Ditët e fundit ka rimarë një hov të ri lëvizja kritike ndaj lidershipit të partisë Demokratike, e përbërë nga individë të së njejtës parti, të cilët më parë u lanë jashtë listave për deputetë në zgjedhjet parlamentare. Ajo që bie më shumë në sy në grupimin kritik dhe që duket se çon peshë zërin anti-Basha brenda partisë Demokratike është ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ose ndryshe e cilësuar si “zonja e hekurt” e selisë blu.
Përtej kontributit historik në PD, Topalli ishte deputetja me një staturë të spikatur gjate 4 vjecarit të kaluar, duke qenë një nga zërat më kritikë ndaj qeverisë “Rama 1” . Mospërfshirja e saj në listat për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit ishte zgjedhja që habiti më së shumit demokratët. E megjithatë staturën e saj prej kryesuesje e betejave Topalli vazhdoi ta mbante edhe pas largimit nga karrigja e deputetit. Ishte pikërisht Topalli, e para që doli hapur kundër Bashës, duke kritikuar fort dhe akuzuar për marrëveshjen që lidershipi i PD-së lidhi në 17 maj me kryeministrin Rama. Dhe ishte sërish ajo që dy ditë më parë i dha jetë sërish grupimit anti-Basha, i cili këto muaj dukej se ishte shteruar vetëm nën kritikat e zbehta në FB të Astrit Patozi. Në një intervistë televizive Topalli deklaroi se PD ka humbur identitetin e saj nën lidershipin Basha dhe se marrëveshja e 17 majit mes kreut të PD-së e Ramës vazhdon ende të jetë në fuqi. “Në fakt ata vazhdojnë marrëveshjen midis tyre dhe kur nuk e vazhdojnë rrisin presionin për të bërë një pazar të ri….”, tha Topalli duke shtuar se,: “Në asnjë vend të botës nuk do kishte ndodhur që qeveria të mos kishte rënë pas skandalit të ministrit të Brendshëm”.
Po ashtu Topalli nënvizoi rëndësinë që ka për vendin, një opozitë e fortë, në kushtet katastrofike dhe gjendjen e mjeruar që ndodhet sot Shqipëria nën qeverisjen e Ramës. “Qeverisja inekzistente që ka çuar në rritjen e varfërisë ekstreme, në boshatisjen e kombit nga shqiptarët, nga një vend që përmendet vetëm për drogë dhe ku çdo ditë qytetarët e saj lexojnë vetëm për vrasje, për vdekje për grabitje. Por kjo është gjysma e së keqes. Gjysma tjetër, ndoshta edhe më e rëndë është korruptimi i opozitës nga qeverisja e lidershipit të qeverisë”, do të shprehej ish-kryetarja e Parlamentit.
Dhe menjëherë pas këtij qëndrimi të Topallit, sot dolën në skenë edhe kundërshtarët e tjerë të Bashës, si Patozi e Bode, që këto kohë ishin mbërthyer nën guackën e reagimeve në rrjetet sociale. Patozi deklaroi se kishte rinisur takimet me elektoratin e djathtë dhe se aksioni politik i lëvizjes për “Ringritjen e PD’ do merrte hov më fuqishëm se kurrë më parë. Në qëndrimin e Patozit, nuk kuptohet nëse kjo lëvizje do përdorë të gjitha mjetet e metodat për t’u bërë e ndikueshme brenda PD-së apo nëse ajo do të përkthehet në një parti të re të spektrit të djathtë.
“Në takimet, ku mora pjesë së bashku me zotin Ridvan Bode dhe firmëtarë të tjerë të plaformës politike, kam ngelur i impresionuar nga kthjelltësia dhe motimi i shumë prej figurave me kontribute të veçanta në vite të atyre degëve të Partisë Demokratike. Ka një bindje të konsoliduar tek të gjithë që Partia Demokratike po humbet dita ditës terren për shkak te drejtimit te gabuar dhe nuk ka asnjë sinjal pozitiv që ky trend rrënues do të ndalet. Sipas tyre, nuk po bëhet as përpjekja minimale për ta bashkuar partinë, dhe ky është një fenomen, që fillon në Tiranë dhe mbaron në fshatin më të largët të Shqipërisë. Në këto rrethana, e vetmja rrugë është aktivizimi i të gjitha kapaciteteve të Partisë Demokratike, në funksion të një reformimi të thellë të saj. Në të gjitha takimet u theksua nevoja që Lëvizja për Ringritjen e PD nuk ka më asnjë arsye pse të presë “zgjimin” e Lulzim Bashës dhe se demokratët në gjithë vendin duhet ta marrin vetë në dorë fatin e tyre. Sipas tyre, zoti Basha, sa nga dashakeqësia aq edhe nga paaftësia, nuk ka ndërmend të marrë ndonjë hap për ta ndryshuar gjendjen, ndaj është e domosdoshme nisja e një aksioni të ri politik që do t’i kthejë të djathtës shpresën dhe besimin”, bëri të ditur Patozi.
Nga sa më sipër, kuptohet se këtë pranëverë do të ketë zhvillime të forta në selinë blu dhe me shumë mundësi në skenën politike do kemi një lëvizje të re. Nëse do jetë një parti e re apo një lëvizje ekstreme brenda PD-së mbetet për t’u parë. E megjithatë duhet nënvizuar se një lëvizje e tillë, cilido qoftë produkti i saj, me siguri do ketë më shumë rezultat e efikasitet, në kuadër të një të djathte të fortë, nëse ish-kryeparlamentarja do ketë një rol deciziv në të. Gjithçka mbetet për t’u parë në ditët e javët në vazhdim në kampin e djathtë e ndërsa një dilemë qëndron si çekan në krye të çatisë së PD-së.
Cili do jetë qëndrimi i liderit historik Sali Berisha ndaj këtyre zhvillimeve? Do mbështesë apo do qëndrojë indiferent ai ndaj krijimit të një partie apo lëvizje të re në të djathtën, e përbërë nga emra të cilët kanë qenë ndër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në të paktën 15 vitet e fundit?
Një paraqëndrim lidhur me këtë diskutim, Berisha e bëri të ditur vetëm dy javë më parë në një intervistë televizive, ku i bëri thirrje Bashës që të bashkojë edhe një herë të gjithë kontributet në PD. “PD ka nevojë shumë të bashkojë të gjitha kontributet. E konsideroj këtë si një nga mekanizmat më të rëndësishëm të suksesit të saj. PD duhet të bashkojë të gjitha kontributet nga viti 1990 deri sot. Ato janë pa asnjë diskutim një thesar i madh kombëtar”, theksoi Berisha duke përccuar një mesazh të qartë ndaj lidershipit demokrat.
Por grupi kritik ndaj Bashës, duke nisur nga Topalli, Patozi, Bode e deri tek Ruli e Bregu, mendojnë se kryedemokrati as që e ka si synim bashkimin e kontributeve, duke theksuar se ai po kërkon të mbajë në këmbë PD-në e krijuar pas marrëveshjes me Ramën. Nga ana tij kryetari i PD-së ka mohuar akuzat e ndërsa ka folur për “derë të hapur”, megjithëse veprimet konkrete në këtë kontekst kanë munguar. Mbetet të shohim në vazhdimësi se cila do jetë e ardhmja e kësaj turbullire në PD, megjithëse shanset duken fare të pakta që grupi kritik e lidershipi i partisë të gjejnë një zgjidhje të përbashkët. Do ketë parti të re apo lëvizje ekstreme?
©Standard.al