Meçollari në grupin negociator/ Panariti: Ja arsyeja pse opozita e kundërshton praninë e tij

0
236
PANARITI PER VIZITEN E TIJ NE FRANCE - Nenkryetari i Bashkise se Tiranes Edmond Panariti, duke folur gjate nje konference shtypi, ku ka komentuar ne lidhje me viziten e tij ne France, ku eshte zgjedhur anetar i Bordit Drejtues te planit te veprimit per biodiversitetin e qyteteve te rajonit te Mesdheut.

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Panariti, nëpërmjet një interviste deklaroi se duhet më shumë transparencë në lidhje me negociatat me Greqinë për marrëveshjen e detit.

Deputeti i LSI tha se Parlamenti grek ka dhënë lejen për firmën kontraktore që të zhvillohen shpime në det përbri zonës së kontestuar, duke shtuar se, ndërsa ende negociatat nuk kanë nisur, gjërat në terren kanë lëvizur dhe kjo nuk është një gjë e mirë.

Ai tha se në takimin me Presidentin e Republikës ditën e djeshme iu kërkua sqarime Ministrisë së Jashtme për këtë gjë, pasi aty bëhet fjalë për zonat më të mëdha të naftës dhe gazit.

“Në 2009 kur u anulua marrëveshja nga gjykata menjëherë kompania që ishte kontraktuar për shpimin ndaloi, ndërsa tani ka filluar shpimi, zona është mu përbri zonës ku është zona e diskutuar, në terren gjërat po avancojnë. Për këtë kërkuam sqarime, ndërsa i gjithë ky proces po zhvillohet nën një presion kohor. Kjo marrëveshje është e re nuk mund të jetë çështje muajsh e ditësh, ajo çfarë është më e rëndësishme është negocimi për zonat naftëmbajtëse dhe gazmbajtëse. Ratifikimi në Parlamentin grek hap rrugën e shpimit në det, kërkesa u ratifikua nga Parlamenti grek, gjërat po avancojnë në terren dhe kjo tregon mungesë transparence”, tha Panariti për Faxneës.

Deputeti gjithashtu paralajmëroi grupin negociator se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme, sepse ka të bëjë me interesin kombëtar dhe negociatorët duhet të jenë shumë të përgjegjshëm, pasi çdo gabim nuk do të shlyhet lehtë.

Ju keni qenë një nga anëtarët e Komisionit për Politikën e Jashtme, që mori pjesë në takimin që ndodhi në Presidencë. Gjatë 90 minutave keni qëndruar me kreun e shtetit gjatë një dëgjese, që kishte në qendër negociatat me Greqinë. Cilat ishin disa nga çështjet e diskutuara?

