjetur zgjidhja që e delegojmë përgjegjësinë tek zv/ministrja”, tha Vasili në studion e Faxneës.

Sipas Vasilit, Kryeministri nxjerr foto të ndonjë lumi e ure në mëngjes, ndërkohë që vendi është në epidemi.

“Mjekët dhe infermierët në terren që po bëjnë një punë kolosale duhen lavdëruar. Por po bëjnë punë të ç’kordinuar.

Insitituti i shëndetit publik që duhet të ishte në ballë, të kësaj pune sepse ia kërkon ligji, nuk ia kërkon opozita, sepse është ai që merr situatën në dorë duke organizuar dhe monitoruar aksionin.

Dje kërkoja drejtorin e institutit të shëndetit publik dhe më thonin që ja se janë nja dy specialistë këtu. Kur drejtuesi i institucionit të shëndetit publik nuk është në komunikim me parlamentin dhe me publikun në një rast të tillë epidemi, për çfarë duhet?

Janë prova që së bashku me përfaqësuesen e komitetit të ç’rrënjosjes së fruthit në Shqipëri, tërë këto instrumenta nuk janë aktivizuar dhe ka një pasivitet të plotë.

Nuk është më shëndetësia një prioritet. Kur nuk shqetëson epidemia, mendoni më të tjerat. Një rast në urgjencën e një spitali nuk mund të jetë kurrë më shqetësim. Epidemitë janë evenimente madhore, ka pasur epidemi të mëdha të sëmundjeve ngjitëse që kanë shënjuar historinë e njerëzimit.

Në Kosovë dhe Maqedoni, ministrat e shëndetësisë kanë shpallur gjendje emergjence dhe po marrin masat përkatëse në konsultim”, tha Vasili.

Intervista

Intervista e kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili për Fax News

Z. Vasili, vendi është prekur nga epidemia e fruthit, ku vetëm ditët e fundit ka pasur një shtim të frikshëm të numrit të të prekurve në rang vendi, ku aktualisht raportohet për 132 raste. Si ju duken masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me këtë çështje?

