E tashmja dhe e ardhmja e Ballkanit – boshti i sigurisë rajonale apo një fushë e re shahu gjeopolitik?

0
182

Presidenti Meta ishte folësi kryesor në Panelin e veçantë dedikuar Ballkanit në Forumin e 6-të Global të Baku-së me temë: “E tashmja dhe e ardhmja e Ballkanit – bosht i sigurisë rajonale apo një fushë e re shahu gjeopolitik”.

Në fjalën e tij Presidenti Meta theksoi se projekti ynë i përbashkët, pavarësisht ndasive dhe konflikteve të së kaluarës, është integrimi në Bashkimin Evropian.

“E ardhmja e përbashkët e qytetarëve tanë në Ballkan, varet nga vetë vendet tona, nga aftësia jonë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes me më shumë zhvillim dhe prosperitet për popujt tanë” – nënvizoi Presidenti Meta.

Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se “projekti evropian, pa zgjerimin e plotë të BE-së në rajonin e Ballkanit, është një punë e papërfunduar. Paqja, stabiliteti dhe siguria e rajonit të Ballkanit nuk mund të merret e mirëqenë. Rajoni ynë në të shkuarën ka përjetuar luftra të përgjakshme sa herë që ka shërbyer si fushë beteje për interesat e fuqive të mëdha.”

Në fjalën e tij Presidenti Meta u ndal edhe në projektin madhor TAP, duke theksuar se “Realizimi i gazsjellësit TAP është një kontribut jo vetëm për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, por edhe me impakt strategjik për interesat ekonomike dhe të sigurisë energjetike të vetë BE-së”.

Duke iu referuar çështjeve të sigurisë, Presidenti Meta, nënvizoi se zgjerimi i NATO-s me vende si, Mali i Zi dhe potencilisht Maqedonia, dëshmon për një vullnet dhe mbështetje solide e të qartë të Aleancës dhe veçanërisht të SHBA-së për rajonin e Ballkanit.

Presidenti Meta nënvizoi në fjalën e tij se fatkeqësisht, sfidat e përditshme ekonomike të vendeve tona në epokën aktuale të globalizmit po frymëzojnë valë të reja të emigrimit masiv drejt BE-së, sidomos mes të rinjve të kualifikuar. Kjo “hemoragji e trurit” drejt Europës po krijon pasoja të shqetësuese për të ardhmen e shoqërive tona – theksoi Presidenti Meta.

Lidhur me zhvillimin e rajonit, Presidenti Meta, vlerësoi se Ballkani ka qënë ndër shekuj dhe do të jetë “nyjë lidhëse” e Lindjes me Perëndimin, duke shtuar se, ne inkurajojmë dhe mirëpresim investime nga të gjitha fuqitë emergjente ekonomike. Natyrisht ato nuk mund të përplasen me axhendën tonë të përbashkët Euro-Atlantike dhe me aspiratat demokratike të qytetarëve tanë.

“Në kohën e globalizimit, suksesi i ekonomive tona do të garantohet kur tregjet rajonale të integrohen shpejt dhe kur investimet e huaja nuk njohin kufij dhe barriera artificiale. Në kushtet e një tregu ballkanik dhjetra milionësh konsumatorë, nuk duhet të humbasin energji për tu përplasur me njëri-tjetrin, duke fragmentizuar tregun dhe duke dobësuar ekonomitë tona. Konkurrencën nuk e kemi me njëri-tjetrin, apo brenda rajonit tonë, por me kohën dhe sfidat e globalizimit.” – theksoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta shprehu gjithashtu bindjen se vendet e Ballkanit nuk do të dëshironin të ishin “protagonistë” në “fushën e re të shahut gjeopolitike”, ku përfitimet e shpejta ekonomike të momentit mund të rrezikonin paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e shoqërive tona. Destinacion final i vendeve të Ballkanit është BE.

“Strategjia e re e zgjerimit e BE-së duhet të shoqërohet me veprime konkrete. Çdo hezitim dhe çdo vonesë, apo vakum, do të plotësohet nga faktorët e tjerë, të cilët do të përpiqen të shfrytëzojnë frustrimin e  njerëzve” – u shpreh Presidenti Meta.

