Ekskluzive/ 613 kg drogë, flasin Ristani, Strazimiri, Noka e Tabaku: Narkoshteti dhe parajsa e trafikantëve

0
287

Deputetë dhe përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike reaguan për “Standard”, lidhur me 613 kilogramët e drogës të sekuestruara në Maminas. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike,Arben Ristani dhe deputetët Flamur Noka, Gent Strazimiri dhe Jorida Tabaku komentuan për gazetën këtë çështje duke vënë theksin tek  keqqeverisja dhe lidhjet e saj sipas tyre me botën e krimit dhe trafikantët e drogës.

 

Arben Ristani

Kështu Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike,Arben Ristani i pyetur nga gazeta për sasinë rekord të kapur  deklaroi se operacioni ka një pikëpyetje të madhe lidhur me personat që qëndrojnë pas atyre që janë arrestuar. : “Kryesorja është që 600 kilogramë (dhe pak më tepër) janë shumë dhe nuk levizin pa garantuar rrugët nëpër të cilat do kalojnë. Lëvizja  e 600 kilogramëve së bashku, në të njëjtin mjet, tregon që ishin marrë masat me polici, me shoqërues, shoferi ska qenë kurrë vetëm, minimalisht ka patur makina te tjera shoqëruese dhe garantues të rrugës. Është kapur pasi kanë ndikuar faktorë ndërkombëtarë si DEA, gjermanët dhe forca të tjera drejtuese të operacionit. Por ka sërish një pikëpyetje,  fakti që kanë arrestuar vetem shoferin,  dhe një person tjetër, që në fakt janë të fundit që mund të kenë lidhje me këtë trafikim, tregon se është dekonspiruar”- tha Ristani.

Flamur Noka

Deputeti i PD – së,njëherësh nënkryetar i Komisionit të Sigurisë Flamur Noka, u shpreh  për “standard” se Shqipëria e Edi Ramës është korridori i preferuar i drogave të forta. Noka shprehu bindjen se pas çështjes së Xibrakës, agjensitë ligjzbatuese partnere kanë humbur besimin tek policia shqiptare. “Edi Rama gënjen si hileqar genetik që është! Mundohet  të luajë me vakuumin e informacionit publik si pasojë e sekretit hetimor për çështjen e 613 kg kokainë dhe përpiqet t’ia atribuojë policisë këtë aksion. Policia në këtë aksion ka patur rolin e hamallit . Është operacion që tregon se Shqipëria e Edi Ramës është koridori më i preferuar i trafikut të drogave të forta. Tregon që Shqipëria e Edi Ramës është parajsa e trafikantëve . Suksesi i operacionit konsiston në lidhjen direkte të partnerëve me prokurorinë dhe kryesisht Prokurorinë e Krimeve të Rënda . Tregon mobesim ndaj policisë, pasi policia lëngon nga kanabizimi e kriminalizimi. Pas çështjes së Xibrakës, nuk ka agjensi ligjzbatuese partnere që t’i besojë policisë shqiptare” – u shpreh Noka për “Standard”

 

 

Gent Strazimiri

Deputeti demokrat Gent Strazimiri deklaroi se klanet ndërkombëtare të drogës e shohin tashmë Shqipërinë një vend tranzitor, madje edhe prodhues kokaine, çka në vetvete, ashtu sikurse theksoi ai, tregon që kanë garanci politike, duke bërë kështu qeverinë, përkatësisht kryeministrin, përgjegjës për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Maminas. “Alarmi “kokaina” është risi për Shqipërinë. Risi që në muajt e parë të qeverisjes Rama në 2013. Më lejoni t’ju kujtoj të paktën 3 laboratorë kokaine të instaluara në Shqipëri në periudhën 2013-2015, bosët e të cilëve nuk u arrestuan kurrë. Aq shqetësuese është situata, saqë DEA amerikane është detyruar të hapë zyrë të përhershme në Shqipëri që prej vitit 2016. Që në atë moment ne (opozita) e kemi denoncuar që ky nuk është një “lajm i mirë bashkëpunimi”, është lajm tepër shqetësues që tregon se për herë të parë nën këtë qeverisje, klanet ndërkombëtare të drogës na konsiderojnë një vend ku mund të tranzitojnë, madje edhe prodhojnë kokainë, ç’ka në vetvete tregon se kanë garanci të forta politike. Siç e kam theksuar edhe në atë kohë, garancitë për tranzitim e aq më tepër prodhim kokaine, nuk mund t’i japë një polic, qoftë edhe drejtori i përgjithshëm, as një ministër i brendshëm i vetëm. Garancitë që kërkon kokaina janë as me shume e as më pak se niveli i Kryeministrit”- tha deputeti Starzimiri në një prononcim për “Standard”.

Jorida Tabaku

Deputetja Jorida Tabaku, në reagimin e dhënë për gazetën tha se kokaina e sekuestruar  ka çorientuar dhe ka tradhëtuar qeverinë dhe sigurinë e saj. Tabaku theksoi se kjo qeveri e lidhur ngushtësisht me kartelët e drogës po dërgon vendin drejt një kaosi social dhe ekonomik. Ndërkohë deputetja e PD-së risolli në vëmendje akuzat e ngritura nga kjo parti për pastrimin e parave. Në fund të reagimit të saj, Tabaku u shpreh se droga e kapur në Maminas është vetëm një hallkë e zinxhirit të madh që ka ndërtuar qeveria; krimi i organizuar për të mbajtur pushtetin dhe njëkohësisht përdorimi i pushtetit për të kontrolluar krimin. “Kapja e mbi 600 kg kokainë që vinte nga Kolumbia në një aksion ndërkombëtar sot ka çorientuar dhe tradhtuar qeverinë dhe sigurinë e saj. Fatkeqësisht vendi ka degraduar në një narko-shtet, qeveria është e lidhur ngushtësisht me kartelet e drogës dhe ekonomia jonë po rrëshket në një vorbull ilegjitimiteti që mund të prodhojë vetëm kaos. Vlera e kapur në aksionin ndërkombëtar të drogës është 180 milionë euro dhe kjo përkthehet në gati 3.5% të PBB-së. Nuk duhet harruar që kjo është vetëm një ngarkesë e sekuestruar pasi ngarkesat e tjera nuk janë kapur. Gjithë këto shuma të mëdha parash që qarkullojnë vendin tonë ku pastrohen? Ne si opozitë kemi ngritur dyshime që pasurohen përditë e më shumë me fakte se vetë projekti i madh qeveritar “1 miliard euro” nuk është vetëm se pastrim parash. Kemi ngritur shqetësimin dhe zërin edhe për lejet e ndërtimit që nuk gjejnë as sens ekonomik por as mbështetje në të dhënat e kredisë dhe gjendjes ekonomike të vendit. Në rastin konkret, sot vlera prej 180 milion eurosh është thuajse e barabartë me vlerën e një prej projekteve më të mëdha të qeverisë atë të rrugës së Arbrit, pra 250 milion euro. Lejet e ndërtimit në Tiranë kanë kapërcyer nga 90 të tilla në vitin 2015 në 211 në vitin 2017. Droga e kapur sot në Maminas është vetëm një hallkë e zinxhirit të madh që ka ndërtuar qeveria; krimi i organizuar për të mbajtur pushtetin dhe njëkohësisht përdorimi i pushtetit për të kontrolluar krimin”- u shpreh deputetja Jorida Tabaku.

 

Intervistoi: Aida Topalli

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here