BSH detyron bankat të refuzojnë kreditë, alarmohen bizneset!

0
215

I pakuptimtë cilësohet nga komuniteti i biznesit vendimi që Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë për t’i detyruar bizneset të paraqiten me bilancin zyrtar pranë bankave tregtare kur të aplikojnë për kredi. “Ligji e thotë qartësisht se çdo kompani duhet të ketë vetëm një bilanc, atë zyrtar. Ka 27 vjetë që ligji e ka të mirëpërcaktuar. Çfarë do të thotë kjo? Që deri tani e kemi lejuar dhe tani e tutje mjaft më?” – shprehet kështu kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka. Të njëjtin mendim ndan edhe Sekretari i Përgjithshëm i Prodhuesëve Arben Shkodra. Sipas tij, kanë qenë vetë Bankat e Nivelit të Dytë që e kanë hapur atë mundesi për të zhvilluar biznesin e tyre duke  lejuar procedura, dokumentacion dhe informacion jo ligjor mbi të cilin kanë bërë vlerësim dhe analizë risku, pra krijimin e një fenomeni negativ në treg“.

Banka e Shqipërisë do të ndryshojë rregullat për individët ose bizneset që u drejtohen institucioneve financiare për të marrë kredi. “Ndryshimet e pritshme rregullative do të sanksionojnë përdorimin vetëm të dokumentacionit zyrtar financiar të subjektit që kërkon hua, në analizën që bëjnë bankat gjatë procesit të miratimit të huas. Të pranishmit vlerësuan se përdorimi i dokumentacionit zyrtar financiar në procesin e analizës së huas i shërben formalizimit të ekonomisë, mbështet konkurrencën e drejtë dhe ul rrezikun në veprimtarinë e kreditimit të sektorit bankar”, – bënë të ditur dje përfaqësuesit e Bankës Qendrore gjatë mbledhjes së Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF).

Banka e Shqipërisë po kthen në formalitet informalitetin procedural të bankave. Kompanitë në përqindjen më të madhe janë formale sidomos biznesi i madh dhe VIP. Kur ato i drejtohen bankave, tashmë dosja e tyre kalon një analizë të thellë risku dhe nuk pranohet asnjë indormacion jozyrtar. Kjo procedure aplikohet prej 2-3 vitesh”- thotë Arben Shkodra, duke e konsideruar një lëvizje të pamjaftueshme për zgjidhjen e problemeve të tregut bankar, atë që do të bëjë Banka e Shqipërisë në lidhje me dokumentacionin që subjektet duhet të dorëzojnë  pranë bankave të nivelit të dytë për të aplikuar për kredi të mundshme. Sipas tij aktualisht kreditohen lehtësisht vetëm biznese të mëdha që kanë kontrata publike. Informaliteti ekziston, thotë Shkodra, në përqindje shumë të vogël dhe këto kompani as guxojnë ti afrohen bankave dhe as nuk merren në konsideratë nga bankat e nivelit të dytë. “Pse mendojmë se kjo masë është e pamjaftueshme? Sepse sipas nesh Banka e Shqipërisë i ka të gjithë instrumentet për të ndërhyrë në tregun bankar dhe në ekonomi pasi është mbikqyrësi dhe influencuesi i vetëm ligjor për të ndërmarrë hapa konkret edhe për ndryshime të tjera.”- shprehet Shkodra.

Si Jaka, ashtu edhe Shkodra e konsiderojnë emergjente ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë tek Bankat e Nivelit të Dytë për çlirimin e kreditimit dhe lehtësimit të kushteve të marrjes së huasë. “Banka e Shqipërisë duhet të ulet me biznesin. Të interesohet për problemet që ne hasim me bankat tregtare për kredinë. BSH duhet të mbikqyrë bankat e nivelit te dytë. T’u thotë bankave pse nuk kreditoni. Të rishohë dhe të influencojë për normat e interesit dhe mbi të gjitha kushtet e lidhjes së kontratave të kredive të cilat janë gati të ngrira dhe të panegociueshme. Në botë kreditohet biznesi që të përmirësohet ekonomia, ndërsa këtu ndodh e kundërta”- thotë Arben Shkodra. Ndërsa Nikolin Jaka pohon se në 2010 i ka dërguar një platformë Bankës së Shqipërisë me qëllim që të vendosej një trekëndësh bashkëpunimi dhe koordinimi mes Bankës së Shqipërisë, Biznesit e Bankave tregtare dhe Politikbërjes. Sipas tij biznesi që jep një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit, nuk ka mundësi të investojë sepse nuk kreditohet e në të njëjtën kohë Bankat e Nivelit të Dytë abuzojnë me çmimet duke marrë shembull se vetëm një transfertë ditore kushton 100 euro.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here