Fjala e Presidentit të Republikës, Ilir Meta,  në Panelin e Forumit Global të Baku-së me temë:  “E tashmja dhe e ardhmja e Ballkanit – boshti i sigurisë rajonale apo një fushë e re shahu gjeopolitik”

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Ky është Forumi i gjashtë Global i Bakusë, çfarë tregon se tashmë është kthyer në një platformë të konsoliduar diskutimi për çështje të rëndësishme dhe aktuale në shkallë globale.

Nuk është rastësore, që e tashmja dhe e ardhmja e Ballkanit vazhdojnë të qëndrojë si çështje kokëfortë në tryeza të ndryshme.

Dilema e shprehur në temën e këtij paneli, e shpreh shumë qartë këtë edhe 100 vjet pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore.

Kjo është sa pesimiste aq edhe optimist !

Pesimiste sepse tregon që shqetësimi dhe pasiguria për Ballkanin nuk janë shuar ende pas kaq vitesh angazhimi ndërkombëtar.

Eshtë edhe shenjë optimizmi, përsa kohë besohet dhe shtrohen alternativa të zgjidhjeve që do të mbyllnin përfundimisht ciklin e prodhimit të historive alla ballkanike.

Të nderuar miq,

Shqipëria është një shtet modest por me ndikim të rëndësishëm në Ballkan, për faktin e thjeshtë se shqiptarët janë diku shumicë dhe diku pakicë në disa shtete të rajonit.

Rajoni ka kaluar një periudhë të gjatë  instabiliteti pas luftrave të ish-Jugosllavisë, por sot jemi në një kapitull tjetër të historisë tonë, të paqes, stabilitetit, dhe të bashkëpunimit.

Fatmirësisht, sot projekti ynë i përbashkët pavarësisht ndasive dhe konflikteve të së kaluarës është integrimi në Bashkimin Europian.

E ardhmja e përbashkët e qytetarëve tanë në Ballkan, varet nga vetë vendet tona, nga aftësia jonë për të nxjerrë mësime nga e shkuara e hidhur,  për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes me më shumë zhvillim dhe prosperitet për popujt tanë.

Shqipëria dhe vendet e tjera Ballkanike e kanë të qartë se opsioni dhe destinacioni i vetëm për ruajtjen e paqes dhe garantimit të progresit ekonomik dhe social është anëtarësimi sa më i shpejtë në BE.

Nuk ka mëdyshje, se projekti Europian është “një punë e papërfunduar” pa zgjerimin e plotë të BE-së në rajonin tonë.

Paqja, stabiliteti dhe siguria e rajonit të Ballkanit nuk mund të merret e mirëqenë.

Rajoni ynë në të shkuarën ka përjetuar luftra të përgjakshme sa herë që ka shërbyer si fushë beteje për interesat e fuqive të tjera.

Paqja dhe stabiliteti kanë triumfuar sa herë që ne kemi bashkëpunuar  me njëri-tjetrin, duke krijuar konkurencë të shëndetshme dhe duke zhvilluar ekonomitë e vendeve tona.

Rajoni ynë nuk është imunë nga kërcënimet globale të terrorizmit, të sulmeve kibernetike, apo të rrezikut eminent të fuqizimit të krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme ndërkombëtare.

Në planin politik strategjik, Ballkani për herë të parë në historinë e tij po kalon një periudhë paqeje dhe po shëron plagët e së kaluarës.

Falë mbështetjes dhe përkushtimit të veçantë të BE-së, Serbia dhe Kosova janë angazhuar në një dialog konstruktiv që në finale shpresojmë të kurorëzohet me marrëveshje për marrëdhënje normale mes dy vendeve.

Greqia dhe Maqedonia janë më  afër se anjëherë arritjes së marrëveshjes për  zgjidhjen e “çështjes së emrit” të Maqedonisë, duke i shërbyer përmirësimit të mëtejshëm të klimës politike rajonale.

Nga ana tjetër, Shqipëria, përmes projektit strategjik të gazjellësit TAP, të Korridorit të Jugut, i cili sjell gazin natyror nga fusha e Shah Denizit në Kaspik drejt tregut europian, u bë pjesë e hartës globale të tranzitimin të gazit duke ridimensionuar dhe fuqizuar pozitën e saj gjeo-politike dhe të sigurisë energjitike në rajonin e Evropës Juglindore.

