Ndërkohë që kreu i opozitës Lulzim Basha ka njoftuar se protesta e radhës do të bëhet ditën e martë, një pjesë e shoqërisë civile nuk ka pritur, por u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve pa dallim partie që të mblidhen që nesër përpara zyrës së kryeministrit Rama.
Njerëzit janë ftuar që nesër në orën 12:00 aktivistë të mblidhen për t’i dhënë një mesazh të fortë kryeministrit, duke I kujtuar që Shqipëria nuk i përket një grushti të pangopurish, por qytetarëve.
Në shpalljen e saj Nisma ‘Thurje’ ka njoftuar se nuk ka rëndësi bindja politike, shqiptarët duhet t’i bashkohen kësaj proteste sepse të gjithë po paguajnë taksa njësoj.
“Ditën e shtunë, në orën 12:00, takohemi të gjithë te Parku Rinia për të marshuar drejt Kryeministrisë e për ti dhënë një mesazh të fortë Kryeministrit se ne nuk jemi dakord. Se Shqipëria nuk i përket një grushti të pangopurish por të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Se zgjidhja nuk është dhuna, arrestimet dhe arroganca por dialogu, transparenca dhe qeverisja me qytetarët duke i pyetur e përfillur mendimet dhe hallet e tyre.
Nuk ka rëndësi nëse je i majtë, i djathtë apo pa bindje politike.
Nuk ka rëndësi nëse je nga Kukësi apo nga Saranda, nga Dibra apo nga Korça. Të gjithë paguajmë njësoj! E nëse nuk bashkohemi, do të paguajmë edhe më shumë.
Nëse nuk reagojmë, Atdheun që na e lanë trashëgim të parët tanë, nuk do jua lëmë dot trashëgim fëmijëve por një grushti politikanësh e biznesmenësh pranë tyre.
Kushdo qofsh, bashkohu të shtunën në orën 12:00. Jo për partitë, jo për kryetarët por për veten tënde, për familjen tënde, për Shqipërinë tonë”, ”.