Në Tiranë dikur binte borë një herë në 30 vjet, por me ndryshimet e klimës ky është viti i dytë rresht që kryeqytetasit zgjohen me dëborë. Dhe kjo është dita e dytë me reshje.
Edhe në Lushnje këtë mëngjes nisën reshjet e dëborës.
Dëborë ra në mëngjes sërish edhe në Durrës dhe Elbasan.
Ndërsa më në verilindje, situata mbetet e vështirë në zonat e Dibrës, ku shkollat janë ndërprerë deri në një urdhër të dytë.
Reshjet vijojnë me intenstet të lartë edhe në Bulqizë. Përveç rrugëve që bllokohen, janë izoluar nga pjesa tjetër e vendit njësitë Ostren, Trebisht, Martanesh, shumë fshatra të njësisë Zerqan, Shupenzë dhe Fushë-Bulqizë. Trashësia e dëborës në qytet është 50 cm, ndërsa në njësitë administrative vijon nga 70 cm deri në 1 metër.
Reshjet e dëborës, të rëna gjatë 24 orëve të fundit në rrethin e Skraparit, kanë krijuar problematika në këtë qark. Ato kanë sjellë probleme në akset që të çojnë në fshatrat malore drejt Tomorit si dhe kanë bërë që të mbyllet procesi mësimor në 10 shkolla malore.