Intervistoi: Aida Topalli
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht mbajtës i disa posteve të larta në qeverinë Berisha, Arben Imami, në një intervistë për “Standard”, hedh dritë mbi arsyet e mosmbajtjes së pozicionit të propozuar nga kreu i PD-së në mbledhjen e zhvilluar disa ditë më pare të Kryesisë. Njëkohësisht, Imami shprehet se ka paraqitur një platformë në mbledhjen e zhvilluar e cila do të ndihmonte në ringritjen e partisë, nëse do të miratohej. Sipas tij, kreu aktual nuk ka qëllim tjetër, dhe me politikat që po përdor, po e çon Partinë Demokratike drejt tkurrjes, madje edhe drejt një shbërjeje të saj. Më tej, ish-deputeti i PD-së, i pyetur për akuzat e bëra lidhur me financimin e Partisë Demokratike nga kompanitë ruse dhe një lidhje të saj me shtetin në fjalë, ai u shpreh se është i bindur që PD-ja nuk ka lidhje me politika të tilla dhe deklaroi besuëshmërinë ndaj deklaratave të Bashës. Më tej ai shtoi se lideri i PD-së, Lulzim Basha nuk duhet të fshihet pas partisë dhe nuk duhet ta politizojë një çështje të tillë, pasi kjo sipas tij, është një çështje personale e kryedemokratit.
Së fundmi Partia Demokratike mblodhi kryesinë e saj, në të cilën u mor vendimi për ngritjen e një grupi pune për “mbajtjen e kontakteve”. Z.Basha ju propozoi edhe ju si npjesë e këtij grupi pune, ndërkohë që ju nuk pranuat. Si e shpjegoni këtë?
Isha kundër ngritjes së grupit të punës dhe kundër kësaj procedure që u zgjodh, kështu që pjesëmarrja ime në atë grup pune ishte e pamundur. Në fakt ky është elementi më pak i rëndësishëm i kësaj historie. Sigurisht që pata edhe propozimet e mija, ku në themel të tyre qëndron respektimi i statutit të partisë për mbledhjen e një Kongresi të parakohshëm. Kryesia nuk mund të mbledhë një kongres të parakohshëm. Ky ishte një grup pune i ngritur nga kryesia thjesht për të marrë kontakt me disa anëtarë të partisë që janë shprehur në një platformë edhe në një statut. Kjo nuk ishte diçka thelbësore dhe politike. Propozimi që bëra unë, dhe që vazhdoj ta bëj, mundëson kompromis në një moment të vështirë politik brenda Partisë Demokratike.
Ju shkuat me një propozim konkret në mbledhje. Në çfarë koinsiston më konkretisht propozimi apo “platforma” juaj nëse mund ta quajmë të tillë?
Propozimi im është i qartë, të mblidhet Këshilli Kombëtar, të caktojë grupin e punës për organizimin e Kongresit, jo vetëm për të marrë kontakt me disa njerëz, përfshirë këtu edhe hartimin e një statuti të ri, ku palët jo thjesht do të dëgjohen, sikur është një hearing publik, por duhet të jenë pjesëmarrëse, pra të jenë pjesë e proçesit, qoftë ata që kanë propozuar një statut, qoftë ata që kanë propozuar një platformë. Në këtë mënyrë formohen kushtet e mirëbesimit dhe ka shanset që kongresi të shkojë drejt një arritjeje, që në thelb është bashkimi i partisë. Në të kundërt, po të veprohet kështu siç është marrë vendimi, kjo formalizon dhe legalizon mosbashkimin e partisë, pra përçarjën më tej të saj, prandaj unë nuk mund të isha pjesë. Kuvendi i mbledhur duhet të vendosë kushtet e domosdoshme për një votim normal, pikë së pari, për respektimin e zgjedhjeve në parti. Përshembull, zgjedhjet e fundit që janë bërë në parti, gjë që është bërë edhe publike, kanë krijuar dyshime të mëdha për mënyrën se si është zgjedhur kryetari i partisë. Pra, nëqoftëse do të përsëritet e njëjta formulë, këtu nuk ka asnjë lloj garancie që vota dhe mendimi i anëtarëve të partisë do të respektohet. Atëherë, sigurisht që nuk mund të jem dakord.
Çfarë nënkuptomi ju me bashkim të partisë Demokratike? Cilat janë kushtet e këtij bashkimi?
