Kuvendi ka shtyrë me një javë votimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit të ‘vettingut’ për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës dhe SHÇKB.
Grupi parlamentar i PS-vendosi që këtë kohë ta shfrytëzojë për të shqyrtuar amendamentet e propozuara për këtë ligj nga LSI.
“Grupi parlament i LSI ka depozituar një sërë amendamentesh dhe unë do ti kërkoja seancës që shqyrtimi nen për nen dhe në terësi të kalojë për seancën e ardhshme me qëllim që të kemi kohë për të shqyrtuar amendamentet dhe për gjetur mundësinë e dakordësisë”, tha Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së.
Ndërsa Petrit Vasili, kreu i deputetëve të LSI-së u shpreh: “Lidhur me amendamentet e paraqitura nga ne dhe të tjera reflektime të domosdoshme, është kohë pozitive që ta përdorim nëse do të kemi një reflektim në mënyrë që ligji të ketë standard. Është një mundësi për ta parë këtë reflektim. Jemi dakordësuar që të shtyhet votimi”.
Ndërkohë, Kuvendi miratoi në parim projekligjin me 81 vota pro, asnjë kundër dhe 31 abstenim.