Ndahet nga jeta Agim Karagjozi, ish-kryetar i Vatrës

0
271

U nda nga jeta në Long Island të Nju Jorkut Agim Karagjozi, ish-Kryetar i Vatrës dhe president nderi i saj. Ai ishte 92 vjeç.

Agim Karagjozi erdhi në SHBA në vitin 1956, pasi kishte përfunduar studimet në Robert College të Stambollit për inxhinjeri elektrike.

Zoti Karagjozi nisi të aktivizohet në Federatën Panshqiptare Vatra duke filluar nga viti 1960 dhe ka qenë kryetar i saj në vitet 1992-2010. Në mars 2010, për arsye shëndetësore, ai dha dorëheqjen si kryetar dhe Vatra e zgjodhi president nderi.

Agim Karagjozi do të mbahet mend për shpirtin atdhedashës, që shërbeu si frymëzim për anëtarët e Vatrës dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Ai dha një ndihmesë të dorës së parë për ruajtjen e vazhdimësisë së Vatrës dhe organizoi punën që gazeta e saj “Dielli” të dilte pa ndërprerje, megjithë vështirësitë financiare. Gjithashtu, zoti Karagjozi ishte ndër kontribuesit kryesorë dhe këmbëngulës që Vatra të kishte shtëpinë e saj.

Në pranverë të vitit 1999, zoti Karagjozi ishte në krye të një përfaqësie shqiptaro-amerikane që u takua me Presidentin Bill Clinton për të inkurajuar administratën të ndërhynte për të penguar shtypjen e përgjakshme ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Bashkë me shqiptarë të tjerë të Amerikës ai udhëtoi deri në Tropojë për t’u takuar me luftëtarët e plagosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhuruar medikamente dhe të holla.

Në intervistat që i ka dhënë Zërit të Amerikës, zoti Karagjozi ka shprehur dëshirën që Shqipëria të njihte përparim në rrugën e re të demokracisë dhe inkurajonte shqiptarët e Amerikës që të ndihmonin me të gjitha mjetet atdheun që po rilindte.

Agim Karagjozi do të mbahet mend si njeriu i përkushtuar, që luftoi deri në fund për të bërë detyrën ndaj atdheut, edhe në rrethanat më të vështira.

Shërbimi funeral do të organizohet të martën më 3 Prill ndërsa varrimi më 4 Prill. /VOA/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here