Takimi me Presidentin e Republikës vinte menjëherë mbas dëgjesës që ne zhvilluam në Komisionin e Politikave të Jashtme me ministrin Bushati. Të ndodhur përpara faktit të mosbindjes në lidhje me disa argumente që u parashtruan nga ministri Bushati për vijimësinë e hapjes së negociatave, grupi opozitar kërkoi sqarime të mëtejshme nga kreu i shtetit, i cili menjëherë tregoi vullnetin për të takuar grupin parlamentar. Dhe për rrjedhojë, ne sot zhvilluam një takim me Presidentin e Republikës edhe si përgjigje dashamirëse e tij ndaj kërkesës së grupit opozitar, për të dëgjuar pozicionin e tij në raport me kërkesën që ka paraqitur ministri i Jashtëm për autorizimin, apo dikush e quan dhe akt plotfuqishmërie për të filluar negociatat për çështjet e vijës kufizuese detare dhe zonave të ekskluzivitetit ekomomik. Presidenti i Republikës ishte shumë shterues në argumentet që ai paraqiti në pamundësinë që ka pasur deri më tani për të dhënë plotfuqishmërinë, apo autorizimin për fillimin e negociatave. Dhe këto i renditi në mënyrë shumë të qartë, ai kërkoi që kërkesa që i është drejtuar atij, të reflektonte detyrimet që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili është dhe akt kushtetues. Pra, në kërkesën e z. Bushati duhet të inkorporoheshin kërkesat që burojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë Presidenti i Republikës renditi dhe disa kërkesa të tjera që kanë të bëjnë dhe me elementë teknikë të fillimit të procesit të negocimit, siç janë, negociatorët apo elementë teknikë, siç janë hartat, mbi bazën e së cilave do të kryhet më pas dhe bisedimi për arritjen eventuale të një marrëveshje. Për sa kohë që këto dokumentacione mungonin dhe z. President e bëri të qartë këtë. Ai pavarësisht se shprehu vullnetin për të avancuar sa më parë në fillimin e negociatave dhe pse jo në arritjen e një marrëveshje me shtetin helen, që ai e ka të pamundur, pasi kushtetuta e vendit, Gjykata Kushtetuese është vijë e kuqe, e cila duhet respektuar. Dhe për sa kohë që dokumentet që ka paraqitur Ministria e Jashtme nuk janë shteruese në raport me detyrimet që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe elementë të tjerë teknikë shoqërues, kjo është e pamundur. Sigurisht në këtë drejtim, në raport me pozicionin e Presidentit ajo që ishte për t’u përshëndetur, ishte që të gjithë grupet parlamentare ranë dakord. Mazhoranca dhe opozita ishin dakord me sugjerimet, propozimet e Presidentit, në mënyrë që ai të jetë i mundësuar për të avancuar me dhënien e autorizimit duhet sa më parë Ministria e Jashtme të plotësojë ato që konsiderohen ende mangësi, qoftë në kërkesën, qoftë dhe në detajet që kërkohen për hapjen e negociatave.

Nga ana e përfaqësuesve të opozitës kanë vlerësuar se ka munguar transparenca nga Ministria e Jashtme. Në gjykimin tuaj a duhet të kishte më shumë transparencë në negociatat e deritanishme me Greqinë?

Duhet të ndajmë dy gjera, e para pozicioni i Presidentit, i cili ishte shumë i qartë për të gjitha palët. Presidenti tregoi vullnet të mirë për të hapur sa më parë procesin e negociatave, por natyrisht ai është garant i Kushtetues dhe duhet që procesi të blindohet në shinat e Kushtetutës dhe në shinat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili është në vetvete një akt kushtetues. Këtë kërkoi Presidenti, që të plotësohen sa më parë këto mangësi në kërkesë, në dokumentacioni shoqërues dhe tregoi vullnet për t’i hapur rrugë procesit. Janë zhvilluar një sërë bisedimesh midis dy ministrave të Jashtëm në Kretë dhe në Korçë. Pikërisht për këtë kërkoheshin disa sqarime. Kush ka qenë thelbi i këtyre bisedimeve? Çfarë është biseduar? Është marrë ndonjë angazhim?se e dimë që nuk ka marrëveshje, se marrëveshja është një akt formal dhe juridik, por ka ndonjë angazhim? Ne jemi të prirur të besojmë atë që deklarohet nga pala greke. Përkatësisht nga ministri Kotzias, i cili tha se marrëveshje me palën shqiptare për çështjen e delimitimit të ujërave detarë është arritur. Madje, u hodh dhe teza që kjo do të nënshkruhet në takimin e nivelit të lartë të dy Kryeministrave, që do zhvillohet në Tiranë. Për këtë u kërkua transparencë, ku ministri Bushati, i cili u mjaftua vetëm me një deklaratë, tha që nuk ka marrëveshje dhe nuk shkoi më tej drejt një sqarimi më të gjerë. Ndërkohë, pala greke është treguar më transparente në raport me opinionin e saj publik. Është shprehur që në princip se është arritur dakordësia, madje është avancuar nga ministri i Punëve të Jashtme dhe në elemente teknik, pra me milje detare etj. Në rast se është kështu, atëherë i bie që fati i negociatave është i paracaktuar dhe ajo që ne po tentojmë të promovojmë dhe shtymë është thjesht një garniturë e cila do i shërbejë formalizmit të një vendimi, e cila është marrë tashmë si një angazhim dhe po pritet të formalizohet le të themi. Ajo që na bën ne të jemi shumë të sensibilizuar, është në fakt një lajm për palën greke që është ndeshur edhe ditën e sotme. Greqia ka filluar `shpimet` në pjesën e Jonit.

