Suzana Guxholli, këshilltare për investimet e Kryeministrit Berisha në qeverisjen e aso kohe, ka folur dje në lidhje me investimet huaja. Ekspertja e ekonomisë evidenton klimën jo pozitive për biznesin, rritjen e papërfillshme ekonomike dhe korrupsionin si arsye që sipërmarrësit e huaj janë larguar nga Shqipëria. Ajo gjykon se për të përmirësuar klimën e krijuar duhen menduar politika efikase biznesi.
Kryeministri Rama dhe Ministri i Financave e i Ekonomisë Arben Ahmetaj prej ditësh po takojnë biznesin e huaj (atë italian, austriak, çek, etj) duke i ftuar të investojnë në vend. Si paraqitet niveli i investimeve të huaja në vend sipas jush?
Takimet e çdo kryeministri me komunitetin e biznesit janë pozitive kur prodhojnë rezultat, rritje të investimeve të huaja dhe vendase. Që nga fillimet e saj kjo qeveri ka organizuar vazhdimisht takime me komunitete biznesi vendas dhe të huaj, por fatkeqësisht këto kanë mbetur në nivel ngjarjesh mediatike e biseda pa rezultat. S‘ka asnjë investim të huaj të qënësishëm në sektore prodhues , dhe po ashtu duhet thënë dhe për investimet vendase. Me përjashtim të investimeve të filluara gjatë qeverisjes demokratike, si hidrocentrali i Ashtës, Devollit, etj, e dhjetra të tjerëve të vegjël, që sot mbulojnë 30% të prodhimit vendas, apo projektit TAP, tërësisht pjesë e politikave mbështetëse dhe nxitëse po të qeverisë demokratike, e tj e tj. Sot veç ikjes së kompanive të mëdha me shitje biznesi apo procese gjyqësore, barrë tjetër e taksapaguesëve shqiptarëe, zor se dëgjon për investime prodhuese.
Të vetmet biznese që lëvizën në këto 5 vite janë fasonët dhe call center-at. Këto janë biznese të përkohshme që lëvizin si nomadëd nga një vend në tjetrin, me shpejtësi, në funksion të klimës së biznesit të përshtateshme për to, nuk kanë produktivitet, ofrojnë punësim në vendet ku gjejnë paga më të ulta, nuk zhvillojnë aftësitë e punonjësve që mbeten të pakualifikuar etj.
Vetëm nga projekti TAP dhe HEC i Devollit, u shënua një vlerë investimesh të huaja, rishtazi, vlerë që nuk pritet të mbahet në vazhdim sepse këto dy projekte shteruan investimin e tyre, dhe më tej, mbyllin vende pune të hapura në këto vite sepse i tillë është biznesi i tyre.
Si është klima për biznesin?
Kur flasim për klimën e biznesit, duhen pasur parasysh shumë aspekte në të cilat zhvillohet ajo, dhe sa konkurrues e bën vendin në rajon e më përtej. Statusi i ekonomisë tonë, dihet e shihet qartë.
A ka mjaftueshëm incentiva fiskale për të thithur sipërmarrësit e huaj të investojnë në Shqipëri?
Një ekonomi me rritje ekonomike anemike, pa investime sepse biznesi nuk ka besim në të, papunësi e lartë me zyra pune të shumta. Shqipëria nuk është më konkurruese në rajon, nga shume pikëpamje. Ka barrë fiskale të lartë, ka burokraci procesesh, nuk ka tituj të qarta pronësie, nuk ka qëndrueshmëri ligjore, besim të ulët tek qeveria, korrupsion të lartë, mungesë krahu pune të kualifikuar, emigrim truri të rinisë, etj. Pra incentiva për investime të huaja dhe të vendit pothuaj nuk ka.
Nëqoftëse do të krahasonit investimet e huaja në kohën kur ju ishit në pushtet me ato të qeverisjes Rama si do ta përshkruanit tablonë?
Po të krahasohet qeverisja Berisha me atë Rama, përsa i takon investimeve të huaja dhe vendase, duhet thënë që Qeveria Berisha arriti të ketë për disa vite rreth 1 miliarde dollarë në vit, investime të huaja, sektori i energjisë dhe ai i burimeve natyrore mori hov e tërhoqi kompani të mëdha, realizoi projektin TAP, shtoi burimet hidrike të prodhimit të energjisë me rreth 30%, duke tërhequr investime vendase dhe të huaja. Politikat konçesionare të asaj qeverie tërhoqen kapitalin privat drejt investimeve në fushat strategjike duke mos prekur buxhetin e shtetit e paratë e taksapaguesve, ndërsa politkat koncesionare të sotmet, paguajnë në mënyrë klienteliste nga paratë e buxhetit, bizneset private duke rritur fshehurazi borxhin publik. Permirësoi klimën e biznesit me reforma deregullatore, me lehtësim e thjeshtim të barrës fiskale, uli burokracinë e të bërit biznes duke krijuar shërbimet me një ndalesë. Në vitin 2009 Shqipëria arriti të klasifikohet nga Banka Botërore si vendi i dytë reformator për lehtësinë e të bërit biznes, gjë që solli si pasojë tërheqjen e stokut të madh të investimeve.
Sot një sërë biznesesh të mëdha janë larguar duke e shitur biznesin ose duke përfunduar në konflikt me qeverinë në gjykata ndërkombëtare me fatura të kripura për taksapaguesit shqiptarë, mbyllja e bizneseve, rritja e barrës fiskale të tyre, goditja e fuqisë blerëse, mungesa e burimeve të fuqishme financiare, krimi dhe korrupsioni i rritur – dëshmuar dhe sot nga Transparency International, që në raport e nxjerr Shqipërinë të përkeqësuar më shumë vende, kanabizimi i ekonomisë, që ka sjellë frenimin e të bërit biznes dhe krijimin e ngërçit për investime prodhuese.
Çfarë duhet për të tërhequr sa më shumë investitorë strategjikë?
Investimet në sektorin e bujqësisë e blegtorisë, investimet prodhuese dhe produktive në sektorët strategjikë e të zhvillimit të qëndrueshëm, mbështetja e biznesit të vogël dhe dhënia e incentivave për investimet prodhuese, janë prerogativa për zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies.
Për çfarë investimesh ka nevojë vendi?
Për të drejtuar e mundësuar zhvillimin e sektorëve përpunues e prodhues duhen më shumë politika biznesi për rritjen e konkurueshmërisë së ekonomisë në tërheqjen e investimeve. (Ekonomix)