Vrasja në Belgjikë/ Frroku dhe Marinaj humbasin gjyqin në gjykatën e Strasburgut

0
227

Mark Frroku ka humbur edhe një betejë tjetër me Drejtësinë. Por këtë radhë, jo me atë shqiptare. Ka qenë Gjykata e Strasburgut ajo, e cila ka refuzuar dje kërkesën e tij dhe të Kristjan Marinajt për t’u shpallur si persona, të cilëve proceset gjyqësore u janë zvarritur tej afateve të arsyeshme.

Ish-deputeti i Kuvendit shqiptar Mark Frroku, që tashmë po vuan në Shqipëri vitet e burgut për disa krime të natyrës financiare, ka marrë dje një vendim nga Gjykata e Strasburgut. Në fakt, nuk ka paditur në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut shtetin shqiptar. Ai i është drejtuar Strasburgut më 21 shtator të vitit 2010 kundër shtetit belg.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të njeriut njoftoi dje se më datë 6 mars 2018, një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarët Robert Spano (kryesues), Paul Lemmens, Işıl Karakaş, Nebojša Vučinić, Valeriu Griţco, Jon Fridrik Kjølbro dhe Stéphanie Mourou-Vikström ka marrë në shqyrtim padinë e dy qytetarëve shqiptarë. Bashkë me këtë njoftim, ajo ka zbardhur edhe vendimin e marrë duke rrëzuar padinë e Mark Frrokut dhe Kristjan Marinajt.

Identiteti
Dy qytetarët shqiptarë, konstaton Gjykata, kanë ndryshuar gjatë gjykimit të çështjes identitetet e tyre. Vitlindja mbetet e njejtë, përkatësisht 1972 dhe 1975, por në fillim ata kishin paraqitur paditë me dy emra të tjerë, si me shtetësi tjetër: Besnik Morina (Mark Frroku) dhe Arjan Bytyçi (Kristjan Marinaj), me pasaporta serbe.

Gjykata evidenton faktin se, pavarësisht nga fakti që e paditur ka qenë qeveria e Mbretërisë së Belgjikës, një ftesë nga ana e saj i është drejtuar në vitin 2015 edhe Ekzekutivit shqiptar që mund të paraqiste vërejtje apo plotësime të veta, në rast se e dëshironte një gjë të tillë, duke qenë së fjala ishte tashmë për qytetarë shqiptarë dhe jo serbë apo kosovarë. Por Tirana zyrtare ka preferuar të mos ndërhyjë.

Ngjarja
Strasburgu rendit faktet si më poshtë. Më 5 mars 1999 një person që u gjet i plagosur rëndë pranë stacionit hekurudhor të Brukselit vdes nga plagët. Më datë 10 janar 2000 një gjyqtar nxjerr mandate arresti ndërkombëtar ndaj Frrokut dhe Marinajt, me emrat e mëparshëm. Marinaj u arrestua në Itali në nëntor 2002 për krime të tjera, ku mbante një tjetër emër. Ai nuk u ekstradua asnjëherë drejt Belgjikës. Ndërsa Frroku u arrestua në Holandë në maj 2002, edhe ai me një emër tjetër, edhe ai për krime të tjera.

Aty u dënua në dhjetor 2002, por u ekstradua drejt Belgjikës, ku dy vjet më vonë u vendos në paraburgim. Në shtator Frroku u lirua, por me detyrimin që të largohej nga Belgjika. Ndërkohë, më 14 mars 2007 Gjykata e Apelit e Brukselit urdhëroi sjelljen e Besnik Morinës dhe Arjan Bytyçit, me nënshtetësi serbe, si dhe tre të tjerëve, para gjyqit, si të akuzuar për autorë të vrasjes. Gjyqi nuk pranoi kërkesën e avokatëve të tyre për t’i përfaqësuar në mungesë, ndërkohë që duke filluar nga ky proces i fundit avokatët ngritën çështjen e tejkalimit të afatit të arsyeshëm të gjykimit.