Ashtu sikurse është shprehur edhe kreu i Partisë Demokratike para disa muajsh, që problem kryesor i saj është bashkimi dhe ristrukturimi. Këtu përfshihet bashkëpunimi i të gjithë njerëzve që kanë kontribute, që kanë jetën e tyre në Partinë Demokratike, dhe që kanë qenë kritikë ndaj z.Basha. Do të ishte e arsyeshme që të gjendej një bazë e përbashkët pikëpamjesh, platformash dhe strategjish për të punuar së bashku në të ardhmen. Përndryshe, mungesa e këtyre ideve dhe rregullave e strategjish të përbashkëta, nuk mund të na bashkojë me Bashën.
Meqenëse ju përmendët Bashën, duke e bërë në njëfarë mënyre shkakun kryesor të të gjitha ngjarjeve në PD, ju jeni kundër liderit aktual të PD-së apo me gjendjen ku ndodhet Partia?
Edhe kundër liderit që e mori këtë vendim, edhe gjendjes që ai krijoi, me vendimin e tij. Vendimi u mor me shkelje, këtë e ka pranuar publikisht, por nuk po bën asgjë për ta riparuar këtë shkelje. U bë në shkelje të të gjitha rregullave statutore, u mor në shkelje të të gjitha rregullave etike që ndihmojnë në bashkëjetesën politike të një partie. Rregullat që kreu i PD-së shkeli janë fillojnë nga lista, që duhet të kalojë në Këshill Kombëtar, ose të paktën duhet të mblidhet kryesia, meqenëse është e pamundur mbledhja e këshillit për shkak të kohës. Z.Basha e mori përsipër vetë të gjithë listën. Por lista nuk bëhet vetëm, është shkelje e hapur e ligjit të brendshëm të partisë, i cili i mban njerëzit të lidhur bashkë, përndryshe kthehet partia në gjendje natyrore, bëhet njeriu për njeriun ujk.
Meqenëse e quani të parakohshme mbledhjen e Këshillit, a mendoni se kjo është një lëvizje e z.Basha për të rregulluar “gabimet” për të cilat folët edhe ju?
E parakohshme sepse kështu u shpreh edhe z.kryetar. Normalisht duhet mbledhur në vjeshtë, por po mblidhte tani në fillim të pranverës. Kjo është një lëvizje e vjetër e z. Basha për ta mbyllur përfundimisht partinë.
Çfarë nënkuptoni me “mbyllje të partisë”?
Mbyllje e partisë do të thotë që z.Basha së bashku me grupin e ri parlamentar që ka krijuar, i cili ka kualitet të dobët, është i përfshirë me skandale të njëpasnjëshme, me një pjesë të madhe të njerëzve që jane kontribues në Partinë Demokratike, janë larguar, do që këtë gjendje ta lokalizojë nëpërmjet kongresit të partisë. Domethënë që ata që u përjashtuan nga lista edhe të tjerë që kanë mendime kritike, largohen përfundimisht dhe nuk janë më pjesë e forumeve, që aktualisht janë, siç është Këshilli Kombëtar, kryesia e Partisë Demokratike. Kjo është gjendja dhe drejt kësaj po shkon. Janë disa zëra, të cilat janë të rëndësishëm për shkak të punës, të kontributit dhe të personalitetit të tyre, që kanë folur për këtë çështje. Sigurisht që problem kryesor në këtë rast është Partia Demokratike, aseti për të cilin diskutojmë, është një aset me vlerë për jetën politike të vendit, është një parti e madhe, e cila nuk mund të shkojë drejt mbylljes, regjimit apo drejt humbjes përfundimtare.
Dolët edhe tek ata që janë shprehur kundër Bashës, ku veç jush janë edhe personazhe të tjerë, dalë kundër. Ç’mendim keni për lëvizjen e krijuar nga Z.Patozi dhe z.Bode?
Unë kam respekt për këdo brenda Partisë Demokratike. Sigurisht e mbështes këtë lëvizje ashtu siç kam mbështetur edhe një lëvizje për statutin, ashtu siç kam mbështetur një lëvizje për kërkesën për dorëheqje të z.Basha. Çdo veprim, çdo mocion dhe çdo gjë që vë në lëvizje pozitive Partinë Demokratike ka edhe mbështetjen time.
A jeni i prirur të negocioni më tej, qoftë edhe për të arritur një marrëveshje me z.Basha?
