Timo Flloko: Të ruhet Teatri Kombëtar, shteti të ndërtojë një të ri

0
262

Kur u largova nga takimi me Timo Fllokon, mendova që biseda jonë nuk kishte qenë si ajo paraardhësja. Atëherë kishim folur për teatrin, për filmin, për mikun e tij të afërt… Bujar Lako kishte pak që ishte larguar nga jeta dhe Flloko, ndoshta edhe sepse nuk kishte qenë në Shqipëri për ta përcjellë, ishte i ngarkuar, jetonte nëpër kujtime. Mirëpo nuk ishte vetëm ngarkesa shpirtërore, që e bënte të përcillte emocione të plota, kur tregonte. Të gjitha kujtimet ishin të lidhura me skenën a prapaskenën.

Qoftë në tonalitet, qoftë në mimikë e gjestikulacion, dukej një lloj sigurie e vendosmërie tjetër. Sado që tregimet nuk kishin të bënin me profesionin si të tillë, por me marrëdhënien që ndërtohej mes aktorëve, përfshirja e tij ishte kryelartë, e artikuluar mirë, energjike… Këtë herë folëm për poezinë! Vetiu, bëhej gjithnjë një krahasim me teatrin, por drejtimi ishte “Kërcim në bosh”, libri i dytë me poezi, pas ‘Rob i manive’ i aktorit autor Timo Flloko. Aty për aty, nuk e kuptoje pse energjia që i kujtoja Fllokos, ndërsa shkonte me kujtime qytet më qytet të Shqipërisë, me bëma xhirimesh, nuk ishte më e njëjtë.

 

Ai vetë e përmendi disa herë se poezia ishte vetëm një pasion i tij, se nuk e konsideronte veten poet mirëpo ngjante si modestia e një emri që këndohet prej vitesh, gjithandej. Duhet të distancoheshe pak për të kuptuar se, në fakt, gjuha e trupit arrin të të plotësojë bisedën. Jo për shkak të pasigurive (që ishin kapërcyer me botimin e librit), Timo Flloko dukej i tërhequr deri në droje. Fliste me zërin e ulët të poezisë, sado ishte një gjuhë delikate, si e atij që nuk është në shtëpinë e tij, por ka zgjedhur të vizitojë vendin e tij të preferuar dhe të përcjellë prej andej shijen, siç e ka ndjerë, me të gjithë sensorët.

Flloko sillet me poezinë, si të rinjtë (e dikurshëm) me dashurinë e re. Nuk janë të sigurt, por të vendosur. U lexohet brishtësia, që do vetëm pak përvojë për t’u kthyer në bindje. Jo, se Timo Flloko i ka poezitë e para këto, që më në fund vendosi të botojë, por ngase i ka qëndruar rigorozisht besnik teatrit, i duket se e dashura e re do ta pikasë… një farë tradhtie.

Libri juaj i parë, ‘Robi i manive’ ka dalë në vitin 2003. Ju deshën 15 vite që të bindeshit për të nxjerrë një të dytë, apo marrëdhënia me poezinë s’është aq e qëndrueshme?

Jam fans i gjithhershëm i poezisë. E dua, sepse është natyrshëm e lidhur me profesionin tim… Poezia, dramaturgjia, gjuha e letërsia ecin në një drejtim. Nuk, se befas më lindi mendimi të merrem me diçka të çuditshme. Nuk e kam konsideruar veten poet, jo për një modesti të skajshme, por mendoj që jam më i denjë kur mbetem adhurues i saj. Poezinë e pëlqejnë të gjithë, është substrakt i artit, shtrihet kudo. Njësoj si ngjyra që i jep bukuri një vepre në pikturë, edhe në artin tim, edhe në rolet, edhe në fjalët, poezia është kudo, sepse autori edhe kur shpreh një gjuhë përmes personazhit ka elemente të substancës poetike.

Nënkuptohet që shkruani vazhdimisht, por jeni po aq përzgjedhës sa edhe rolet në teatër…
Jam natyrë perfeksioniste, gati maniake, po ta shqipërojmë! Kërkues ndaj vetes! Poezia lind si nevojë për të komunikuar në kohën bosh që kam, pas apo midis roleve, frymëzimi i saj më pasuron, më nxit edhe për një rol pasardhës. Sigurisht, poeti ka një profesion krejt individual. Nuk është si aktori që i caktohet data dhe duhet të jetë gati për premierën! Është ngarkesë shumë e madhe kjo, një art kolektiv, ku duhet të jesh tërësisht i koncentruar, në gjendje për të përcjellë emocione për publikun në skenë apo në kamera…

