Një vit pasi prishi marrëveshjet hidrokarbure me konçensionarët e tre vendburimeve ekzistuese për prodhim dhe nxjerrje nafte, në Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shpalli sërish tenderin për t’i dhënë sërish tek privati këto vendburime.
Përmes një urdhëri që mban firmën e ministrit Damian Gjiknuri, kompania Albpetrol autorizohet të ndjek procedurat për të lidhur marrëveshje të reja për këto tre vendburime të naftës.
Dokumenti saktëson se kompanitë e interesuara për të marrë në dorëzim vendburimet e naftës në Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë kanë afat për të aplikuar pranë Albpetrol deri në 31 mars të këtij viti.
Sipas njoftimit të ministrisë aplikimet do të kalojnë në lupën e një grupi të posaçëm negociatorësh që do të ngrejë kompania Albeptrol, me përfaqësues të ministrisë së energjisë.
Por vetëm pak ditë pas datës së mbylljes së afatit të dorëzimit në Gorisht të Vlorës janë shfaqur përfaqësuesit e kompanisë kineze, Shandong Kerui Petroleum Equipment Co Ltd.
Siç shikohet në foton ekskluzive të siguruar nga Tpz.al edhe pse nga Albpetrol nuk jepet një fitues i tenderit, kinezët janë interesuar pranë vendburimit të Gorishtit për ecurinë e punëve duke lënë të nënkuptuar se janë ata fituesit.
A kemi një fitues të paracaktuar nga Albpetrol për Gorishtin, apo kompania kineze është duke bërë presion për tu shpallur ajo fituese?
Ditët në vijim do të shohim se kush do të jetë kompania që do të shfrytëzojë burimet natyrore në Gorisht të Vlorës, ndërsa do të bëjmë transparencë edhe për lidhjet e saj me shqiptarët./TPZ.AL/E.H/
Në foto, kinezët që inspektojnë vendburimet:
Më poshtë udhëzimi i Ministrit Gjiknuri: