A po goditet Fatos Lulo për qëndrimet kundër Edi Ramës
Brenda pak ditësh një kryebashkiak, përfaqësues i opozitës, një ish-anëtarë dhe një anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ndodhen nën hetim nga ajo që cilësohet “drejtësia e re”.
Në të dyja rastet kjo drejtësi ka goditur kundërshtarët e Edi Ramës dhe ndoshta kjo nuk është rastësi, kur brenda 72 orësh dy emra të njohur ndodhen ose kërkohet hetim.
Fran Frrokaj, Kryebashkiaku i Lezhës, u arrestua nga policia me urdhër të Prokurorisë, pasi gjykata kishte caktuar masën e sigurisë me burg. Dy ditë më pas e njëjta gjykatë, me të njëjtën gjyqtare, ndryshoi masën e sigurisë nga burg në arrest shtëpie, pa dhënë ndonjë shpjegim sepse u vendos si masë paraprake ajo e arrestit.
Pa kaluar shija që la operacioni prokurori-polici në Lezhë, sot ndaj një ish-anëtari të Kushtetueses është kërkuar proçedimi penal.
Besnik Imeraj dha dorëheqjen me 31 janar për arsye personale, çka do të thotë se proçesi i vettingut për të ndërpritej, kjo të paktën sipas Kushtetutës dhe ligjit të miratuar.
Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka referuar pranë Zyrës së Prokurores së Përgjithshme të gjithë dokumentacionin që rezultoi nga hetimi administrativ gjatë procesit të rivlerësimit të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj.
Po sot ka ndodhur edhe goditja e radhës e Edi Ramës, për të çuar statistika në BE, që gjoja qeveria e tij e ka nisur vettingun dhe luftën ndaj korrupsionit.
Por goditjet selektive të Edi Ramës bien në sy menjëherë. Deri më tani janë goditur ose të zgjedhur të opozitës ose gjyqtarë që i kanë dalë kundër Ramës. Ky rast ishte edhe goditja e Fatos Lulos ditën e sotme nga KPK-ja e famshme e formuar nga vetë Edi Rama.
Në të gjitha rastet zyrtarët e përballur me ‘drejtësinë e re’ kanë drejtuar gishtin nga Kryeministri Edi Rama.
Kryebashkiaku i Lezhës u arrestua në mënyrë spektakolare me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Por nëse për këtë akuzë shumë funksionarë apo përfaqësues vendorë që i përkasin forcës politike të Kryeministrit ndiqen në gjendje të lirë, Fran Frrokaj u arrestua. Kjo masë ndalimi nuk ndodhi me asnjë prej funksionarëve, përfshi këtu edhe ish-ministrin e Brendshëm, apo drejtues të policisë që sot ndodhen në kërkim, të akuzuar për lidhje me trafikun e drogës apo grupe kriminale.
Në rastin e ish-anëtarit të Kushtetueses Besnik Imeraj, vetingu është ndërprerë pasi ai është dorëhequr, masë kjo e përcaktuar edhe me ligj.
“Kjo që po ndodh nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore. Që kur Edi Rama dhe qeveria bëjnë kontrollin e gjyqtarëve, çdo gjë është e qartë. Unë jam në rregull dhe nuk kam asnjë problem me ligjin dhe Kushtetutën. Kjo e gjitha është e motivuar politikisht”, është shprehur Imeraj në një reagim, pas njoftimit nga KPK.
Po sot Rama dha edhe shembullin tjetër të goditjeve selektive me Fatos Lulon.
Çfarë po ndodh atëherë? A ka nisur Edi Rama një gjueti shtrigash ndaj atyre që mund t’i cilësojë si kundërshtarë apo janë të tillë?
E nëse për Frrokajn, kryebashkiakun e Lezhës, goditja i vjen sepse është përfaqësues i PD-së dhe kundërshtar politik i Ramës, në rastin e Imerajt duket se “hakmarrja” vjen nga fakti se ish-anëtari i Kushtetueses ka qenë ndër ata gjyqtarë që kanë kërkuar interpretimin nga Komisioni i Venecias lidhur me reformën në drejtësi.
Një gjyqtar me një eksperiencë 40 vjeçare, Imeraj u përzgjodh për të qene pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por u tërhoq. Sot ndoshta ish-anëtarit të Kushtetueses do t’i duhet të përballet me ‘drejtësinë e re’ për faktin e vetëm se mund të jetë në listën e personave të padëshiruar apo që cilësohen si armiq e kundërshtarë të Ramës.
Dhe nëse kjo është arsyeja, atëherë nuk është e vështirë për të kuptuar se si do të vijojë lista…