Unë jam gjithmonë i hapur për të biseduar, për më tepër jam i interesuar që të mos ndërpriten edhe ato kanale komunikimi, që tani janë bërë shumë më të pakëta, siç është mbledhja e kryesisë dhe e forumeve të PD-së, për shkak se nuk ka tjetër rrugëzgjidhje, përveçse negociimit, bisedimit edhe arritjes së një mirëkuptimi mbi baza statutore, e theksoj. Nuk është fjala për mirëkuptim apo marrëveshje personale, por jam i interesuar që situata të vendoset në përputhje me statutin e partisë dhe me disa rregulla etike që bëjnë të mundur bashkëjetesën në parti.
Le të ndalemi tek një ngjarje e ditëve të fundit. Revista prestigjoze “Mother Jones” botoi një artikull, ku Partia Demokratike akuzohej për fiancim nga kompanitë ruse, duke lënë të kuptohet qartazi edhe një bashkëpunim me rusët. Si është parë kjo nga ju?
Pikë së pari kjo kërkon një shpjegim konkret. Fakti që një kompani lobimi në SHBA ka bërë dy kontrata në të njëjtën ditë, për dy çështje të ndryshme shqiptare, me dy palë, kjo është diçka e njohur dhe nuk erdhi tani nga “Mother Jones”. Një nga këto kontrata e ka nënshkruar partia Demokratike, kontratën tjetër nuk dihet ende kush e ka nënshkruar. Partia Demokratike ka nënshkruar një kontartë për 125 mijë dollar për fotografinë që u bë dhe për ndonjë takim, ndërsa kontrata tjetër ka qenë për promovimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane. Kontrata e parë është një kontratë e qartë, janë paguar para nga partia Demokratike, mund të ketë një diskutim që a vlen të paguash 125 mijë dollar për të bërë një fotografi? Nuk më duket shumë, shumë e mençur, megjithatë kjo nuk përbën shkelje ligjore, mund të jetë një shqetësim që dikush mund të ketë për çështjen. Këto ishin gjëra të njohura. “Mother Jones” ka bërë dy gjera, pikë së pari ka bërë një investigim, i cili është i sakë, sepse ka investiguar se kush fshihet pas “Biniatës”, që është kompania e cila ka bërë kontratën e dytë. Nuk gjendet, është e paqartë se cila është kjo kompani. Rezulton që është një kompani e krijuar nga dy kompani të tjera, të cilat janë kompani që drejtohen, të paktën formalisht, nga dy qytetarë rusë. Të vetmen gjë të re që ka thënë “Mother Jones”. Pjesa tjetër e asaj që ka thënë “Mother Jones” është një sulm politik dhe ideologjik ndaj Partisë Demokratike. Kjo është normale për një media të majtë, mund ta bëjë një sulm të tillë pavarësisht se nuk është shumë profesionale, që të thuash se një kontartë e tillë është paguar nga dikush që ende nuk dihet, të thuash që Partia Demokratike është e financuar nga rusët. Unë nuk besoj, jam gati i bindur që këtu nuk bëhet fjalë për financime nga rusët. Nga ana tjetër, duket qartë që ata që kanë bërë kontartën e dytë, pra “Biniata”, janë një infrastrukturë për paratë e pista. Infrastruktura e parave të pista kontrollohet masivisht nga rusët dhe sigurisht shërben ehde për influence politike, kjo nuk përjashtohet. Por, këtu bëhet fjalë për këtë infrastrukturë.
Po për sulmin e Partisë Socialiste, lidhur me këtë çështje, ç’mund të thoni?
Shoh një sulm nga Partia Socialiste, e cila do të përfshijë Partinë Demokratike në tërësi, kjo nuk qëndron. Nëqoftëse Partia Socialiste është e vendosur që të lutojë kompanitë “Ofshor” dhe paratë e pista në Shqipëri, pikë së pari duhet të shohë Abi Bank, ku ka më shumë se një nga themeluesit që janë kompani “ofshor” dhe që dyshohet se janë të lidhur me rusët. Kjo është një bankë e rëndësishme, e cila është e liçënsuar dhe në bordin e drejtorëve të saj bën pjesë bashkëshortja e kryeministrit, gjë që tregon një lidhje të qartë të parave të pista, të lidhura me pushtetin këtu në Shqipëri. Por edhe në këtë rast nuk do të thoja që çdo socialist në çdo fshat të Shqipërisë është i lidhur me paratë e “fëlliqura” të kontrolluara nga kompani offshore. Prandaj këto gjeneralizime janë të padrejta. Por, para të pista në Shqipëri, që kontrollohen, është një problem serioz.
Ndërkohë, Basha ka akuzuar se “Mother Jones” është financuar nga Soros, duke dalë më tej edhe në aludime se edhe kryeministri shqiptar ka bërë një pagesë kundrejt kësaj reviste prestigjoze që një shkrim i tillë të botohej. Si shpjegohen këto akuza? Keni ju një mendim?
