Pse tarifa për Rrugën e Kombit është Taksa “Vuçiç” për shqiptarët

0
299

Pse tarifa për Rrugën e Kombit është Taksa “Vuçiç” për shqiptarët

Para se Qeveria “Berisha” të vendoste që ta ndërtonte Rrugën e Kombit veç me paratë e buxhetit të shtetit, domethënë të takasapaguesve shqiptarë, bëri përpjekje për të marrë financime nga Bashkimi Europian dhe Banka Botërore. Të dy këta financues të rëndësishëm të infrastrukturës në Ballkan kundërshtuan me lloj-lloj argumentesh teknike por në thelb të kundërshtimit të tyre ishte nënkuptimi se bëhej fjalë për një projekt nacionalist shqiptar.
Në atë kohë, Qeveria shqiptare nuk ia arriti t’ i bindë as Bashkimin Europian, as Bankën Botërore se kjo autostradë ishte dhe në interes të Serbisë, pasi atë mund ta përdorte edhe Serbia për nevoja tregtare. A nuk iu kishte kërkuar Serbia që në 1913 dhe më pas në 1920, konferencave të fuqive të mëdha që rivizatonin kufijtë në hartën e Ballkanit, dalje në një port të bregdetit të sotëm shqiptar për nevoja tregtare? Ja ku i mundësohej kjo dalje me anë të kësaj rruge, kuptohet sipas rregullave ndërkombëtare të qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave.
Por atëherë, në vitet 2005-2006 Serbia heshtte duke mos pohuar interesin e saj për këtë rrugë. Sot është e qartë se arsyeja e heshtjes serbe ka qenë që Shqipëria dhe Kosova të mos merrnin financim ndërkombëtar për ndërtimin e kësaj rruge. Pasi Shqipëria dhe Kosova e ndërtuan rrugën me çmim të lartë, duke shpenzuar veç paratë e buxhetit të tyre shtetëror, pra paratë publike, Serbia nisi befas të shfaqë interes për autostradën e sapondërtuar Shqipëri-Kosovë, duke iu kërkuar institucioneve financiare dhe politike ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimit Europian, financimin e ndërtimit të segmentit në territorin e saj, nga Nishi në Merdare, në kufi në Kosovën, që të mund ta përdorte këtë korridor për dalje në Adriatik.
Si mjeshtra që janë në propagandë, serbët i venë këtij korridori një emër joshës për Bashkimin Europian, duke e quajtur Rruga e Paqes. Segmenti në Serbi i këtij korridori, nga Nishi në Merdarë është 77 km i gjatë dhe kushton 800 milion euro. Pjesa tjetër nga Beogradi në Nish është ndërtuar tashmë me financime të BE-së. Në zonën ku kalon itinerari i segmentit Nish-Merdarë terreni është tërësisht fushor, nuk është si terreni shumë i thyer malor i segmentit Rrëshen-Kalimash. Në segmentin Nish-Merdarë vështirë se duhet ndonjë tunel, në mos u sajoftë ndonjë, ura nevojiten pak dhe jo të gjata.
Kështu, pasi Serbia ka siguruar ndërtimin me financim europian të boshtit më të rëndësishëm rrugor të saj, atë që e përshkon Serbinë nga veriu në jug dhe që shkon përkitazi me Korridorin X paneuropian, Salzburg-Budapest-Selanik, duke kaluar nga Beogradi dhe Nishi, tashmë siguron edhe financimin për një zgjatim perëndimor të këtij korridori për të dalë në Adriatik.
Në këto rrethana Qeveria Shqiptare ka të drejtë që t’ i kërkojë kompensim financiar Bashkimit Europian për faktin që ndërtimi i Rrugës së Kombit u përballua vetëm me financim të shtetit shqiptar. Mënyra më e mirë për t’ u bërë ky kompensim është që BE të marrë përsipër koston afatgjatë të mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, për të cilën, sipas Qeverisë Shqiptare duhen 400 milion euro në 35 vjet, duke llogaritur dhe koston e përfundimit të kësaj rruge. Kjo do të ishte një kërkesë e moderuar nga ana e Qeverisë Shqiptare pasi përbën vetëm 40% të kostos së rrugës.
