Gjatë turit diplomatik në Afrikë, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç përjetoi një dramë të vërtetë teksa u përpoq të ushqehej me një specialitet lokal.
Ai është ndjerë keq teksa ka konsumuar një ushqim në përbërje të mishit të dhisë, një specialitet në Burkina Faso, çka e detyroi të përfundonte në spital për të marrë një serum.
Më pas gjendja e tij u përmirësua.
Daçiç udhëton shpesh në vendet afrikane me synim për të zvogëluar numrin e njohjeve të Kosovës.
Këto udhëtime në vende ekzotike dhe me klimë tjetër i kanë shkaktuar telashe kryediplomatit serb, i cili është detyruar të qëndrojë në shtëpi për dy ditë.
Në udhëtime të tilla duhet të kemi parasysh ushqimin, ndryshimet e klimës, ndryshimet kohore dhe ujin gjithashtu që mund të shkaktojnë vjellje dhe diarre.
Por shefi i diplomacisë serbe tani është mirë pas ndërhyrjeve të shpejta të mjekut, raporton “Kurir”.
Edhe vetë Daçiç për median në fjalë e ka pranuar problemin.
“Isha i lodhur. Hëngra diçka që trupi im nuk është mësuar. Nuk e di nga se ndodhi nga ushqimi apo nga diçka tjetër. Unë hëngra atë që të gjithë të tjerët hëngrën nga delegacioni, por … klima e Afrikës është ndryshe“, reagoi Daçiç.