Realizimi i TAP është një kontribut jo vetëm për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, por me impakt strategjik për interesat ekonomike dhe te sigurisë energjetike të vetë BE.

Zgjerimi i  NATO-s me vende si Mali i Zi dhe potencialisht me Maqedonia, dëshmon për një vullnet dhe mbështetje solide dhe të qartë të Aleancës dhe veçanërisht të SH.B.A për rajonin e Ballkanit.

Stabiliteti politik rajonal nuk është i vetmi kusht I mjaftueshëm për të patur zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Duhet forcuar shteti i së drejtës, duhet përmirësuar klima e biznesit për të thithur më shumë invetime të huaja që krijojnë vende pune dhe mirëqënje për popujt tanë.

Fatkeqësisht, sfidat e përditshme ekonomike të vendeve tona në epokën aktuale të globalizmit po frymëzojnë valë të reja të emigrimit masiv drejt BE-së, sidomos mes të rinjve të kualifikuar.

Kjo “hemoragji e trurit” drejt Europës po krijon pasoja të shqetësuese për të ardhmen e shoqërive tona.

Ballkani ka qënë ndër shekuj dhe do të jetë “nyjë lidhëse” e Lindjes me Perëndimin.

Ne inkurajojmë dhe mirëpresim investime nga të gjitha fuqitë emergjente ekonomike. Natyrisht ato nuk mund të përplasen me axhendën tonë të përbashkët Euro-Atlantike dhe me aspiratat demokratike të qytetarëve tanë.

Në kohën e globalizimit, suksesi i ekonomive tona do të garantohet kur tregjet rajonale të integrohen shpejt dhe kur investimet e huaja nuk njohin kufij dhe barriera artificiale.

Në kushtet e një tregu ballkanik dhjetra milionësh konsumatorë, nuk duhet të humbasin energji për tu përplasur me njëri-tjetrin, duke fragmentizuar tregun dhe duke dobësuar ekonomitë tona. Konkurrencën nuk e kemi me njëri-tjetrin, apo brenda rajonit tonë, por me kohën dhe sfidat e globalizimit.

Strategjia më efikase, edhe në planin e sigurisë rajonale, do të ishte krijimi i një “Tregu të Përbashkët Ballkanik” dhe hartimi i një “Platforme të Unifikuar të Investimeve Strategjike”, ku i gjithë rajoni të shikohej si një treg i vetëm për biznesin e korporatave multinacionale apo për projektet madhore me impakt rajonal, siç është dhe rasti i gazsjellësit TAP.

Sikurse, një rol më pro-aktiv i BE-së në financimin e kësaj axhende ambicioze ekonomike me projekte konkrete rajonale të interkonektivitet në fushën e transportit dhe energjetikës, do të kishte një impakt direkt në përshpejtimin e reformave dhe të progresit ekonomik për të gjithë rajonin.

Prandaj, sot jam i bindur se vendet e Ballkanit nuk do të dëshironin të ishin “protagonistë” në “fushën e re të shahut gjeopolitike”, ku përfitimet e shpejta ekonomike të momentit mund të rrezikonin paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e shoqërive tona.

Destinacion final i vendeve të Ballkanit është BE.

Padyshim ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të realizuar reformat e nevojshme, por edhe BE duhet të jetë më e vendosur dhë më e qartë në mbështje të 6 vendet të Ballkanit përëndimor.

Strategjia e re e zgjerimit e BE-së duhet të shoqërohet me veprime konkrete. Cdo hezitim dhe cdo vonesë, apo vakum, do të plotësohet nga faktorët e tjerë, të cilët do të përpiqen të shfrytëzojnë frustrimin e  njerëzve.

Në mbyllje, humanistja e madhe shqiptare, Nënë Tereza, ka thënë “E djeshmja ka ikur, e nesërmja nuk ka ardhur akoma, ne kemi në dorë vetëm të sotmen”. Le të vazhdojmë të punojmë për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë dhe të begatë për Ballkanin.

Një Ballkan më i sigurtë do të thotë një Europë më e sigurtë!

Ju faleminderit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here