Por Kryeministri Rama e di se nëse shkon në Bruksel dhe bën një kërkesë të tillë, atëherë do të mërzitej miku i tij Presidenti i Serbisë, Vuçiç. Sepse nëse do të kishte edhe Shqipëria kërkesë për financim atëherë do të vështirësohej pranimi i kërkesës serbe. Kështu që Rama parapëlqen që më mirë të taksojë shqiptarët me atë që ai e quan jo taksë por tarifë për mirëmbajtjen e e Rrugës së Kombit dhe që në fakt është Taksë për mirëmbajtjen e marrëdhënies Rama-Vuçiç.
Kryeministri Rama u soll në këtë rast si kryetari i një republike vasale të Jugosllavisë së Re, i cili tregon bindje ndaj Beogradit. Sali Berisha dhe Lulzim Basha, kur ndërtuan Rrugën e Kombit e dëmtuan buxhetin e shtetit me 230 milion euro, gjë për të cilën Rama, atëherë në opozitë, i denoncoi politikisht me të drejtë. Por tani është Rama në pushtet, i cili në lidhje me këtë rrugë po e dëmton buxhetin e shtetit dhe të ardhurat e qytetarëve shqiptarë me 400 milionë euro së paku.
Ndërsa nga njëra anë Rama ia fal praktikisht Vuçiçit paratë që iu takojnë shqiptarëve, në anën tjetër ai iu grabit para të tjera shqiptarëve, duke keqpërdorur pushtetin e tij. Rama, i cili flet për mirëmbajtje të Rrugës së Kombit, ia dha koncesionin një prej oligarkëve më famëkeq të Shqipërisë së tranzicionit, Pëllumb Salillarit, një ish-faturino autobusi në Berat, kompania e të cilit nuk ka asnjë lloj përvoje apo ekspertize për mirëmbajtjen e autostradave, që ishte edhe vërejtja e Bankës Botërore. Kuptohet se oligarku plotëson më së miri një kusht, t’ i paguajnë Edi Ramës përqindjen e fitimeve të koncesionit, kontrata e të cilit është bërë sipas interesit të tij. Sipas kontratës, në thelb shteti ka detyrim ta kompensojë koncesionarin nëse nuk arrihet masa e caktuar e fitimit vjetor.
Tarifa për Rrugën e Kombit është në fakt taksa e parë e Jugosllavisë së Re dhe ajo do të rëndojë, jo vetëm mbi ata që do të qarkullojnë në këtë rrugë, por mbi të gjithë qytetarët e Shqipërisë për shkak të mënyrës sesi është formuluar kontrata në favor të oligarkëve koncesionarë.
Taksa “Vuçiç” për Rrugën e Kombit ka një qëllim të dyfishtë. Nga njëra anë synohet të mbyllet autostrada si korridor ndërshqiptar, në anën tjetër synohet që të vihet në përdorim pothuajse ekskluzivisht të Serbisë, që për nga leverdia që ka për dalje në Adriatik, e merr parasysh koston e shtuar të tarifës.
Protestat popullore ndaj tarifës për Rrugën e Kombit janë protesta e parë në Shqipëri kundër futjes së vendit në Jugosllavinë e Re, të cilën e ka shumë për zemër burokracia e Brukselit. Policia e Shtetit në aksionet e saj kundër protestuesve ka vepruar jo si Policia e Shtetit Shqiptar, por si Policia e Jugosllavisë së Re. Shkallëzimi i protestës kundër tarifës në Rrugën e Kombit si dhe kundër arrestimeve të protestuesve ka shumë rëndësi si pikënisje e aksionit qytetar dhe kombëtar për shpëtimin e Shqipërisë nga kyçja në Jugosllavinë e Re./Kastriot Myftaraj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here