Ende pa kaluar 24 orë nga vendimi për aplikimin e tarifimit të “Rrugës së Kombit” prej qeverisë shqiptare vazhdon një furi reagimesh të ashpra, jo vetëm brenda vendit, por edhe nga faktorët kosovarë. Përveç politikës dhe opinionit publik,, edhe biznesi i shtetit të dytë shqiptarë shprehet i revoltuar nga ky hap drastik, që cenon rëndë aktivitetin e tyre me Shqipërinë. Sipas kreut të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhalliu, me taksën e vënë nga qeveria shqiptare rruga nuk meriton të quhet më “Rruga e Kombit”.
“Ky vendim është në kundërshtim me vendimet e qeverisë Rama, pra është kundër bashkimit të shqiptarëve dhe mbledhjeve të përbashkët të dy mbledhjeve Kosovë-Shqipëri. Kjo rrugë ka qenë bashkuese për shqiptarët dhe me këtë taksë që është shumë e lartë, ajo nuk e duhet ta ketë më këtë emër. Nuk jemi kundër pagesës së taksës së rrugës, por kjo që është propozuar dhe miratuar është njëra ndër më të lartat në rajon e Evropë”, deklaroi për këtë çështje në RTK, Gërxhalliu.