Sekretari organizativ në Partinë Demokratike, Eno Bozdo, kundërshtoi vendosjen e taksës në rrugën e Kombit, duke e cilësuar atë të pavend jo thjeshtë për ngarkesën ekonomike, por edhe për faktin që qeveria këtë shumë e ka mbledhur në mënyra të ndryshme.
“Koncepti i konccesionit në kohën kur qeveriste PD kishte të bënte me mirëmbajtjen, që nga rruga, sinjalistika. Ajo që po ndodh sot është e pavend, jo thjeshtë për ngarkesën ekonomike, por edhe për faktin që qeveria këtë shumë e ka mbledhur në mënyra të ndryshme. Do mjaftonte vetëm 30% e kësaj shume për të mirëmbajtur rrjetin rrugor parësor, dytësor e tercial të gjithë Republikës së Shqipërisë. Për çfarë do përdoret taksa e re?
Kjo qeveri s’ka mbaruar ende rrugën Lin-Pogradec. Buxheti i shtetit nuk paska para për të mbaruar atë rrugë që ka 5 vjet. Le të vendosë një tra gjithandej e të mbledhë taksa. Të paguajnë ata që e përdorin rrugën. Duhet të paguajë ai që e përdor rrugën për tregti etj, jo dikush që e bën rrugën 1 herë në 5 vjet. Ç’kuptim ka të vendosësh një tra për të mbaruar rrugën tjetër. Është e vështirë të fillosh tarifimin në një rrugë kur nuk ke krijuar një mënyrë tjetër, tha Bozdo në studion e News 24.
Duke e cilësuar tarifimin shumë të lartë, Bozdo tha se 10 euro për një automjet të ulët, 33 euro për mjetet që transportojnë mall për tregtim, është një masë për të ndaluar tregtinë mes Shqipërisë e Kosovës.
“Kjo është një taksë që do rëndojë banorët që udhëtojnë, por do ketë ndikim edhe në tregtinë mes dy vendeve. Nga një anë Rama kërkon bashkim doganor e president të përbashkët, e papritur gdhihemi me një taksë që do i vendosë ngushtë banorët e dy vendeve. Nuk shoh asnjë arsye që mund të ketë një pikë pro për këtë taksë. Kjo është gafa e radhës e kryeministrit”, u shpreh Bozdo.