Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama në një prononcim për mediat ka deklaruar se e vetmja përgjegjëse për aplikim të dy standardeve ndaj institucioneve të drejtësisë është mazhoranca aktuale.
Prononcimi për mediat i Zëvendëskryetarit të LSI Luan Rama
Zoti Rama, a keni një koment, për Kolegjin e Apelimit që shkarkoi një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese duke e lënë këtë fjykatë me 4 anëtarë me mandat, nga 9 që duhet të ketë?
E para; nuk ia lejoj vetes të komentoj vendime që marrin trupa kushtetues dhe që kanë mandatin të gjykojnë dhe vlerësojnë mbi gjithë sistemin e drejtësisë.
Së dyti, dua të theksoj përpara jush se është alarmant kolapsi në të cilin gjendet sistemi i drejtësisë për shkak të bllokimit të korumeve ligjore të trupave të vendimmarrjes. Ajo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese është paradoksalisht skandaloze, ashtu siç është skandaloze gjendja edhe në Gjykatën e Lartë. Në fund të fundit ky është produkti i mungesës së vizionit që në projeksionin e Reformës në Drejtësi.
Nxitimi për ta perdorur reformën për demagogji ka çuar në këtë produkt dhe kjo është padyshim përgjegjësi e drejtpërdrejt e mazhorancës në rradhë të parë si trupa që ka kartonat e vendimmarrjes. Dhe nga ana tjetër dëshmon se në çfarë situate paradoksale gjendet i gjithë sistemi ynë i drejtësisë.
A ka një propozim për zgjidhje LSI?
Propozimi i LSI, ka qenë konsistent dhe i pandryshueshëm që në momentin kur për shkak të LSI, u miratuan ndryshimet kushtetuese dhe paketa e Reformës në Drejtësi, e cila ka në bazament bashkëpunimin dhe bashkëveprimin parlamentar, për të ruajtur frymën e konsensusit dhe të ndërveprimit me transprencë në të gjitha etapat e vendimmarrjes.
Ju jeni deshmitarë, opinioni gjithashtu e di tashmë që KLGJ-ja, KLP-ja dhe trupat e tjerë janë miratuar me arrogancë në mënyrë të njëanshme. Janë miratuar duke mandatuar në këto trupa individë me kredenciale të dyshimta, me probleme në zbatimin e ligjit. Dhe për shkak të integritetit të tyre është kompromentuar edhe integriteti i këtyre trupave vendimmarrëse.
Z.Rama ju jeni që të zgjidhen pa Vetting,anëtarët e Gjykatës Kushtetuese?
Jo,pretendimi që vetingu po e bllokon procesin është abuzim, ne kemi qenë të vendosur madje kemi insistuar dhe me hapa ligjorë që çdo individ kudo ku emërohet apo kudo ku zgjidhet duhet të shkojë në detyrë pasi të ketë kaluar procesin e vetingut.
Kjo gjë ka ndodhur për shkak të shkeljes së Kushtetutës, moszbatimit të ligjit dhe pa dashur t’u referohem rasteve konkrete, kjo në fakt është dëshmi e papërgjegjshmërisë së mazhorancës.