Ish-ministri i LSI-së, Edmond Panariti deklaroi sot në Kuvend se procesi i vetingut të turpës policore është i domosdoshëm. Panariti tha se prova e inkriminimi të policisë dhe përfshirjes së saj në proceset politike janë zgjedhjet e fundit. Ai akuzoi kryeministri Edi Rama si politikanin përgjegjës për daljen e policisë nga misioni i saj kushtetues.
Fjala e Deputetit të LSI, Edmond Panariti në Kuvend.
Edmond Panariti: Policia e përfshirë në trafiqe ishte ajo që dhunoi edhe procesin zgjedhor.
Të nderuar Kolegë Deputetë,
I nderuar z.Kryetar,
I nderuar z. Ministër,
Së pari më lejoni të shpreh që në fillim që ne padyshim mbështesin, projektligjin e Vettingut në
polici pasi nuk kemi pse të mos mbështesim, çdo nismë ligjore apo akt normativ serioz dhe jo fiktiv i cili garanton një trup policore të dekriminalizuar, profesionale me integritet të lartë moral dhe profesional, që të mos jetë një zorrë qorre e trafikantëve, krimit të organizuar por njëkohësisht mos të jetë as pistoletë në dorën e mazhorancave për të deformuar procese të rëndësishme zgjedhore, vullnete institucionale. Edhe personalisht unë kam ndjeshmërinë më të madhe ndaj policisë së shtetit pasi unë besoj që ajo është kartvizita e shtetit shqiptar.Në
momentin që hyn në territorin tonë ai që na del përpara punonjësi i policisë së kufirit. Rrugës për destinacion, një element tjetër tjetër i policisë së shteti është policia rrugore. Policia e rendit, kompleton gjithë harkun institucional të policisë së shtetit. Prandaj do proces që garanton që ky institucion i shtetit shqiptar të funksionojë sipas ligjit, të pastrohet nga elementë të inkriminuar, të jetë jashtë ndikimit të trafikantëve, të ndërpresë lidhjet me krimin e organizuar, është i mirëpritur dhe ka gjithë mbështetjen tonë. Por kjo që thashë, pra policia që ne ndeshim në jetën e përditshme është vetëm ana e dukshme. Ka një anë tjetër të padukshme okulte e cila për fat të keq po mban peng jo vetëm thjesht policinë si institucion, mban peng të
gjithë Shqipërinë, te gjithë proceset demokratike të vendit. Dhe këtu kemi të bëjmë më atë
pjesë të padukshme që është policia, apo drejtues të policisë, apo individë të inkriminuar të
policisë të cilët drejtojnë procese të trafiqeve, të narkotikëve dhe që tashmë nuk janë më
hipoteza por janë teza. Pasi është e vërtetuar që një pjesë e këtyre drejtuesve të cilët janë në arrati, të cilët janë në ndjekje penale, kanë qenë të përfshirë , të involvuar, në mënyrë të drejtpërdrejt në kontrollin e trafiqeve.Dhe sigurisht ky nuk është modeli i policisë që ne duam, por është e kundërta e asaj që ne duam. Dhe sigurisht një drejtues policie në qark që është i përfshirë në proceset e trafikut të paligjshëm, të narkotikëve, të monitorimit të mbjelljes së kanabisit, të lidhjeve të tij me trafikantë të drogës. Padyshim nuk e ka problem që të ushtrojë ndikimin e tij edhe në procese shumë më të rëndësishme sesa këto që përmenda pak më para. Pra të ndikojë edhe për ruajtjen e status-quo. Për të ndikuar me instrumentat që jep pushteti policor edhe në deformimin e proceseve të rëndësishme sikundër është procesi zgjedhor, duke përdorur mekanizma intimidues, dhunën policore, për të frikësuar zgjedhësit, votuesit, për të deformuar pikërisht atë status-quo që i bën të mundur dhe i lehtëson atij ushtrimin e aktivitetit
