Nga : Brikena Bogdo
“Ju s’keni mjaftueshëm pranga për të gjithë ne”, është një diçiturë e shkruar në mur, me bojë të kuqe (një nga ngjyrat më të preferuara të kryeministrit), pas prangosjes së protestuesve në Kukës. Kjo diçiturë është këmbana më e fortë, për kryeministrin Rama.
Ishin vitet e para të regjimit komunist, i cili me çdo mjet po tentonte të forconte pushtetin, me terror, paligjshmëri, vrasje pa gjyqe, arrestime pa fletë-thirrje natën. Në familjen time me shumë antarë të burgosur (njëri syresh, 7 ditë përpara dasmës, vetëm sepse nuk kishte denoncuarpër tentativë arratisje shokun e tij të ngushte, faj për të cilin vuajti 30 vite burg), dëgjoja shumë shpesh se si çdo natë, nuk vinin gjumë në sy, të tmerruar duke pritur, nëse do të binte atë natë dera me forcë, nga sigurimi, për t’i arrestuar, pa fletë-thirrje. Kjo ishte një metodë e huazuar nga Bashkimi Sovjetik, metodë e pëlqyer shumë nga diktatori Stalin. Këtë metodikë ai e shpërndau në të gjithë kampin komunist, përfshirë dhe Shqipërinë. Enveri e forcoi pushtetin, si pjesë e një kampi komunist.
Historia përsëritet më 1 prill të vitit 2018. Por, kur historia përsëritet, përsëritet si farsë. Së pari nuk jemi më, as vend komunist, as vend diktatorial. Arrestimet natën nuk do mund të intimidojnë askënd. Sot, Shqipëria është pjesë e NATOS-s dhe afër BE-së. Shpesh ambasada amerikane përsërit një frazë shumë të shkurtër, por që është thelbi i të gjithë fatkeqësisë, dhe tejzgjatjes së tranzicionit të kalimit, nga njëri sistem, në tjetrin, të mos efikasitetit të luftës antikorrupsion , ta paligjshmërisë, “Askush nuk mund të dalë mbi ligjin”.
Gjithashtu, kjo sjellje do të rezultojë gafa më e madhe e kryeminisrit. Ky intimidim është po aq rrenë sa dhe data 1 prill, datë në të cilën u arrestuan protestuesit kuksianë. Ky reagim, i pabesë e inatçor kryeministror, do të nxisë gjithmonë e më shumë protesta popullore. Zoti kryeministër! Nuk mund të prangosësh një popull të tërë, pasi nuk ke pranga për të gjithë. Nuk mund të zgjidhësh problemin e çastit dhe të mbrosh karriken, me paligjshmëri.
Shteti i fortë dhe shteti ligjor, ecin në progresion të drejtë, në vendet demokratike. Në regjimet komuniste, në vendet e korruptuara, shteti i fortë dhe shteti ligjor, nuk kuptojnë të njëjtën, por ecin në progresion të zhdrejtë. Ish-Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Lindjes ishin shtete të forta por ishin shtete diktatoriale antiligjore. Më 1 prill 2018, Rama tentoi shtet të forte, me paligjshmëri.
Avokati i Popullit pohoi se për disa të ndaluar nga protestuesit e Kukësit, nuk kishte urdhër arresti, në kohën, kur kishte kryer inspektimin. Avokati i Popullit bëri publik faktin, se të ndaluarit janë keqtrajtuar, duke mos u dhënë ushqim, deri pas drekës dhe rendit shkelje ligjore, të cilat prekin standardet dhe parime të sanksionuara në Kushtetutë. Organi i Prokurorisë në Kukës, nuk ka kryer procedurë hetimit, të pavarur dhe të paanshëm.
Këshilltarët Bashkiakë të Kukësit padisin prokurorët dhe policët që kanë lëshuar dhe ekzekutuar urdhër arrestet për protestuesit kuksianë. Në padinë e tyre ata ngrenë katër vepra penale, të kryera në bashkpunim midis prokurorisë dhe policisë, heqja e paligjshme e lirisë, shpërdorimi i detyrës, kryerja e veprimeve arbitrare, mosmarrja e masave për të ndërprerë gjëndjen e paligjshmërisë.