Në një nga televizionet greke është zhvilluar një diskutim për marrëveshjen, ku e kanë trajtuar si dëm për ta. Si e gjykoni këtë gjë?

Interpretimet nga pala greke mund të jenë të shumta. Unë shikoj faktet dhe jo ato që thuhen nëpër studio televizive. Shikoj atë që po ndodh de facto në terren se edhe aty ka luftë pozitë-opozitë. Parlamenti grek ratifikoi sot, duke përjashtuar votat e komunistëve dhe abstenimin e Agimit të Artë, lejen për të filluar punë eksploruese në bllokun 2 të Jonit, i cili është përbri zonës që është në diskutim në pjesën e marrëveshjes. Në vitin 2009, kur u anulua nga Gjykata Kushtetuese marrëveshja për hapësirat ujore dhe detare, menjëherë kompania që ishte e autorizuar për të filluar shpimin, ndaloi punimet. Ndërkohë, ne kemi avancim pa hyrë akoma në dialog dhe në bisedime, ku kjo është një gjë shqetësuese, pasi zona që do eksplorohet, ku supozohet të bëhen dhe shpimet eksploruese, është përbri zonës ku do diskutohet për sovranitetin e secilës palë. Kjo zona është zgjatim i pjesës të Patos-Marinzë. Pra, siç e shikoni në terren gjërat po avancojnë. Për këtë arsye ne kërkuam sqarime shteruese nga ministri i Punëve të Jashtme. Nga ana tjetër, ajo që të bën përshtypje ku sigurisht është motiv shqetësimi, është që i gjithë ky proces po zhvillohet nën një presion kohor. Pra, kjo nuk është një marrëveshje ku kemi përfunduar shumicën e gjërave dhe po shkojmë në finalizim, por kjo është një marrëveshje e re, e cila nuk mund të jetë çështje muajsh dhe ditësh. Nuk është as çështje gjeometrie, pra pikave të referencës apo mbajtjes së largësisë, por ajo që duhet theksuar është negocimi për zonat naftëmbajtëse dhe gazmbajtëse që ndodhen poshtë në tabanin e detit. Këto zona nuk mund të ndahen me vijë drejtvizore sepse hynë dhe dalin përtej vijës ndarëse.

Ju thatë që marrëveshja ka filluar me shpimet. Ku bazoheni për këtë deklaratë që thoni?

