“Rruga e Shqipërisë për anëtarësimin në BE u pengua nga përparimi i ngadalshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”: ky është një ndër përfundimet për Shqipërinë në raportin vjetor që organizata Amnesty International publikoi sot për situatën e të Drejtave të Njeriut në botë gjatë 2017.
Sipas raportit “masat për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit u zbatuan pjesërisht”, ndërsa sillet në vëmendje ankimimi në Gjykatën Kushtetuese nga ana e dy shoqatave të gjyqtarëve për disa nene të ligjit për verifikimin e gjykatësve dhe prokurorëve, të cilat u hodhën poshtë në fund të vitit nga Gjykata.
Sa i përket “Lirisë së shprehjes” raporti i Amnesty International thekson se “sulme fizike kundër gazetarëve investigativ u kryen nga kriminelët e organizuar, ose pronarët e kompanive private.
Në mars, gazetari Elvi Fundo u rrah në kryeqytet, Tiranë, nga agresorët që besohej se ishin të lidhur me krimin e organizuar. Në qershor, pronari i një stacioni televiziv Erven Hyseni u qëllua për vdekje në Vlorë, së bashku me një zyrtar qeveritar”.
Raporti sjell në vëmendje gjithashtu paditë për shpifje të ngritura nga gjykatësi i Apelit Gjin Gjoni ndaj dy mediave.
“Në korrik gazetarët thanë se procedimet për shpifje nga ana e gjyqtarit Gjoni dhe bashkëshortës së tij Elona Çaushi, kishin për qëllim të trembnin gazetarët hulumtues dhe të inkurajonin vetëcensurimin”.
Lidhur me dhunën ndaj grave dhe vajzave Amnesty International vëren se “raportimet për dhunë në familje janë rritur”, duke përmendur faktin se “deri më 1 qershor, ishin lëshuar 420 urdhra për mbrojtje të menjëhershme”.
Raporti përmend gjithashtu rastin e vrasjes gushtin e kaluar të gjykatëses Fildeze Hafizi e cila u qëllua në makinën e saj nga ish burri i saj, duke kujtuar se ai ishte dënuar më parë për dhunën ndaj bashkëshortes por ishte liruar në fillim të vitit 2017 pas një amnistie të përgjithshme.
Sa i takon të drejtave të homoseksualëve, raporti vëren se “një studim i gushtit ka gjetur diskriminim të gjerë në punësim si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat”, ndërsa shprehet se “në shkurt dy OJQ paraqitën një ankesë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke kërkuar një ndryshim në Kodin e Familjes i cili ndalon të drejtat e bashkëjetesës për çiftet e të njëjtit seks”.