Shteti ligjor, tentativa për pushtete të stërzgjatura, dhe ndërgjegja, në një tranzicion të gjatë, janë në një konflikt të thellë me njëri-tjetrin. Një nga ish-krerët e Gjykatës së Lartë të Brukselit deklaronte se për mua e reëndësishme është të jem i lirë, i lirë nga vrarja e ndërgjegjes.
Përse në Shqipëri askënd nuk vret ndërgjegja për asgjë? Ku e ka fillesën paligjshmëria? Çfarë ndodh, nëse fuqia e ligjit kapet nga të fortët dhe paligjshmëria?
Në shtetet moderne parlamenti paraqet komponentin kryesor, të fuqisë së ligjit. Emërtimi parlament ka nisur në Francë, dhe si fjalë derivon nga frengjishtja „parlement“, që i referohet procesit të të folurit, pra është një vend ku promovohet, diskutohet, dialogohet, debatohet, për të arritur së fundi në një vendim politik.
Që në vitin 1500 një nga mbretëritë e Italisë lejoi pjesmarrjen në parlamentin e kohës, të shoqërisë civile. Sot, Franca e quan pjesmarrje qytetare. Tekstet e ligjeve janë të diskutuara në dëgjesa publike. Francezët mund të asistojnë në Pallatin Bourbon, në karriget e Asamblese Nancionale, ose në Pallatin e Luksemburgut, në karriket e senatit. Kalimi i ligjit në një dëgjesë publike në parlament, është një garanci për trasparencë, Trasmetohen në TV në “La chaîne parlamentaire” (kanalin parlamentar), në mënyrë që populli farncez te jetë në dijeni të përmbajtjes së ligjit.
Kjo dëgjesë popullore kulmon në Zvicër, ku çdo vendim, sado i vogël që lidhet me interesat e komunitetit, kalon në referendum popullor. Parlamenti shqiptar është shumë larg këtij fokusi, ku është arritur deri në tentim-vrasje (Azem Hajdari). Parlamenti shqiptar është në nivelet e kërcënimeve me jetë, apo xhestikulatura të fortësh, për rrahje, deri kapje për fyti, apo për xhaketash. Pse ka arritur parlamenti shqiptar në këto nivele, ku kërkesë imediate është dekriminalizimi? Hegel jep nëj koncept të tijin: “Parlamenti është një urë lidhëse, midis shtetit dhe shoqërisë civile”. Shtet ligjor, do të thotë prevalim i ligjit mbi çdo institucion dhe individ, me ligje të mirëdiskutuara të mirëkontrolluara.
Kjo është ajo çka po ndodh me Kukësin dhe më gjerë. Qeveria Rama, sot është një qeveri autoritariste, që nuk dëgjon askënd, për asgjë, duke prekur thellë interesat e çdokujt.
Në Shqipëri, ligji nuk ka kurrëfarë kontrolli. Së pari, e dimë se si zgjidhen parlamentarët dhe e dimë nivelin e tyre arsimor dhe juridik. Së dyti, ligjet e parlamentit shqiptar nuk kanë asnjë filtër, siç e kanë vende te tjera që e realizojnë, ose me ekzistencën e dy dhomave, ose me një përzgjedhje shumë të kujdesshme të parlamentarëve (Anglia ka edhe dy dhomat, por edhe maxhoritarin e pastër, që tashëm dihet që favorizon individin e fortë). Edhe institucioni i presidentit është inefiçent në kontrollimin e ligjeve, pasi ai ka të drejtë ta kthejë ligjin dy herë dhe herën e tretë, automatikisht, ligji kalon nga parlamenti.
Prokurori i Përgjithshëm, shumë i suksesshëm i Kroacisë, i cili arriti të burgosë një sërë politikanësh në vendin e tij, renditi një sërë pikash, për një sistem efiçent, por në krye të listës ai vuri kuadrin ligjor dhe rirregullimin e tij.
Ende, vendet e dala nga rregjimet e gjata dikatoriale me unifigurë në pushtet, vazhdojnë të prodhojnë politikanë që imponojnë deri në zgrip, pushtet të stërzgjatur, dhe sidomos interesa personale. Për këtë arsye, ndodhi përleshja popullore në vitet ‘90, për këtë arsye ndodhi rrëmuja e vitit 1997, për këtë arsye ndodhi 21 janari i vitit 2011, po për këtë arsye ndodhi në Kukës në vitin 2018. Pushtete absolute, për të mos dëgjuar kurrë, askënd dhe duke shkelur ligjin.