Ajo u deklarua sot. U kërkua një leje për shpim me eksplorim dhe u ratifikua nga parlamenti grek. Pra, nuk i pengon më kompanitë e kontraktuara që të fillojnë të bëjnë shpime. Ndërkohë, ne s’kemi filluar procesin e negocimit. Pra, po avancojnë gjërat në terren, ndërkohë që ne këtu akoma diskutojmë. Kjo në njëfarë mënyre tregon mungesë transparence. Unë mendoj që kemi të bëjmë me çështje të sovranitetit kombëtar, ku janë shumë delikate dhe ngarkojnë me përgjegjësi të rënda palët. Çdo gabim në këtë mes është i një përgjegjësie të rëndë dhe për këtë arsye duhet bërë shumë kujdes. Ndërkohë, u shtrua problemi në diskutimin që Presidenti pati me deputetët, dhe pse jo për përfshirjen e palëve të treta, pra të ekspertizën ndërkombëtare. Në fakt, duhet pranuar që në raport me çështjet e detit ne jemi shumë të disavantazhuar në raport me palën helene sepse ata janë marrë gjithë jetën e tyre me çështjet e detit, kanë institucione të specializuara për çështjet e detit, janë shumë më të specializuar se ne në çështjen e së drejtës detare. Dhe kjo na vë ne në disavantazh, pa mohuar sigurisht edhe ekspertizën e personaliteteve tona. Në këtë pikëpamje, do të ishte shumë e mençur që ne të fusnim në grup, ndoshta jo domosdoshmërish, si anëtarë të delegacionit negociues, por si ekspertë, ekspertët më të mirë botërorë në çështjen e detit, në mënyrë që çdo hap të bëhet i bazuar dhe i peshuar mirë. Bëhet fjalë për pasuri të jashtëzakonshme natyrore të Shqipërisë të rezervave të gazit, të naftës por edhe të peshkimit. Prandaj nuk duhet të nxitojmë. Ne sigurisht duam që t’i sheshojmë sa më parë problemet që kemi me Greqinë, por këto janë çështje të sovranitetit kombëtar dhe duhet të prevalojnë mbi të gjitha çështjet e tjera, qofshin këto edhe çështjet e integrimit evropian. Këto janë çështje të interesave tona kombëtare, të sovranitetit kombëtar dhe qëndrojnë në majën e çdo interesi. Pastaj vijnë interesat e Bashkimit Evropian, pastaj vijnë interesat e fqinjësisë së mirë. Por jo në cenimin e interesave të kombit, të pasurive tona ujore, sepse ato i takojnë brezave, nuk na takojnë vetëm neve. Janë pasuri, të cilat do t’i kalojnë brezave dhe janë natyrisht pasuri të kombit dhe shtetit shqiptar. Prandaj në këtë optikë u diskutua sot, por ajo ku u përqendrua më shumë Presidenti ishte që sa më parë Ministria e Jashtme të plotësojë dokumentacionin shoqërues ndaj kërkesës që paraqiti për Aktin e Plotfuqishmërisë apo të autorizimit për hapjen e negociatave, në raport me kërkesat që derivojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Pasi të bëhet kjo, Presidenti i Republikës do të tregohet plotësisht i hapur për t’i dhënë menjëherë dritë jeshile procesit.

A ekziston një konflikt mes Presidentit Meta dhe ministrit Bushati, nisur kjo edhe nga deklaratat e këtij të fundit gjatë seancës dëgjimore që është mbajtur në Komisionin e Jashtëm?

Unë nuk do të nxitohesha ta quaja konflikt. Unë do ta konsideroja më shumë si një nevojë për sqarimin e palëve. Presidenti është në atë pozicion si kreu i Shtetit shqiptar për të garantuar respektimin e Kushtetutës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe çështjet e sovranitetit kombëtar. Për këtë ka gjithë autoritetin dhe për këtë është zgjedhur, për të respektuar në mënyrë strikte këto detyrime që derivojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ministri i Punëve të Jashtme është i detyruar që të jetë konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese në kërkesën që i ka drejtuar Presidentit të Republikës për të marrë autorizimin apo plotfuqishmërinë për të ndërtuar delegacionin negociues, me të gjithë hallkat e tij. P.sh., unë jam habitur se përse ministri i Jashtëm nuk e shoqëroi që në fillim kërkesën e tij me delegacionin negociues. U desh Presidenti që t’i kujtonte ministrit të Jashtëm që në kërkesën që parashtrohet për fillimin e negociatave për autorizim duhet patjetër edhe ekipi, profili i njerëzve që marrin pjesë në këtë ekip, ç’përfaqësojnë apo nga vijnë, dhe u detyrua ta bëjë në mënyrë të sforcuar. Pastaj doli përsëri aty që ka mangësi. Pra, kërkohet që sa më shpejt të plotësohen këto mangësi në mënyrë që Presidenti ta ketë këtë mundësinë që me firmën e tij, firmë e cila ka një peshë të veçantë, pasi ka të bëjë me çështje të sovranitetit kombëtar, me çështje të kufijve të Shqipërisë dhe të zonave të interesit ekonomik të saj. Nuk është gjë e lehtë. Besoj se kjo u kuptua edhe nga anëtarët e Komisionit të Jashtëm që ishin prezent në atë takim.

