Ka vdekur në moshën 96-vjeçare Oskar Gröning, ish-zyrtari i “SS”, i njohur edhe si llogaritari i “Auschwitz”-it.
Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja gjermane “Spiegel”. Në vitin 2015, Gröning ishte dënuar me 4 vite burg se kishte bashkëpunuar në vrasjen e 300 mijë personave në kampet naziste.
Në dhjetor, gjykata federale kishte dalë në përfundimin se, ish-zyrtari ishte në gjendje të përballonte dënimin, duke hedhur poshtë një apel të paraqitur për motive shëndetësore nga avokatët e tij.
Gröning kishte kërkuar edhe faljen, por kërkesa ishte hedhur poshtë më 17 janar. Gjatë procesit, ai i kishte kërkuar edhe ndjesë popullit hebre.
“Bazuar në opinionin e ekspertëve, Gjykata e Lartë rajonale pretendon se i dënuari është në gjendje të kryejë dënimin, pavarësisht moshës së tij të shkuar”, shkruhej në vendimin e gjykatës, sipas të cilit masa parandaluese të përshtatshme mund të adoptoheshin për çdo lloj nevoje specifike të lidhur me moshën.
Vendimi ishte konfirmuar dhjetorin e kaluar në mënyrë përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese, por Gröning ishte ende në arrest shtëpie. Ai ndodhej në spital në momentet e fundit të jetës dhe nuk e kishte nisur ende dënimin e tij.
Ish-ushtaraku i “SS” kishte si detyrë sekuestrimin dhe kontabilizimin e parave të të internuarve, që më pas vriteshin apo përdoreshin si skllevër, e dërgimin e tyre te eprorwt në Berlin. Gröning e kishte pranuar gjatë gjykimit se ishte moralisht fajtor për punën që kishte bërë në “Auschwitz”.