Viti 2018 pritet të sjellë shitblerje të reja në tregun bankar shqiptar. Sipas burimeve nga tregu, Fibank ka nisur bisedimet për të blerë bankën e gjashtë më të madhe në vend, Tirana Bank. Si pjesë e strategjisë së vet të ristrukturimit, banka e Grupit të Pireut ka vendosur të shesë shumicën e aktiviteteve jashtë Greqisë, përfshi këtu bankën e saj në Shqipëri.
Blerësi i parë i interesuar edhe në këtë rast është Fibank, banka me kapital bullgar që në vitet e fundit ka nisur një cikël të rritjes së përmasave të veta, që synon ta finalizojë edhe me një blerje të rëndësishme. Në tre vitet e fundit, Fibank nuk arriti të fitonte garën për Credit-Agricole Shqipëri dhe të NBG Bank Shqipëri, të dyja të blera nga Banka Amerikane Investimeve, ABI Bank, duke mos fituar dot garën me një institucion bankar ku në krye të Bordit është gruaja e kryeministrit! Por, menjëherë mbas tentativës së dështuar për të blerë NBG, Fibank nuk ka humbur kohë dhe ka nisur negociatat për blerjen e Tirana Bank.
Për momentin, Fibank zë një pjesë ende të vogël në tregun bankar shqiptar, me rreth 1.4% të aseteve totale, ndërsa Tirana Bank zotëron rreth 5.4% të tregut. Një blerje e suksesshme do të bënte që Fibank të arrinte në rreth 6.8% të tregut shqiptar, duke u bërë banka e pestë më e madhe në Shqipëri.
Banka e Parë e Investimeve – Bullgari është banka e tretë më e madhe në Bullgari, ndërsa prej vitesh është e pranishme edhe në Shqipëri dhe Maqedoni. Ndryshimet strukturore në tregjet e rajonit, pas tërheqjes së disa prej grupeve bankare të Eurozonës, ka bërë që ky grup të mendojë të zgjerohet në hapësirat e lira të krijuara, qoftës përmes rritjes së biznesit të bankave të veta, por edhe përmes blerjes së bankave të tjera.