Pas një sëmundje të rëndë është ndarë nga jeta mbrëmë në Cyrih të Zvicrës, koreografi, piktori dhe udhëheqësi shumëvjeçarë i Shkollës së vallëzimit “Shota” në Zyrih, Agron Bajrami.
Bajrami ka udhëhequr shoqatën për më shumë se 25 vite, duke organizuar me qindra prezantime në mbarë Zvicrën dhe vende të ndryshme të Evropës.
Shoqata “Shota” ka qenë ambasadori më i mirë i kulturës shqiptare të shprehur përmes valles, jo vetëm në Zvicër ku ka qendrën, por edhe gjithandej Evropës.
Vitin e kaluar kjo shoqatë në shenjë pakënaqësie më mosmbështetjen e Ministrisë së Diasporës dhe Qendrën Kulturore të Republikës së Kosovës në Zvicër, kishte ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi.
Bajrami në shenjë pakënaqësie atëherë kishte shkruar:
Qëndrimi indiferent i institucioneve të Republikës së Kosovës ka ndikuar që këto shoqata të zhgënjehen në to jo pak. Kulmi i zhgënjimit (në këtë rast flas vetëm në emër të Shkollës shqiptare të vallëzimit “Shota” në Zvicër) u arrit kur Ministria e Diasporës në vend se shoqatat kulturore shqiptare në Zvicër t’i mbështeste sadopak financiarisht, qoftë edhe simbolikisht, vendosi që përmes një tenderi, për arsyet që ajo vetë i dinë, për “Ditët e Kulturës Shqiptare në Diasporë”, me llojin e procedurës “i negociuar”, pa publikim të kontratës, që në fakt në këtë tender është negociuar vetëm çmimi në vlerën 17.900€, pasi konkurrentë nuk ka pasur fare, t’i jipet Fisnik Ademit, njërit nga “Tre gjermanët e trashë”, mik i Kushtrim Sheremetit.
Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota” në Zvicër e sheh si keqpërdorim të mjeteve publike në emër të diasporës, prandaj e indinjuar me këtë veprim dhe me mospërfilljen që ministria tregon për shoqatat kulturore në Zvicër, kjo Shkollë ka marrë vendim që për më tutje ta ndërpres çdo bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe me Qendrën Kulturore të Republikës së Kosovës në Cyrih.
Atë që Serbia për 25 vjet rresht nuk arriti ta shkatërrojë ketë shkollë dhe simotrat e saj, Ministria e Diasporës me Qendrën Kulturore të Republikës së Kosovës, me heshtjen dhe injorimin e vet po don ta realizojë për një kohë të shkurtë.