Këtu nuk më detyron askush që të shkruaj apo të ngutem… Një artist i famshëm i teatrit anglez, John Gilgud, thoshte se i kishte zili piktorët a shkrimtarët, që mund të zgjohen në 12 të natës dhe të korrigjojnë diçka në veprën e tyre. Shkrimtari mund të shkruajë, të grisë, të fshijë, njësoj edhe piktori. Edhe unë mund të frymëzohem në mesnatë, por para kujt auditori mund ta luaj rolin? Të shkruash poezi është në një kuptim art më komod, edhe pse jo më i lehtë, nëse ke diçka për të thënë, përmes frymëzimit. Poezia ka kohën e vet dhe kjo më ka bërë që ta vonoj paksa.

Edhe librin që ka dalë, nuk e kam hapur pas botimit, sepse mund të gjej gabime. Tek unë libri ka kohën e letargjisë tashmë, te lexuesi shpresoj të pëlqehet. Vjen një moment, siç erdhi që duhet të vendosësh. Duke pasur edhe një diskutim të frytshëm me Ilia Lëngun, mikun tim, që është edhe redaktori i librit, u bë më e lehtë. Më tha se libri është i mirë, mos nguro, ka ardhur koha e botimit. Ai ka qenë një nga ndikuesit për ta nxjerrë. Libri ka poezi të ndryshme, disa të botuara në kohë të ndryshme, që mendoj se qëndrojnë mirë bashkë.

Përmendët zilinë e artistit për ata që mund ta korrigjojnë punën në mesnatë. A ndodh edhe me ju kështu? A zgjoheni natën, nëse ju vjen diçka në mend për ta shkruar?
Jo, unë nuk zgjohem në mesnatë, por mendime më vijnë, lëvizin, padyshim! Ndonjëherë ka ide shumë të mira. Më ka ndodhur rrallë, atëherë kur jam përpjekur të gjej thelbin e një poezie. Kohët e fundit teksa shkruaja një poemth për dy nipërit e mi, Davidin dhe Xhonatanin, ngjau diçka e këtillë. Ka një moral ajo poezi, e shkruar padyshim në psikologjinë që i takon fëmijës. Unë aty afrohem e shkrihem me ta, psikologjinë e tyre, nuk shkëputem, si në motive më të rënda poetike përtej jetës. Kjo që kam shkruar për ta, është një skaj tjetër; nuk kisha kohë ta bëja më të shkurtër.

Vera ishte në Los Anxheles dhe kur e telefonova për t’i thënë se do botoj librin, por nuk kam bërë poezinë për Davidin dhe Xhonatanin, më thotë: “A je në vete?! Nuk do ta botosh librin, le të kesh lënë datë, nuk do ta bësh, nëse nuk është poezia për ta! Harroje!”. Unë e kisha nisur një poezi në celular dhe mendova se nëse e rikujtoja, mund ta bëja… Natën, në një moment, më erdhi në përfytyrim një zgjidhje poetike dhe, siç isha shtrirë, u ngrita dhe hodha vargjet, që i zhvillova të nesërmen… ishte në gjendje jo krejt e kthjellët.

Por kjo nuk është një situatë e zakonshme?
Jo, mendoj që ndodhi pak për shkak të trysnisë në të cilën gjendesha, datës që kisha caktuar e shtyrë disa herë.

Data e botimi, 14 shkurti, ishte e rastësishme?
Jo. Botuesja, më pyeste dhe unë vazhdoja ta shtyja. Data e parafundit, pas 2-3 panaireve, ishte Krishtlindja, por nuk arrita as atëherë, kështu që u la një datë tjetër që qëlloi të ishte kjo.

Ndërkohë, nga shtyrja në shtyrje, ndryshonte vazhdimisht diçka?
Sigurisht! Madje unë hoqa disa poezi, shtova të tjera… Lija ndonjë mënjanë, i rikthehesha. E kisha shumë problem renditjen. Librin e parë e kisha nisur me një poezi për babanë, këtë e nisa me një poezi për nënën, nuk mendova gjatë.

A i lexon dikush poezitë tuaja, sapo i mbaroni?
Pa e kryer atë që mendoj me poezinë, nuk e jap të lexohet.

Askujt?
Jo, askujt. Vetëm pasi e përfundoj, mund t’ia jap Verës ta lexojë apo dikujt tjetër, që i besoj në mendim e në shije.