Së pari, ju keni të drejtë kur thoni që kemi 132 raste me fruth, të cilat vazhdojnë dhe shtohen. Së dyti, duhet pohuar se, që nga janari i këtij viti e deri më sot, shtimi i rasteve është konstant dhe në mënyrë të vazhdueshme. Kemi një shpërndarje proporcionale thuajse në të gjithë territorin. Ky shpërthim epidemik ka marrë tashmë trajtën e një epidemie të mirëfilltë dhe duke qenë se bëhet fjalë për një sëmundje, e cila mbrohet me vaksina, problemi është vërtet serioz dhe një problem i tillë serioz dhe i komplikuar, kyçin e suksesit të tij ka mënyrën e funksionimit shumë profesional, shumë sistematik dhe vendimmarrjet që lidhen me të. Ka një seri çështjesh ku duhen vendimmarrje, ashtu siç doja t’ia konkretizoja edhe zonjës ministre, e cila erdhi të shpjegohej në Komision, sikurse në një klinikë ku duhen disa ekzaminime, skaneri, gjaku dhe analiza të tjera për të dhënë një diagnozë dhe për të trajtuar një sëmundje, një epidemiologji pa bërë një hetim shumë të fortë të secilit rast, masat duhet të merren në vatër dhe të tëra elementet e tjera për studimin e tipologjisë së rasteve, vendimmarrjet përkatëse, shumë të shpejta, konkrete dhe të forta për kufizimin, rregullat e forta për izolimin atje ku zbulohen apo në vende të tjera të rrezikuara, raporti i personave të prekur në popullatë. Pra, ka një seri çështjesh ku duhet vendimmarrja. Jo rastësisht ligji i cili është në fuqi, i cili është miratuar së fundmi në 2016-n, ka një seri hallkash ku duhen marrë këto vendime. Në mënyrë që të jenë të sakta, vendimet janë të planifikuara që të mos humbet kohë, në mënyrë që epidemia të ndalet apo të kufizohet, në të kundërt ajo merr rrugën e saj dhe merr dimensione të pakontrolluara. Praktikisht, qoftë nga Komiteti Bazë i Imunizimit, Komiteti i Ekspertëve të Imunizimit, qoftë Komiteti përkatës që lidhet me zbatimin e rregullores së anëtares ndërkombëtare, pasi kemi një epidemi brenda Shqipërisë, por të shoqëruar me një epidemi në rajon dhe në të gjitha vendet kufitare, të cilat kanë rastet e tyre. Në radhë të parë Shërbimi i Inteligjencës së Epidemiologjisë në të gjithë territorin, i cili është instrumenti i aksionit në të gjithë rrethet, këto institucione jo vetëm janë ngritur, ka qenë detyrim i ligjit, por janë vënë në lëvizje edhe ato që kanë qenë në legjislacionin e parë. Pra, me fjalë të thjeshta ka një veprim të ç‘koordinuar. I gjithë ai që quhet zinxhir i komandimit të veprimit në një situatë epidemike, e cila përbën edhe kyçin e suksesit për përballimin e situatave të mëdha, faktikisht është inekzistent. Ju e keni parë që ky është një problem që nuk është në vëmendje të qeverisë fare. Ministrja e Shëndetësisë nuk komunikon fare me publikun, sepse në një situatë të tillë epidemike, personi i parë për marrjen e përgjegjësisë është vetë ministrja. Kryeministri nuk flet ndërkohë që vendi është në epidemi. Ky kryeministër që nuk rri pa folur edhe për gjërat me pa kuptim të botës. Kur ka qenë në opozitë zakonisht fliste edhe për punët e shëndetësisë, sepse kishte hallin e pushtetit. Pra, ka krejtësisht një përbuzje të vëmendjes shtetërore. Njerëzit që po e përballojnë aksionin cilët janë? Janë ata në terren, të cilët po kryejnë një punë vërtet të jashtëzakonshme. Dhe duhen falënderuar për këtë që po bëjnë. Edhe shumë infermierë që janë atje në vijë të parë meritojnë lavdërime pa fund. Por, po bëjnë një punë ashtu siç e mendojnë ata, të ç’koordinuar. Ju e shikoni që Instituti i Shëndetit Publik, i cili duhet të ishte në ballë të kësaj pune, sepse ligji ia kërkon dhe jo opozita, është ai që udhëheq, drejton, është ai që merr situatën në dorë, nuk ekziston. Unë po kërkoja se ku është drejtori i Institutit të Shëndetit Publik dhe më thoshin që janë nja dy specialistë atje. Kur drejtuesi i ISHP-së nuk është sot në komunikim publik, por edhe me Kuvendin, institucionin më të lartë për një situatë të tillë epidemike, atëherë për çfarë duhet? Kur duhet më Instituti i Shëndetit Publik? Pra këto janë prova, së bashku simbolikisht edhe përfaqësuesja e çrrënjosjes së fruthit në Shqipëri, sepse ka një tjetër grup pune më teknik, nuk ishte as ajo, ju e kuptoni mjaft mirë që tërë këto instrumente, këto resurse njerëzore nuk janë aktivizuar dhe ka një ç’organizim të plotë, pasi nuk është më shëndetësia prioritet. Kur nuk i shqetëson epidemia, mendoni më të tjerat. Një rast i një qytetari në një qendër shëndetësore në një ditë të zakonshme sigurisht nuk mund të jetë kurrë në vëmendje të kësaj qeverie. Epidemitë janë evenimente madhore. E kam thënë dhe e them prapë këtu, ka pasur epidemi madhore të sëmundjeve ngjitëse, të cilat kanë shënuar historinë e njerëzimit, kujtoni këtu gripin spanjoll, epideminë e murtajës. Janë momente ku shëndetësia përballet me një situatë që nuk i takon më një individi, por një populli të tërë. Prandaj edhe e ka emrin epidemi dhe në raport me këtë, kur nuk është në vëmendje as të ministres, as të kryeministrit, kur mungon interesi i Institutit të Shëndetit Publik dhe i tërë atyre institucioneve që kanë detyrë të aktivizohen, ato nuk ekzistojnë. Nuk munden dot gazetarët tuaj t’i intervistojnë sepse nuk janë. Dhe këtë alarm madhor unë e ngrita nëpërmjet Komisionit Parlamentar sepse pashë një neglizhencë të pafalshme. Gjithçka kam thënë atje dhe kjo që po them sot, nuk ka dhe nuk ka pasur asnjë lloj ngarkese politike. Kam vetëm e vetëm zbatimin me korrektësi të një ligji i cili na mbron nga katastrofa. Për këtë çështje unë nuk jam këtu në këtë studio si kryetar i Grupit Parlamentar të LSI-së, as si deputet, por jam si një njeri, një punonjës specialist i shëndetit publik, me një karrierë mbi 35 vjet në këtë fushë. Personalisht nuk vij këtu të flas si një njeri që nuk i njeh gjërat. Janë përballuar me epideminë e gripit të shpendit, me epideminë e gripit të derrit, me epideminë e lopës së çmendur nëse ju kujtohet. Nuk po flasim për plot e plot ngjarje të tjera, të cilat kanë pasur të bëjnë me çështje që nuk mbroheshin me vaksina. Pra, kanë qenë epidemi shumë herë më të vështira, të cilat falë një organizimi, punës së madhe të mijëra njerëzve por të organizuar drejt dhe në raport me kritere të forta profesionale dhe bashkëpunim, sigurisht kanë qenë sukses i madh. Sot ju nuk keni asnjë provë, shkohet në të gjitha takimet e botës, janë organizuar work-shope nga më të paparat, keni parë konferencierë të qeverisë pa fund, nuk keni një takim urgjent të Ministres së Shëndetësisë me Ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, se si qëndron problemi. Ka problematik në Kosovë. Takim urgjent me Ministrin e Shëndetësisë së Maqedonisë, për çështjet që variojmë, ku jemi si do t’i kombinojmë. I pari rast që denoncohet ka qenë një person nga Kosova. Hetimi do të ishte shumë më i plotë po të ishin këto institucione, do kishin nisur një hetim më të plotë. Një tjetër vjen nga Greqia, pra vijnë nga vendet fqinjë dhe nuk ka asnjë komunikim.

