Sherefedin Shehu: Thonë se në pranverë ndërrohet gjaku, por në PD s’duket kështu

0
206

Nga Sherefedin Shehu*

A Eshtë “Autokritika Para Kolektivit” Marrje Përgjegjësie?

Thonë se në pranverë ndërrohet gjaku dhe përgjithësisht ajo sjell gëzim dhe harmoni mes njerëzve. Por në PD nuk duket kështu. Demokratët prisnin të mblidheshin për përkujtimin 22 Marsit, ditës së bekuar për shqiptarët në përgjithësi dhe demokratët në veçanti. Ndërsa Kryetari Basha vendosi që PD ta festojë këtë ditë me një përshëndetje virtuale. Uroj që ky të mos jetë nënvlerësim për demokratët dhe qytetarët që guxuan të votojnë kundër regjimit diktatorial, por vazhdim i reflektimit pas tentativës për të fshirë nga historia ditën e 20 Shkurtit të vitit 1991.
Mirë që tentativa dështoi, por demokratët nuk janë të qetë sepse askush nuk mori përgjegjësi reale. Kryetari i bëri bisht duke e transferuar përgjegjësinë tek Nënkryetari Spaho, por të gjithë e dinë që z. Spaho nuk është aq trim sa të marrë vendime në kokë të tij. Prandaj dredhia ishte shumë e trashë dhe shumica e demokratëve janë të shqetësuar për aksione të këtij lloji që kanë filluar më heret për të ç’bërë historinë e PD-së.
Nëse do të ishte një gabim i rastit apo thjeshtë papjekuri politike e udhëheqjes së nivelit të dytë të PD-së, që firmosi dhe paraqiti iniciativën në Kuvend, ishte detyrë e udhëheqësit të nivelit të parë, z. Basha, që të mbledhë strukturat e partisë dhe të sqarojë dhe qetësojë demokratët për këtë skandal? Apo z. Basha po teston reagimin e demokratëve me taktikën “gjuaj gurin dhe fshih dorën”.
A duhen kaluar këto faje politike në heshtje dhe pa u ndëshkuar? Apo mjafton që z. Spaho e mori përsipër përgjegjësinë, por pa përgjegjësi mbi vete, sepse nuk i hyri gjemb në këmbë. Marrje përgjegjësie do të ishte vetëndëshkimi ose dënimi nga strukturat vendimmarrëse të Partisë për fajin e bërë dhe jo “autokritika” prekëse para kolektivit. Dhe në këtë rast, marrje përgjegjësie do të ishte dorëheqja nga posti politik dhe në mungesë të saj shkarkimi nga ky post. Por ky rast u anashkalua dhe strukturat e partisë jo vetëm që nuk u mblodhën por as nuk u informuan. Dhe ndoshta për këtë z. Spaho u mjaftua me “autokritikën para kolektivit” (grupit Parlamentar i Kryetarit) mbasi dorëheqjen nuk ja kërkoi askush ose më mirë nuk kishte kush t’ja kërkonte.
Në mungesë të strukturave këtë duhej ta bënte Kryetari, por qëndrimi i tij tregoi se ai është autori i veprës. Dhe, ashtu si në rastet e tjera, edhe në këtë rast u zbatua modeli i tij për marrjen e përgjegjësisë. Ai e mori publikisht përgjegjësinë për hartimin e listës së kandidatëve për deputetë në shkelje të statutit të PD-së por pas humbjes katastrofike të kësaj liste nuk mori asnjë përgjegjësi konkrete. As dorëheqje nuk dha dhe as nuk u ndëshkua nga strukturat vendimmarrëse të PD-së.

*Shkrimi është botuar një ditë më parë nga Sherefedin Shehu në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”. Shehu është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, ish-zv/ministër Bujqësie dhe ish-deputet i PD-së, që hoqi dorë nga mandati për të kandiduar në zgjedhjet e parakohshme lokale për Bashkinë e Dibrës!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here