Në gjendje të rënduar psikologjike, 17-vjeçari Dejvi Lala pranoi vrasjen e Anxhelo Gjokazaj 16 vjeç duke shfaqur pendesë para trupës gjykuese.
“Më sulmoi vetë i pari, më goditi në kokë me celular, unë nxora thikën nga frika për tu mbrojtur. E qëllova nga frika, jam penduar shumë për veprimin tim, mund ta kisha shmangur” mësohet të ketë thënë ai.
Seanca për masën e sigurisë u zhvillua pa praninë e mediave për shkak se i arrestuari është i mitur, ndërsa gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë ‘arrest me burg’.
Ngjarja e rëndë që tronditi qytetin e Durrësit u regjistrua mesditën e 1 marsit 2018 në lagjen Nr.15, në Spitallë.
Dejvi Lala, pas një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me mjet prerës (thikë) Anxhelo Gjokazaj.
16-vjeçari u dërgua në spital, por pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha, nuk mundi t’u shpëtonte plagëve të marra duke ndërruar jetë.