Do doja të ndalesha pak te ata që u përballën me këtë epidemi, flas për mjekët infeksionistë. A mendoni se ka mungesa të mjekëve infeksionistë?

Në këtë situata, mjekët infeksionistë janë të çmuar, por më të çmuar janë mjekët epidemiologë, ata që dallojnë, që dedektojnë, që marrin masa në tërësi në territor. Mjekët infeksionistë janë pjesë e paçmuar e sistemit, por janë për të gjitha rastet tashmë të zbuluara të cilët do trajtohen në mënyrë spitalore. Epidemia kërkon trajtimin, parandalimin dhe marrjen e masave në të gjithë territorin. Kjo është punë e mjekëve epidemiologë, të cilët sigurisht mungojnë. Mungojnë në disa qarqe të mëdha të vendit dhe në disa rrethe. Shëndeti publik, për këtë qeverisje mendje mbyllur, nuk ekziston. Janë kaq të marrosur nga pushteti saqë nuk kuptojnë një shëndetësi e cila përballet me probleme financiare të mëdha. Është një shëndetësi e varfër. Cili është kyçi që mban në këmbë? Është forcimi në mënyrë të jashtëzakonshme dhe funksionimi brilant i shëndetit publik. Shëndeti publik e hedh në tok gjithë mjekësinë. Nuk mbahet mjekësia me koncesionet e check up. Shqipëria ka qenë lider, orientonte politikat për çështjet e vaksinimit. Kishim mbulesën më të lartë të vaksinave në të gjithë Evropën lindore falë një pune të jashtëzakonshme të njerëzve por të organizuar më së miri. Nuk fiton dot betejën nëse nuk ka një organizim kapilar, që nga kreu deri në fund, të llogaritura mirë, të monitoruara në mënyrë të përditshme, në një sistem alert që është ngritur që në vitin ’99. Unë e kujtoj një nga momentet më të lumtura të jetës profesionale, kam qenë Drejtor i Shëndetit parësor në atë kohë dhe dukej një sfidë e pamundur. Ishte një sistem që rron dhe sot e kësaj dite, dhe është një instrument i fuqishëm por jashtë organizmit. Shëndeti publik dhe shëndeti parësor janë në një qorrsokak. Por nuk rrezikohen ato, rrezikohen ekuilibrat e shëndetësisë.

