Taksa e re e ”Rrugës së Kombit”, solli replika në sallën e kuvendit. Ish-ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto replikoi me ministrin Damian Gjiknuri, i cili ngriti në Kuvend pretendimet se për lidhjen e kontratës së koncensionarit për mirëmbajtjen e rrugës së kombit kanë qenë dakort edhe ish-ministrat e LSI-së të Transporteve. Nga foltorja e Kuvendit, Haxhinasto u ndal pikërisht tek tarifa e vendosur nga qeveria prej 5 eruosh për autoveturat, ku tha se “është vërtetë që dokumentat janë përgatitur me kohë, por porosia ishte e qartë: Tarifa të ishte nën tarifën mesatare të rajonit.”
Replika e ish-ministrit
Unë pa diskutim i përmbahem me përgjegjësi të gjithë veprimeve që kam bërë në kohën kur kam qenë Ministër, edhe për rastin konkret. Por dua të bëj disa sqarime, të cilat i konsideroj shumë të rëndësishme.
E para ka të bëjë me tarifën. Dua të shpjegoj që vërtet janë përgatitur dokumentat e konkurrimit në atë kohë, por porosia ka qenë shumë e qartë dhe e dokumentuar, që tarifa për kilometër të ishte nënmesataren e rajonit. Dhe po flasim për një tarifë nën 0.035 cent për kilometër. Aplikuar për distancën që ka kjo rrugë reth 110 km, I bie 3.85 euro. Shtoji dhe 20% po deshe është 4.62 euro. Unë e kam dhënë përgjigje për këtë, edhe kur jam pyetur në raste të tjera. Çështja e tarifës për të gjithë rrugën ka të bëjë me tarifën për kilometër. Këtë shikojeni edhe njëherë, këtë rivlerësojeni edhe njëherë.
Tani duhet të shtojë dhe diçka tjetër për hir të së vërtetës dhe për hir të transparencës me ata banorë dhe me ata qytetarë të zonës atje. Term ka qenë që banorët të përjashtohen nga taksa, term ka qenë që përdoruesit e shpesht të rrugës të kenë abone, që do të thotë që tarifa nuk do të jetë kjo që është vendosur, por që do jetë shumë më e ulët se sa kaq. Duhet të theksoj dhe investimet që duheshin bërë.
Rruga e re e Kukësit, kthesa e re e Kukësit drejt Morinës dhe përmirësimi i të gjithë skarpateve. Nëse kjo do të bëhet, unë i qëndroj përsëri atij qëndrimi që kam pasur që Rruga e Kombit e trajtuar me një taksë optimale është mënyra më e mirë se si mund ta kthejmë këtë rrugë kaq të rëndësishme, kaq vitale në gjëndje të qëndrueshme.