Paralajmëron deputeti: Të djegim mandatet, s’ka më kuptim nën hijen e kriminelëve…

0
275

Deputeti i opozitës, Nard Ndoka është shprehur hapur pro idesë së djegies apo dorëzimit të mandateve, pasi sipas tij kryeministri Edi Rama ka shkatërruar parlamentin dhe një mandat deputeti s’ka më kuptim nën hijen e kësaj maxhorance.
I ftuar në syri.net, Ndoka ka deklaruar se është i hapur ndaj idesë së dorëzimit të mandateve nga ana e opozitës, një propozim i hedhur fillimisht nga ish kryeministri Sali Berisha.

“Është folur shpesh për djegien e mandateve. Ky nuk është një parlament normal, Rama i ka hequr të drejtën e fjalës opozitës, dhe në këtë moment për çfarë na shërben mandati. Nëse ne dorëzojmë mandatet ky është fundi i kësaj maxhorance. Unë jam pro dorëzimit të mandateve, pasi nuk ka asnjë shans që ky kryeministër do të reflektojë. Ky është një kryeministër që nuk e kupton realitetin”, tha Ndoka.

Nga ana tjetër, Kreu i PDK-së ka deklaruar se jeta politike e Edi Ramës është drejt fundit, duke e lidhur ekzistencën e kryeministrit me ngjarjet e fundit në Kukës e sidomos protestën në Rrugën e Kombit.

“Qëndrimet dhe veprimet e Ramës po e detyrojnë dhe opozitën që të futet në pjesën e saj për një vendimmarrje të rëndësishme, edhe për marrëdhëniet që ne do të kemi me këtë kryeministër.

Ky është një kryeministër i papërgjegjshëm, i cili arriti kulmin duke u përballur me një realitet të trishtueshëm. Një kohë që qytetarët protestojnë për të drejtat e tyre ligjore asnjë pushtet nuk duhet të tregojë muskujt, por duhet të ulet dhe të mundohet të zgjidhe problemin.

Por ky bëri të kundërtën demonstroi forcën, duke i arrestuar natën. Në këto kushte qytetarët nuk e pranojnë më si kryeministër, por edhe për ne si opozitë e ka bërë të pamundur bashkëpunimin. Ne nuk po shohim asnjë shenjë reflektimi të këtij kryeministri.

Sepse çdokush mund të bëjë gabime, por njeriu gjen një lloj ekuilibri dhe Rama nuk e ka gjetur, jo vetëm me qytetarët por dhe me opozitën. Nuk na mbetet asnjë rrugë tjetër dhe ne si deputetë të opozitës, pasi opozita do të jetë zëri qytetar dhe mbrojtja e tyre përballë një shteti agresiv. Rama po kontribuon duke i shkurtuar jetën politike vetes dhe shumicës së kësaj mazhorance”, deklaroi Ndoka.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here