Z. Vasili doja që të komentonim pak hemorragjinë e bluzave të bardha…

Ka një çështje madhore. Kur shëndetësisë nuk i jepen stimuj pozitivë, kur shëndetësia rritet nën trysni dhe presion, kur politika e këtyre viteve të fundit, kur të gjithë paaftësinë profesionale, politike, mungesën e vizionit, të gjithë këtë ua hedh mjekëve dhe infermierëve dhe i përplas ata me opinionin publik, çfarë ndodh? I demotivon. I vë të vetëm përballë publikut, nuk i mbron për punën e vyer, shumë të madhe që bëjnë shpeshherë. Stimujt për të përballuar një diskriminim të tillë të përditshëm, janë kaq negativ dhe të fortë, sa i detyrojnë njerëzit të largohen. Ne kemi parë diktaturë para viteve `90 dhe nuk kemi parë që ajo të godiste mjekët dhe infermierët. Ka qenë i ashpër në shumë drejtime të tjera, por u ka dhënë një vend dinjitoz në atë kohë. Kjo është një e vërtetë e madhe, ku shumë mjekë para viteve 190 përmbanin një ngarkesë të madhe shkencore, por dhe shoqërore. Ata kanë sjellë një ndryshim shumë të madh gjatë viteve `90. Ky diskriminim e ky poshtërim që i është bërë sot, i ka bërë mjekët që të demotivohen e të largohen. Kjo është arsyeja e thjeshtë.

A shihni si zgjidhje të problemit sistemin e patronazhimit që është propozuar?

Sistemi i patronazhimit quhet ndryshe sistemi i mballomave. Për fat të keq janë arnat që demagogjinë e kanë kthyer në sistem. Shëndetësia nuk zgjidhet me arna, por me ndërhyrje sistemike. Pra, ndërhyrje që janë sipas rregullave, parimeve dhe që janë motivuese. Nëse i poshtërojnë, i lënë pa para , ku këto të fundit i çojnë neper koncesione, kjo është e pafalshme. Në vend që t`i japin instrumentet e ditës dhe të gjitha gjërat që i duhen e barnat pafund, kryeministri nga ana tjetër bën shou të madh me një zonjë që vuan nga një problem, ndërkohë që unë e denoncova. Kryeministri s`ka gojë sigurisht, pavarësisht se ky është llafazan gjithmonë por flet aty ku nuk është halli, ku ish ministrja e shëndetësisë Anila Godo , një nga specialistet më të mira të fushës së onkologjisë pediatrike për fëmijët thotë që barnat dhe instrumentet mungojnë për ta. Nuk funksionon asgjë, as spitali e nuk shkon askush në atë pavijon. Ç‘është kjo mungesë e madhe? Ndërkohë, kryeministri përdori problemin shëndetësor që kishte një zonjë në mënyrë çnjerëzore. Ja ku është pediatria. Kemi një kryeministër që nuk do t`ia dijë, ku në media doli duke qëndruar buzë lumit. Tragjikja që ekziston në pediatri kjo është.

Kalojmë tek marrëveshja për paktin detar. Ndërsa Greqia dhe Shqipëria po përgatiten për të arritur këtë marrëveshje, ka një mosmarrëveshje institucionale, pra mes presidentit dhe qeverisë. A ndodh kjo për shkak të vakumit të Kushtetutës, por edhe nga ana ligjore?

