Tekat e Neymar Jr. nuk kanë të mbaruar. Braziliani, pas dëmtimit dhe eliminimit në Ligën e Kampioneve, duket se ka vendosur që të mos luajë më me Paris Saint Germain.
Raportohet se Neymar ka mbetur i pakënaqur me trajtimin që i kanë rezervuar tifozët e skuadrws, ndërkohë që raportet e tij me shumë prej futbollistëve të PSG janë të ftohta. Janë pikërisht këto arsyet që e shtyjnë Neymar që të kërkojë largimin nga transalpinët.Sipas asaj që publikohet në median spanjolle, sulmuesi 26-vjeçar është penduar për largimin e tij nga Barcelona për të shkuar në kampionatin francez. “El Mundo Deportivo” bën të ditur se Neymar i është vetëofruar klubit katalanas për një rikthim të tij në Camp Nou, por drejtuesit e Barcelonës e pritën shumë ftohtë këtë ide të tij, kjo edhe për shkak të mënyrës së largimit të tij nga nënkampionët e Spanjës.
Në mediat madrilene, e përditshmja “AS” këmbëngul në interesin e fortë të Realit të Madridit për Neymar. Por, problemi në këtë pikë qëndron te vlera e kartonit të futbollistit, pasi Paris Saint Germain nuk dëshiron të dalë me humbje nga këto tratativa, me francezët që pretendojnë të arkëtojnë nga shitja e tij një shumë vërtet të majme. Gjithnjë sipas “AS”, përfaqësuesit e Realit të Madridit kanë shprehur gatishmërinë për të paguar rreth 400 milionë euro për të bindur Al Khelaifin që të lejojë transferimin e brazilianit në kryeqytetin spanjoll.