Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi priti në një takim përfaqësues të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë vizitës së tyre në vendin tonë.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së i njohu përfaqësuesit e FMN-së me zhvillimet më të fundit të tregjeve nën mbikëqyrjen e Autoritetit, në veçanti tregun e titujve dhe fondet e investimeve.
Në takim, u vu theksi tek puna e Autoritetit në drejtim të përmirësimit të bazës ligjore dhe konsolidimit të kuadrit rregullativ për një menaxhim sa më të mirë të rreziqeve, rritjes së transparencës e rolit mbikëqyrës të Autoritetit dhe mbrojtjes së investitorëve.
Gjatë takimit, u diskutuan çështje specifike që lidhen me fondet e investimit dhe Bursën, duke u ndalur tek rëndësia e vijimit të forcimit të kapaciteteve mbikëqyrëse.
Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan punën e bërë deri tani nga Autoriteti, duke shprehur interesin për strategjinë 5-vjeçare për zhvillimin e tregjeve nën mbikëqyrje.