Nuk mendoj që ka asnjë lloj mosmarrëveshje dhe nuk ka vakum institucional, madje as kushtetues. Kushtetuta është shumë e qartë në kompetencat që i atribuon Presidentit në procesin e marrëveshjeve në mënyrë ndërkombëtare, sidomos në këtë rast pasi çështja e kufirit është një çështje e madhe me karakter politik. Vendimi përkatës për këtë çështje ka shteruar si asnjë rast tjetër gjerë e gjatë se si do ushtrohet ky funksion i Presidentit të vendit. Ju e dini që ky rol kushtetues është vendosur në atë kohë, në lëvizje dhe kërkesë të rilindjes, ku sot drejton qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme. Çfarë bën presidenti? Presidenti ka arsyetuar pikë për pikë në raport me çfarë përcakton Kushtetuta dhe vendimi i shkallës kushtetuese dhe ka kërkuar nga Ministria e Jashtme thjesht dhe vetëm që këto kërkesa të përputhen me ligjin dhe ajo të paraqesë se për çfarë i duhet për këtë informacion, grupi negociator, objekti i negocimit, kufiri, metodat që duhet të përdoren dhe ku duhen përdorur. Nga kjo, kërkohet parimi i baraslargësisë, i përdorur strikt në marrëveshjen e vitit 2009. Presidenti ka kërkuar qartë të gjitha këto gjëra, të cilat janë të domosdoshme për ta bindur atë e për të deleguar plotfuqinë, të cilën e ushtron vetë ashtu sikurse kushtetuta e njeh këtë të drejtë të tij.

Është miratuar dhe një tjetër ligj në vitin 2016 që zvogëlon rolin e presidentit sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare. Çdo gjë i është kaluar ministrit të jashtëm ndërsa presidenti ka vetëm autorizimin e marrëveshjes.

Kemi përcaktime kushtetuese tepër të qarta, të cilat nuk i kapërcen dot asnjë ligj. Kushtetuta është e pandryshuar sot e kësaj dite dhe ligjet sa vijnë dhe përmirësohen. Pra, nuk ka ndryshuar as dispozita kushtetuese dhe as interpretimi kushtetues. Vendimet e kushtetutës janë detyrime për zbatim dhe prevalojnë mbi çdo lloj ligji. Presidenti çfarë ka bërë? Ka zbatuar as më shumë e as më pak, madje ka qenë shumë i përmbajtur në kufijtë e tij duke mos kërkuar asgjë më shumë, ku mund të kërkonte dhe ndonjë sqarim më tepër, i ka qëndruar strikt kushtetutës. Një nga objektet që prodhoi rrëzimin e marrëveshjes së parë, ishte pikërisht mosrespektimi i kushtetutës siç u abuzua në atë kohë, nga qeveria që ishte. Çfarë mund të bëjë presidenti? Ai është treguar shumë korrekt dhe ka thënë ta respektojmë kushtetutën me qëllim që të evitojmë atakimet kushtetuese për këtë proces negocimi, për të cilën ai nuk ka asnjë paragjykim me çfarë kam lexuar, ku madje është krejtësisht mbështetës që të kryhet një negociatë e tillë, por ajo duhet të jetë e qartë dhe transparente. Në këtë pikëpamje, presidenti do përshëndetur për integritetin që i ka dhënë procesit së kufirit.

Nga ana e qeverisë ka një pretendim se kryetari i shtetit nuk e ka vullnetin për të ndërhyrë në këtë proces…

Nuk ka asnjë qëndrim të jashtëm. Presidenti është korrekt me çdo vendim të tij, nuk ka ndonjë qëllim alternativ të Ministrisë së Jashtme. Tani këto janë muhabete portalesh dhe shteti nuk funksionin kështu. Shteti dhe rendi kushtetues funksionojnë mbi komunikimin zyrtar. Me Presidentin jam plotësisht për këtë gjë, që komunikimin për çdo gjë duhet të jetë zyrtar dhe me shkrim, pra e zeza mbi të bardhë. Zakoni i kësaj qeverisje, është zakoni i qeverisjes me deklarata mediatike, me një dëmi në Facebook, siç ndodhi në Kosovë, më iku fantazia nga kontrolli tha atje. Mund t’i ketë ikur fantazia nga kontrolli me këto që thotë. Ndërkohë do shohim çdo shkruajnë dhe të kemi mundësi ta arsyetojmë.

