Akademiku Përparim Kabo pozicionohet kundër në debatin e ngritur nëse duhet të sensibilizohen gjimnazistët e Tiranës për nga anëtarë të komunitetit LGBT mbi bulizmin apo fenomene të eksperiencave të tyre.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në “News 24” “Doktori i shkencave filozofike”, tha se këto komunikime kanë ndikim në orientimin seksual të të rinjve. Nëse nuk bëhen studime të thelluara, apo nëse nuk ka programe nga specialistë të fushës, Kabo thotë se më shumë se sa mirë, iu bën dëm të rinjve.
“Kjo është njësoj sikur gjimnazistëve në shkollë do vinte t’ju fliste një astrolog për një fenomen astrologjie. Në rastin konkret është në konflikt interesi, pasi ata që bëjnë sensibilizimin nuk janë njerëzit e duhur që duhet të flasin për devijancën sepse ai që dëgjon është në moshën që e di gjininë por nuk e ka provuar seksin. Ai 12 vjeçari thotë unë jam djalë por a jam mashkull? Në këtë mënyrë ngjall kuriozitet të pakontrolluar. Kjo është biseda më e vjetër e historisë së njerëzimit, biseda që njeriu bën me trupin e vetë. Pa studime të thelluara, programe adekuate shkojmë të bëjmë mirë dhe bëjmë dëm”,- tha Kabo.
Sipas Kabos, karriera nuk mund të ndërtohet mbi orientimin seksual, pasi kjo sjell viktimizimin, siç sqaroi ai. “Identiteti i tyre është karriera e tyre dhe jo identiteti i tyre seksual. Kuadri ligjor e tejkaloi mentalitetin”,- shtoi Kabo.
Sa për të rejat e komunitetit LGBT në Shqipëri, Kabo tha se “Duhet të jenë shumë të kënaqur që një gjë e tillë u pranua në legjislacion”.
Më tej, akademiku iu bëri thirrje kolegëve arsimtarë, “që të jenë shumë të vëmendshëm në raste kur ka kontakte dhe biseda të tilla”.