të tij të paligjshëm. Prandaj Vettingu i policisë është një fenomen shumë kompleks, vetëm me anën që përmenda pak më përpara, por kryesisht me atë që është më e padukshme, më okulte por që po trondit thellë gjithë sistemin. Po kompromenton imazhin e Shqipërisë dhe që pretendohet që procesi i Vettingut në mënyrë tërësore integrale, nëpërmjet një skanimi tërësor të gjithë strukturave të policisë duke filluar që nga drejtuesit politik të ministrisë së rendit të cilët tashmë janë dhe në ndekje hetimore, janë pjesë e proceseve penale, por edhe një pjesë e drejtuesve të policisë në qarqe, të cilët tashmë janë në arrati, janë në ndjekje dhe që janë dhe duhet të jenë pjesë e këtij procesi. Ajo që është më kryesore është se ne e inkurajojmë këtë proces, inkurajojmë këtë projektligj, pavarësisht nga vërejtjet që kemi, pavarësisht nga dëshira që kemi që ato amendime të propozuara të inkorporohen dhe të jenë pjesë e këtij projektligji,
në mënyrë që procesi i Vettingut të Policisë të jetë sa më i plotë, që Policia të jetë një
institucion i depolitizuar, por edhe të kryejë detyrat e parashikuara në ligj, që të jetë jashtë
ndëshkimit të trafikanëtëve dhe trafiqeve, jashtë ndikimit të politikës dhe ti përgjigjet vetëm Kushtetutës së vendit dhe ligjit që rregullon funksionet e saj. Por a do ta ndajmë ne këtë proces që pritet të fillojë dhe të vazhdojë me atë që ka kaluar tashmë? Smund të ndahet. Madje nuk mund të quhet as i besueshëm ky proces, që tashmë presuopozohet të rregullohet me ligjin që shpresohet të kalohet sot me votimin tuaj, nga ajo që ka ndodhur më përpara. Pra në rast se paralelisht qeveria nuk arrin që të bëjë një “Mea Culpa”, por jo një “Mea Culpa” thjesht morale, por e dëshmuar me aksione konkrete. Pra të arrestojë ata persona që tashmë janë në kërkim.
Të vërë pas hekurave ata 100 e ca punonjës të policisë, tashmë të vërtetuar si të përfshirë në procese të krimit të organizuar apo të kontrollit të trafiqeve, kjo do ta bënte të besueshëm procesin. Por përsa kohë shikojmë që nuk lëviz asgjë në këtë drejtim, sigurisht kemi të drejtën që të jemi skeptik, që edhe procesi i Vettingut i cili do të rregullohet me ligjin që do të votohet sot, mund të mos ketë atë ecuri që dëshirojmë të gjithë, në mënyrë që Policia e Shtetit të jetë e pastër, të ketë në përbërjen e saj individë me integritet moral, me përgatitje profesionale, dhe të papërfshirë e të papërlyer me elemente të abuzivizmit, të trafikut të paligjshëm dhe të përfshirjes në aktivitete kriminale. Pra, kjo kërkohet sot, përtej vullnetit, përtej dëshirës së mirë për të normuar një proces të Vettingut, me projektligje, me ligje, kërkohet aksion konkret për të
vënë pas hekurave, persona që tashmë janë të identifikuar si pjesë e kontigjentit kriminal dhe që janë pjesë e sturkturave të Policisë. Madje përveç faktit që një pjesë e drejtuesve të policisë në qarqe, por edhe policë të korruptuar, tashmë janë në ndjekje ne duhet që këta, me çdo kusht, pra qeveria, ministria e rendit, t’i arrestojë, duke shprehur dhe për të treguar në këtë mënyrë një vullnet të qartë që procesin e Vettingut të normuar me këtë ligj, e mbështet dhe me aksione konkrete për arrestimin, për ndalimin e të gjithë personave të inkriminuar, që kanë
qenë pjesë e Policisë së Shtetit, por edhe duke zbuluar dhe ata informatorë të cilët
dekonspirojnë proceset hetimore dhe paralizojnë aksionet e policisë dhe besoj që edhe sot e kësaj dite janë pjesë e Policisë së Shtetit. Vetëm ky vullnet, vetëm këto nisma, vetëm këto aksione, do ta bënin të besueshëm dhe të mbështetur edhe procesin e Vettingut të Policisë së shtetit. Natyrisht edhe si një pjesë integrale e Vettingut në të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, të politikbërjes, të gjyqësorit e më gjerë.