Dy nga poezitë e këtij libri janë për vajzën, Lindën dhe për Verën. Mirëpo, duket sikur e humbet rëndësinë kushtimi i një poezie, nëse ia jep paraprakisht për ta ‘miratuar’. Efekti është tjetër kur e lexojnë. Si ka ndodhur në rastin e poezisë kushtuar Verës?
Ajo poezi ka nisur si një shtegtim… Lidhja, ndjenja njerëzore e dashurisë për njeriun që do, që ke një jetë, është thelbësore. Unë bëj një shtegtim në ato vargje, gjithmonë libri e ka këtë metafizikë, tema kryesore është ekzistenca që shkon edhe përtej kufirit të jetës, sepse edhe vdekja është pjesë e jetës, por që kalon në dimensione të tjera që nuk kemi si t’i dimë. Ka një vështrim imagjinar, një shtegtim për ta shmangur përkohësinë.

Unë e kam gjetur atë zonë, jashtë këtij planeti, ky është një shtegtim virtual, imagjinar, ku njeriun e dashur dua ta gjej atje, prandaj them që lë një shenjë atje. E gjej këtë si detaj, e vendos atë në hënë, ku nuk fryn erë, pikërisht për ta përjetësuar dashurinë. Këtë poezi, Verës, nuk ia kisha treguar. Ajo e përjeton poezinë, prandaj edhe ka dëshirë ta lexojë vetë, mundë- sisht ngadalë e heshturazi dhe reagon si një fëmijë, entuziazmohet, befasohet… Di të kuptojë se çfarë është e mirë. Madje, ajo thotë shpesh se aftësia e saj nuk është gjë, përveç të dalluarit se çfarë vlen dhe çfarë jo!

Në rastin konkret?
E lexoi poezinë ndërkohë që nuk ishim afër. Më tha që ishte shumë e bukur. Figura, pra, dy skajet e V-së që bashkohen në një pikë, i kishte pëlqyer. Prej një lloj gjendjeje të krijuar, ua kishte lexuar edhe dy-tre bashkëpunëtorëve që ishin gjendur me të.

Po Linda?
Lindës i nisa së pari vetëm poezinë e nipave, djemve të saj, ndërsa Vera ishte aty me të. U kishte pëlqyer, ia kishte përkthyer edhe bashkëshortit të saj dhe ishin mallëngjyer me finalen. Madje, unë e kam lehtësuar pak nga ndjenja e trishtimit, që mund të ndiejë njeriu kur kalon nga kjo jetë në një tjetër dhe s’i ka më afër njerëzit e dashur.

Në libër ka disa poezi të dedikuara…
Po, megjithatë tematikat e librit shtrihen më tutje se kaq, përtej raporteve të së rëndomtës, te qiellorja e thënë poetikisht, e jashtëzakonshmja, transgresivja… Ka dedikime për personalitete të ndryshme, miq, njerëz që mund të kem takuar gjatë jetës. Që nga Ali Podrimja, një poezi pas vdekjes së tij, etj..

Çfarë ndodh me autorin në momente si këto? Çfarë shihni te tjetri për ta bërë poezi? Është një tipar, një ngjarje… Sepse nuk mund t’i kushtosh dikujt asgjë më të bukur se kaq!?
Është ndjesi e çuditshme, lidhet sigurisht me njeriun. Nuk është e thënë që t’i kushtosh çdo të dashuri poezi, sepse unë kam pasur miq të afërt që nuk u kam kushtuar vargje, të paktën jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Mirëpo, lind diçka, një mbresë, një përfytyrim që bëhet shkak, një detaj, një veçori… Ndonjëherë, njeriu mund të mos jetë aq i afërt e megjithatë ndodh diçka, tërthorazi a drejtpërdrejtë, që të bën të shkruash, s’ka rëndësi, afër a në distancë, që shfaqet para sysh, pamje që ta sjell njeriun si vizion dhe imazh poetik. Një poezi e këtij libri nuk e përmend, por e nënkupton një mik që s’është më, të shtrenjtë e të paharruar tek unë. Pra, sillen motivet si shpirtra rreth meje, janë aty, me apo pa emër. Prania ose mungesa e njeriut, e ndjenjave, e mallit, e harresës, e kthimit a e moskthimit… të gjitha vijnë, mbeten ose ikin dhe nga kjo lëndë sa reale ose fantastike lind poezia.

A keni poezi, për të cilat mendoni se nuk do t’i botoni asnjëherë?
Jo për t’i mbajtur për vete, por ka poezi që i konsideroj të dobëta dhe nuk kam pse t’i ndaj. Kur e kanë të veçantën, atëherë po, mund t’i rivitalizoj, t’i kthej. Ka disa që mbeten, por nuk mendoj se vlejnë dhe mendoj se nuk do të bëhen ndonjëherë publike. Në poezi, unë nuk dua të jem përshkrues, e pëlqej metaforën, por duke qenë aktor e përfytyroj realitetin përmes raportit të sendeve dhe njerëzve.

