Një 28-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ishte në kërkim për vrasjen e dy shqiptarëve në Itali.
Ngjarja në fjalë ndodhi në qytetin Conegrate të Milanos në 10 nëntor të vitit 2016. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për Fation Stojanin, banues në njësinë administrative Ulëz-Mat, ndërsa akuzohet për vrasjen e shtetasve me inicialet A.Ll, 31 vjeç, A.LL, 38 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISE
Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për Vrasje me Dashje në Itali. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat, në bashkëpunim me Interpol Tirana, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, gjatë ditës së sotme në qytetin e Burrelit, kanë zhvilluar dhe finalizuar me sukses operacionin policor për kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Fation Stojani (Islamaj), 28 vjeç, banues në njësinë administrative Ulëz-Mat. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata Busto, Arsizio/Itali, ka lëshuar urdhërin e arrestit ndërkombëtar për veprën penale “Vrasje me dashje”, parashikuar nga nenet 81, 110, 112, 575, 577 të Kodit Penal Italian.
Maksimumi i dënimit “Burgim i Përjetshëm”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Ky shtetas me datë 10.11.2016, në qytetin Conegrate/Milano, Itali, ka vrarë me armë zjarri dy shtetasit shqiptar A.Ll, 31 vjeç, A.LL, 38 vjeç. Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol Tirana, po kryen procedurat e nevojshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.