Lidhur me akuzat se “Mother Jones” se është inspiruar dhe financuar nga Soros-i unë mendoj që këto z.Basha nuk mund tja thotë njeriu sepse është e qartë veprimtaria e tij dhe bashkëpunimi i tij me Soros-in, duke përfshirë një fakt që është publik, ku ai ja besoi hartimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, që është një proçës shumë i rëndësishëm politik dhe ligjor për qytetarët e këtij vendi, të cilët kanë zgjedhur kuvendin e tyre, partitë e tyre për ta bërë këtë gjë, një grupi socialistësh që ishin thjeshtë të Soros-it. Këtë gjë e bëri në takimin e zhvilluar në PD me Soros. Ato që thotë për Soros-in nuk i beson njeri, dhe kthimi i kësaj në një luftë ideologjike është sërish një gjë që nuk e blen askush. Edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë paguar me dieta nga Soros-i për këtë gjë. Anëtarët e grupit teknik, që të gjithë janë në borderonë e Soros-it në mbështetje të reformës. E gjithë reforma është bërë nga Soros-i, është e mirë apo është e keqe është çështje tjetër, por që është bërë nga Soros-i formalisht kjo është e qartë. Ashtu siç ëhstë e qartë që ambasadori amerikan, së bashku me organizatat e Soros-it në Shqipëri, para dy vitesh bëri një protestë kundër Parlamentit shqiptar për Reformën në Drejtësi. Këto janë fakte të thjeshtë dhe të njohura.
Pse duhet ta bënte “Mother Jones” një shkrim të tillë, sipas jush?
Dalim tek hapi tjetër, pasi thamë se çfarë ka thënë “Mother Jones” dhe që është një kompani investigimi krejtësisht e majtë. Duhet të kemi të qartë një gjë, që dialektika e pluralizmit është pikërisht kjo: “Të majtët ju nxjerrin të palarat të djathtëve, të djathtët ju nxjerrin të palarat të majtëve”. Çështja qëndron tek fakti. Lidhur me faktin se kush e ka bërë atë pagesë, z.Basha e ka deklaruar qartë dhe unë jam i prirur ta besoj që ai nuk ka dijeni. Nëqoftëse z.Basha ka deklaruar se nuk ka dijeni, nuk është përgjegjës për këtë gjë, nuk ka arsye pse të sulmohet. Por edhe z.Basha në vlerësimin tim bën të njëjtin gabim që bën edhe pala tjetër. Kjo është një çështje personale, nuk përfshin partinë. Basha nuk duhet të fshihet pas partisë, në kuptimin që ai e ka bërë deklaratën e tij të qartë dhe nuk ka nevojë të nxjerrë njerëz të tjerë që ta shtrojnë çështjen në emër të PD-së. Çështja është, kryetari i Partisë Demokratike e ka nënshkruar apo jo? Ai thotë jo, unë e besoj, çështja mbyllet. Politizimi krijon shqetësime dhe pikëpyetje të panevojshme.
Prokuroria ka hapur çështjen, FBI-ja ka hapur çështjen dhe çështja do të zgjidhet. Sigurisht që sekretari i partisë mund të thirret normalisht përsa ka ai në dijeni për fondet e partisë, meqenëse ky i fundit përgjigjet për çështjet e manaxhimit administrative dhe financiar, dhe pyetet për sa ka dijeni për këtë çështje. Sigurisht që z.Ristani ka dhënë përgjigjet që ai di, ato që i ka thënë edhe publikisht.
A qëndron ky sulm?
Por sulmi i “Mother Jones” që përfshin partinë Demokratike të financuar dhe të drejtuar politikisht nga rusët, nuk qëndron. Sulmi i PS-së këtu, nuk qëndron, por edhe mbrojtja e Bashës, duke mos qenë mbrojtje perdsonale, megjithëse e ka bërë mbrojtjen personale dhe për këtë më vjen keq. Çështjet penale janë çështje personale. Dhe kjo në fund vërtetohet, për më tepër kjo është një çështje që është po investigohet nga SHBA-ja, e vërteta do të dalë, kështu që në këtë rast mendoj se duhet pritur e vërteta, duhet përjashtuar në mënyrë totale ndikimi rus në të tërën e partisë Demokratike. Nuk shoh ndonjë arsye, por sido që të dalë, PD-ja nuk është e përfshirë në këtë gjë.