Dikur, në rini, bëja poezi krejt abstrakte, nuk kishte histori brenda tyre, nuk kishte figurë. Për shembull, poema “Përtej jetës”, ka nisur shumë herët dhe ka qenë një nga gjërat që s’kam dashur ta botoj, ndërsa sot mendoj që ajo është shtrirë në kohë, ka gjetur shtratin e vet dhe koha e ka fermentuar (koha ishte tretësi i saj) është e punuar nga ana profesionale, krahas dilemave të mia rreth saj. Mendova se duhej shpëtuar mundi. Sigurisht, unë e gjeta veten aty… sot e pëlqej poemën, është krijesë e denjë.

A ka nisur gjithë kjo rrugë me poezitë e këngëve? Në fund të librit është edhe cikli i tyre…
Në natyrë, unë e kam atë shtysën për ta komunikuar, por me këngët tërhiqem. Kam pak turp…

Një aktor i turpëruar nuk ngjan shumë i besueshëm…
Pikërisht sepse jam aktor, një profesion që më njohin, kur dëgjoj të shkruhet apo thuhet se jam autor i tekstit të këngës(!), ndjej një farë zori, edhe pse i kam bërë me dëshirë e zbavitje, duke pasur bashkëpunime të mira me kantautorët. Në fillim, për tekstet e këngëve, njerëzit shprehën një farë habie…

Si ndodhi që bëtë tekstin e këngës së parë?
Kënga e parë ishte “Ylli im” që më vonë u bë duet i Pirro Çakos dhe Inva Mulës, më pas erdhi “Për një çast më ndali zemra” etj.. Ishte një sukses atëherë dhe kjo më bëri të mendoj se duhej të botoja një libër me poezitë e mia, që kisha shkruar në vite.

Nëse qëndronin vetëm në këngë, nuk kishin rëndësinë e duhur?!
Poeti i tekstit të këngëve është një krijues i frymëzuar e poet mirëfilli, imagjinoni Bob Dylan apo John Lenon, që kanë tekste e këngë të mrekullueshme. Teksti i një kënge ka teknikën, sekretet dhe misterin e vet; teksti e shpërndan më fort atë emocion që përcjell melodia, madje i jep integritet, përkatësi… Mendoni një këngë të njohur, mund ta perceptoni apo ta imagjinoni atë pa tekstin e vet?!

Në rastin e poezive të këngëve, drejtoheni nga kantautorët, si funksionon?
Ndonjëherë nis nga asgjëja, po dhe jo… Emocioni i këngës përcillet nga frymëzimi e shpirti i të dyve, i kompozitorit dhe poetit, të dy së bashku e krijojnë magjinë.

Ju nuk u bëtë pjesë direkte e zhurmave dhe debateve për prishjen ose jo të Teatrit Kombëtar, por me siguri e keni ndjekur… Çfarë mendoni se duhet të bëhet me të?
Të bëhet ajo që është më e mira, të ruhen vlerat kulturore e historike. Të ndërtohet një teatër i ri, unik. Nuk jam për përfshirjen e tij brenda një ndërtese shumëkatëshe, unë jam për një identitet, për një kujtesë historike. Kam nisur shkollën në oborrin e atij teatri dhe jam gjithmonë me mendimin e avancuar që teatri t’i shërbejë të ardhmes. Teatri aktual është i amortizuar, këtë e dimë të gjithë dhe nuk ka pse të qëndrojë. Gjërat ndonjëherë mbeten edhe në imagjinatë, por një projekt që pashë në televizion, ishte një ndërtesë që do të qëndronte më vete.

Të gjithë ne duam që të bëhet sa më mirë dhe të jetë një ndërtesë, që t’i shërbejë të ardhmes. Kur ajo që është, ishte një dopolavoro, rezistoi kaq shumë vite, atëherë, kjo që do të bëhet, duhet të jetë me të gjitha parametrat teknikë, arkitektonikë, pra, në kompleks, i duhuri! Përveç kësaj, Tirana po rritet përditë dhe mendoj që duhet të ndërtojë edhe teatro të tjera, gjithnjë, sipas mundësive që janë. Mund të jenë privat, t’i ndërtojnë njerëzit që janë të lidhur me artin, por Teatrin Kombëtar duhet ta ndërtojë shteti në mënyrën e duhur, sepse e meriton. / Burimi: Panorama-

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here