TIRANË– Teksa ndodheshin në protestë, anëtarët demokratë të Parlamentit dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim, janë njoftuar përmes një mesazhi për mbledhjen e Byrosë së Kuvendit.
“News24” mësoi se mbledhja ku do të shqyrtohet kërkesa që paraqiti një ditë më parë Lëvizja Socialiste për Integrim për përjashtimin e Edi Ramës nga Kuvendi, do të zhvillohet pasditen e sotme në orën 18:30.
Nëntë deputetë të LSI-së i kërkojnë Ruçit përjashtimin e kryeministrit Rama nga Kuvendi, për fjalorin e përdorur në seancën parlamentare të 29 marsit.
Më konkretisht, në fjalën e tij gjatë zhvillimit të kësaj seance kryeministri është shprehur si më poshtë:
“Nuk mundni dot ju të bllokoni asgjë dhe të pengoni asgjë, dhe për më tepër pastaj, jo po…, shiko këtu se do të ngrihen këta, do ngrihen ata. Kjo e ngritjes është, ‘thirri thirri të të ngrihet, ai i shkreti kokë ulur s’të përgjigjet dot’.
“Duke marrë shkas nga sjellja në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit të Kryeministrit Edi Rama, i cili në seancën plenare të datës 29 mars, me një gjuhë prej rrugaçi përdori fjalor fyes, përçmues e poshtërues ndaj deputetëve të Kuvendit dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë ju drejtohemi me kërkesën për përjashtimin e tij nga Kuvendi”, thuhet në kërkesën e LSI.
Lëvizja Socialiste për Integrim e barazon fjalorin e kryeministrit Rama me atë të një rrugaçi duke kërkuar përjashtimin në bazë të rregullores së Kuvendit me 10 ditë nga seanca plenare.