Për arsye ende të paqarta, sistemi GPS (Global Positioning System) ka qenë i çakorduar në një pjesë të mirë të qiellit të Nikosias duke shkaktuar probleme të mëdha në qarkullimin si në ajër, det ashtu edhe në tokë.
Problemin më të madh e patën kompanitë e avionëve, të cilave iu desh që të operonin me një sistem tjetër pasi herë pas here sistemi GPS dilte nga funksioni apo jepte të dhëna jo të sakta.
Po ashtu, të njëjtin problem hasën edhe fluturimet ushtarake apo anijet në det, të cilave iu desh të gjenin forma të tjera alternative për koordinimin.
Mediat qipriote raportojnë se ka dyshime të forta se problemi ndodhi kur në ajër ishin avion amerikan dhe rus me teknologji të sofistikuar, por në rrjetet sociale flitet edhe për një “armë” elektronike të fshehtë të Turqisë, e cila ka bërë një sulm ndaj sistemit të GPS në aeroportin e Nikosias.
Madje, përdoruesit e rrjeteve sociale janë më të prirur që të besojnë këtë version më shumë se sa problemet që mund të ketë patur ndonjë satelit apo ato që lidhen me fluturimin e avionëve ushtarak amerikan dhe rus në zonë.