Gjykimi
Ndonëse Gjykata e Apelit e Brukselit pranoi faktin që gjykimi i çështjes ishte zgjatur tej afateve, ajo vendosi që një gjë e tillë vetëm sa e avogëlonte dënimin, por, duke patur parasysh se ishte fjala për një vrasje në bashkëpunim, dënoi të akuzuarit me 10 vjet burg. Por ky vendim u hodh poshtë për çështje proceduriale nga Gjykata e Lartë, që e kthehu në Apel çështjen, ku ajo mbërriti në mars 2011. Në vitin 2012 çështja u shty se mungoi avokati për arsye shëndetësore, ndërkohë që në vitin 2013 ndodhi e papritura: Mark Frroku zgjidhet deputet i Parlamentit shqiptar. Por,konstaton Strasburgu, duket se autoritetet belge nuk e mësuan menjëherë një fakt të tillë. Më 2014 sërish avokati i Frrokut sëmuret dhe çështja shtyhet për në 2015.

Në fillim të vitit 2015 autoritetet shqiptare u informuan se ishte lëshuar një mandat arresti ndërkombëtar ndaj Mark Frrokut. Më 30 mars 2015 ministria shqiptare e Drejtësisë u përgjigj se nuk mund ta ekstradonte Frrokun, pasi ai nuk ishte serb, por shqiptar. Por shtonte se Prokuroria kishte vendosur ta ndiqte çështjen penale të tij në Shqipëri, duke kërkuar me këtë rast edhe dokumentacionin përkatës.

Më 2 prill 2015 Frrokut i hiqet imuniteti dhe një ditë më pas ai kalon në paraburgim për ngjarjen e Belgjikës. Pas këësaj, më 19 tetor 2015 Gjykatës belge iu bë e ditur se çështja do të konsiderohej përfundimisht e mbyllur, ëpr shkak të gjykimit të saj në Shqipëri. Në shkallë të parë në Shqipëri, më 22 prill 2017 Mark Frroku u lirua nga akuzat e ngjarjes së Belgjikës, ndërsa Kristjan Marinaj po ashtu ishte liruar më 15 mars 2017. Por Frroku u dënua për krime të tjera me 7 vjet e gjysmë.

Ankimi
Në padinë e tyre të vitit 2010 paditësit ankohen se nuk është bërë ndaj tyre një gjykim përfundimtar për ngjarjen e 5 marsit 1999. Ata pretendojnë se shteti belg ka shkelur të drejtën e afatit të arsyeshëm, të cilin e garanton Neni 6 paragrafi 1 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që specifikon: “Secili ka të drejtë për atë, që çështja e tij të trajtohet në një afat të arsyeshëm nga një gjykatë e cila të vendosë për faktin nëse janë apo jo të bazuara akuzat penale të sjella përpara saj”.

Afatet
Gjykata e Strasburgut konstaton se llogaritja e afateve nis për Marinajn më 29 nëntor 2001, kur ai u hetua në Itali lidhur me çështjen e Brukselit gjatë arrestit dhe më 6 maj 2004 për Frrokun, kur ky u ekstradua drejt Belgjikës. Deri më sot, ende asnjë prej tyre nuk ka një vendim përfundimtar në Belgjikë lidhur me atë çështje. Por Gjykata konsideron se periudha, për të cilën është ngritur padia, duhet të quhet e përfunduar më 10 korrik 2015, në momentin kur autoritetet shqiptare njoftuan partnerët e tyre belgë për synimin e vazhdimit nga ata të gjykimit të personave në fjalë në Shqipëri. Kjo nuk mund të quhet si një afat jashtë logjikës.

Megjithatë, Strasburgu konstaton edhe disa elemente, që kanë të bëjnë me vonesa në afate nga ana e Drejtësisë belge. Por, sipas atyre, dy paditësit nuk duhet të gjykohen më në Belgjikë, ndërkohë që gjykimi i tyre në Shqipëri ka qenë në afate të justifikuara. Pra, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mendon se zgjatja e procedurës nuk ka qenë e tillë që të konsiderohet si tej asaj që mendohst si afat i arsyeshëm.

E drejta për rekurs
Nga ana tjetër, Gjykata ka hedhur poshtë edhe pretendimin mbi shkeljen e Nenit 13 të Konventës, i cili ka të bëjë me atë që “Kushdo, të cilit të drejtat dhe liritë e njohura në (…) Konventë i janë shkelur, ka të drejtën për një rekurs të efektshëm në një instancë kombëtare, edhe kur shkelja do të ishte kryer nga persona që veprojnë gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare”./Shqiptarja.com/



Vendimi i Gjykatës së Strasburgut që rrëzon Frrokun dhe Marinajn

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here