Kryeministri grek, Alexis Tsipras, ka dërguar mesazhin më të ashpër në drejtim të Ankarasë që prej përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve.
“Turqia duhet të heqë dorë nga kërënimet dhe provokimet e vazhdueshme. Jemi përballë një ndryshimi thelbësor të sjelljes së saj në rajon. Greqia do të vazhdojë të mbajë të hapur kanalet e komunikimit për të bashkëpunuar dhe përballur me problemet që na shqetësojnë, por duhet të jem i qartë; Greqia është e vendosur që të mbrojë sovranitetin dhe të drejtën e saj kundrejt çdo kërcënimi”, deklaroi kryeministri grek në një konferencë për shtyp me Presidentin qipriot, Nicos Anastasiades.
Tsipras tha se Turqisë duhet t’i bëhet e qartë edhe nga Bashkimi Europian se provokimet e vazhdueshme nuk sjellin përfitim, as për atë vetë.
Pas vizitës së Erdogan në Greqi në dhjetor të vitit të kaluar u duk se raportet mes dy vendeve do të hynin në një erë të re, por pak javë më vonë disa incidente me anije në Egje dhe më pas kapja e dy ushtarëve grekë në tokën turke riktheu gjuhën e ashpër mes Athinës dhe Ankarasë.
Dy ushtarët grekë mbahen ende të burgosur në Turqi. Greqia thotë se kalimi i kufirit prej tyre ishte aksidental, ndërsa Ankaraja thotë se po hetohet për të përcaktuar nëse kalimi ishte aksidental apo i qëllimshëm.