Ndërkohë që pala shqiptare është duke diskutuar nga shteti helen flitet se kjo marrëveshje është e mbyllur. A ka shanse që të jetë e vërtetë që palët të jenë dakordësuar?

Në gjithë ato që Presidenti ka shkruar në letrën që u bë publike ka një ndryshim të mirë. të gjitha këto hamendje llogariten, do i paraqiten presidentit deri ku ka ardhur procesi, çfarë kanë negociuar, deri ku ka shkuar negocimi, kush ka pasur atributin të negociojë. Pa marrë plotfuqishmërinë nuk mund të negociojmë. Kthimi i përgjigjes, unë mendoj se do jetë një përgjigje korrekte nga Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme, për çdo çështje të ngritur, sigurisht do i japë përgjigje dhe pyetjes së ngritët ju. Unë dua t’i besoj shtetit tim, qeverisë time pse jo, por përderisa nuk shkruajnë, shtojnë hijet e dyshimit. Këto hije, dyshime dhe të vërteta do dalin nga një përgjigje që shpresoj se do vijë.

Si e komentoni faktin që shtypi grek e ka trajtuar debatin e brendshëm në Shqipëri, si një nga pengesat, e cila vjen nga Presidenti për negociatat?

Është një spekulim i tipit sorosian, as më shumë e as më pak. Nuk ka asnjë debat të brendshëm, ka thjesht dhe vetëm ushtrim kushtetues të funksioneve, të detyrës së Presidentit, i cili në mungesë të ushtrimit të këtij funksioni, të kësaj përgjegjësie kushtetuese, po ky do të ishte një problem i brendshëm për Shqipërinë. Në momentin që Presidenti ushtron dhe zbaton me përpikmëri Kushtetutën nuk ka asnjë problem të brendshëm. Përkundrazi, është një provë shumë e mirë që rendi kushtetues vepron vetëm kur ka veprime kushtetuese si President.

Do doja të ndaleshim pak tek një reagim i Ambasadës së SHBA në Tiranë për deklaratat e Kryeministrit Rama që duhet të ketë një President të përbashkët për Shqipërinë dhe Kosovën. Ambasada e SHBA sqaron se ka mbetur e zhgënjyer me këtë deklaratë të Kryeministrit pasi gjuha e përdorur prej dhe që aludon për bashkim është e padobishme dhe mund të dëmtojë marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera. Si e gjykoni këtë deklaratë?

Personalisht e kam quajtur këtë deklaratë, as më shumë dhe as më pak, një idiotësi qëllimkeqe. Thelbi i deklaratës ka qenë shkuarja në Kosovë duke fshehur dorën me thikë pas shpine për t’ia ngulur këtë thikë pas shpine. Megjithatë unë mirëpres me padurim deklarata shumë të forta nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar që ka pushtuar anembanë vendin dhe vrasjeve të përditshme që po na shoqërojnë çdo ditë, grabitjeve pa fund dhe një situate kriminale, e cila vazhdon dhe thellohet. Roli jo vetëm politik por edhe teknik i SHBA-ve nëpërmjet politikës së saj, komisioneve të saj do të ishte një rol i paçmueshëm, ku pres pse jo që SHBA t’i tregojnë kësaj qeverie edhe kërbaçin për një shtet që po e kriminalizojnë përditë. Kurse idiotësirave të tilla edhe sikur të përbuzen dhe të mos u kushtohet asnjë vëmendje, nuk ka asgjë të keqe.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here