Le të flasim pak për propozimin e deputetit të Partisë Demokratike, Tritan Shehu, i cili gjykon dhe tha se zgjidhja më e mirë do të ishte që çështja të shkonte në Gjykatën e Hagës. Si e shihni këtë propozim?

Unë pata mundësinë që edhe në ndërhyrjen time në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm t’i thosha ministrit të Jashtëm në mënyrë shumë miqësore, si kolegë që jemi, që të lërë të hapur të gjitha opsionet, përfshirë edhe opsionin e paraqitur nga opozita për ta kaluar gjithë procesin nën atributin e Gjykatës Ndërkombëtare për Çështjet e Detit që është në Hagë. Dhe atje vura re që edhe ministri pati një predispozicion të tillë dhe tha: Nëse ne do ta shikojmë veten në një çështje ngërçi në negociatat me palën greke, pra nëse nuk do të arrijmë në asnjë marrëveshje, mbetet ta çojmë të gjithë praktikën tek Gjykata, e cila më pas do të vendosë. Dhe kjo është diçka pozitive. Ne nuk duhet të jemi në një presion kohor. Në rast se shikojmë se nuk arrijmë dakordësinë, nuk arrijmë dakordësi. Pikë. Ne nuk kemi përse të jemi në një presion, sepse këto janë çështje madhore të sovranitetit kombëtar, të pasurive të shqiptarëve dhe me këto nuk bëhet shaka. Le të përpiqemi ta realizojmë, por fillimisht duhet ta vëmë në binarë procesin, të fillojnë negociatat. Pra, fillimisht të plotësohet dokumentacioni që mungon në kërkesën që është dërguar te Presidenti. Më pas të futen në negocime dhe nëse shikojnë se nuk po e përballojnë, të mos e nënshkruajnë dhe të mos e ngarkojnë veten me përgjegjësi të rëndë historike në raport me interesat e sovranitetit të popullit shqiptar. Aty është Gjykata Ndërkombëtare për Çështjet e Detit, për këtë punë është. Kur ka përplasje mes shteteve, palët me mirëkuptim ia kalojnë çështjen kësaj gjykate. Unë nuk e di nëse grupi negociator e ka parasysh peshën e madhe që ka mbi supe me këtë detyrë. Aty do të nënshkruhen gjëra shumë të rëndësishme, të cilat po u bënë gabim nuk ka mundësi të shlyhen më në historinë e këtij vendi.

Kur do ta japë Presidenti dritën jeshile?

Presidenti e tha vetë që në momentin që plotësohen mangësitë në dokumentacionin, që ka ardhur nga Ministria e Jashtme, menjëherë do të jepet autorizimi. Presidenti është aty ku duhet, garant që marrëveshje të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Znj. Kodheli ka thënë që në grupin negociator do të duhet të shtohen edhe disa këshilltarë. A ka pasur diskutim për këtë çështje?

Është shumë me vend ajo që tha znj. Kodheli, kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme. Duhet te ketë sa më shumë inpute profesionale nga njerëz ekspertë dhe profesionistë në çështjet e detit. Çështjet e detit janë shumë heterogjene. Ndaj duhet të ketë ekspertë në të gjitha fushat. Për mendimin ne mund të marrim edhe ekspertët më të mirë të huaj. Këtë e kanë bërë edhe vende të tjera.

Ka pasur akuza për z. Meçollari, akuza për spiunazh. Si e shihni ju këtë çështje?

Duhet respektuar sensibiliteti i opozitës. Ka një arsye që ajo e bën këtë. Duhet të shikohet me seriozitet çështja. Dokumentet janë aty dhe duhen parë dhe nëse ka elementë duhen marrë në konsideratë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here