INTERVISTA/ Ristani:”Djegia e mandateve të opozitës, opsion i hapur…”

0
228
Foto: Hamza Hatika

Ekskluzive “Standard”

Kryefjala e opozitës, tashmë prej shumë kohësh, janë akuzat ndaj qeverisë aktuale, veçanërisht ndaj Kryeministrit Rama. I cituar si bashkëpunëtor me bandat kriminale, blerës votash, tashmë quhet as më pak e as më shumë se prokuror dhe gjykatës, ku çdo vendim që merret, pa kaluar në “mendjen” e më pas në firmën e tij, nuk mund të merret. Një situatë e tillë, me vendime që rëndojnë në xhepat dhe moralin e shqipyatëve, revoltoi një javë më parë qytetarët e Kukësit, të cilët dolën në protestë kundër taksës së vendosur për Rrugën e Kombit, protestë e cila do të zhvendosej fillimisht në kryeqytet, për tu pasuar më pas me revolta mbarëkombëtare, mbështetëse e të cilave, që nga përplasja e dhunshme e policisë me banorët e Kukësit, ka qenë dhe vijon të mbetet opozita, sidomos Partia Demokratike. Protesta u përshkallëzua e tillë sa kaloi në mosbindje civile, përshkallëzim i cili pritet të zgjasë, pasi qëllimi parësor i këtyre protestave është i qartë, rrëzimi i qeverisë Rama 2.

Lidhur me situatën e krijuar dhe me mënyrën se si do të përshkallëzohen protestat qytetare, foli për “Standard”, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, i cili ka qenë i pranishëm në të gjitha nismat e opozitës për situatën e krijuar. I pyetur se si u krijua një situatë e tillë, pse u lanë në burg një pjesë e të ndaluarve të protestës së 31 marsit, Ristani dha vlerësimin për të gjithë procedurën, duke e quajtur jo vetëm të padrejtë, por të stisur nga kryeministri dhe qeveritarët e tij. Përsa i përket asaj që njihet tashmë, mosbindja civile, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së u shpreh se kjo vjen si shkak i varfërimit që po ju bëhet shqiptarëve dita-ditës, dhe duke u gjendur përballë një ‘mënxyre’ të tillë, që në asnjë moment nuk niset drejt zgjidhjes, por vetëm rëndohet, nuk kishte se sit ë veprohej ndryshe. Duke e quajtur këtë nismë si komplekse, ai theksoi se nuk mjafton një ditë, as një javë, por duhet kohë dhe revoltim i qartë, që situata të shkojë drejt zgjidhjes. Por për djegien e mandateve, cila do të ishte përgjigja e Ristanit? “Djegia e mandateve parlamentare të opozitës është opsion i hapur në varësi të përshkallëzimit që merr revolta popullore”. Nëse do të reagojë apo jo qeveria përballë kësaj revolte, për të shkuar drejt një zgjidhjeje apo marrëveshjeje të mundshme, Sekretari i PD-së theksoi se tashmë nuk ka më marrëveshje, pasi situata është aq e rëndë, nuk mund të ketë zgjidhje ndryshe, përveçse me protesta dhe mosbindje të thellë. Sipas Ristanit, ka ardhur koha që në Shqipëri të vijë një udhëheqës i ri e me prosperitet, për të rikthyer besimin dhe shpresën e humbur.

Intervistoi: Aida Topalli

Vendimi i Gjykatës së Kukësit për 23 të ndaluarit e protestës së 31 marsit, lënia e 11 prej tyre në burg, ka sjellë reagimin e opozitës, e cila e ka quajtur edhe këtë një vendim të ‘kapur’. Çfarë mund të thoni për situatën e krijuar?

 

Partia Demokratike ka denoncuar prej kohësh kapjen e drejtësisë prej Kryeministrit Rama. Ai tashmë është edhe prokuror edhe gjykatës. Ndërkohë ka qenë dhe është edhe kryepolic. Ai ka tashmë edhe tepsinë që të hajë sa të fryhet, ka edhe kopaçën që të godasë këdo që guxon ta kundershtojë. Rasti i protestës së banorëve te Kukësit e tregoi shumë qartë këtë në sytë e shqiptarëve dhe të gjithë botës. Krye gjithçkaja ose kryeministri, urdhëroi rrëmbimin e 24 kuksianëve natën më hënë, pa respektuar asnjë procedurë ligjore. Prokuroria nuk kishte lëshuar urdhër ndalimet për askënd, ndërkohe që policia u fut në shtëpitë e kuksianëve natën dhe i rrëmbeu. Mungesën e procedurës ligjore e konfirmuan inspektorët e Avokatit të Popullit dhe avokatët e të rrëmbyerve. Gjykimi i një çështjeje të tillë të zakonshme për nga rrezikshmëria e personave dhe e veprës penale të cilës i referohet akuza, me dyer të mbyllura, për familjarët e të akuzuareve dhe të publikut, me rethim policor të të gjithë asaj pjese të Tiranës ku ndodhet gjykata, me një sallë plot me policë dhe me një gjyqtare, bashkëshorti i së cilës është eksponent i lartë i policisë, tregoi pa asnjë dyshim se drejtësia ishte e kapur ose e dhunuar nga policia e Ramës.  Për më tepër vendimi i pabazuar në dyshimin e arsyshëm të bazuar në prova dhe diferencimi i gjysmës së Kuksianëve të ndaluar të cilët u mbajtën në burg pa asnjë provë me shumë apo më cilësore se gjysma tjetër që u lirua, gjithashtu konfirmoi se kjo vetëm drejtësi nuk mund të quhet. Kjo është vetëm shfryrje e inatit të krye gjithçkasë, të atij që ka tepsinë dhe kopaçcën, ndaj popullit të tij që po e dhunon dhe varfëron përditëe

 

Si e përmblidhni ju nismën më të fundit qytetare, atë që tashmë ka marrë emrin ‘mosbindje civile’, mbështetëse e të cilëve është opozita, si paraqitet situata aktualisht dhe si do të jetë vazhdimësia?

 

Është  fakt që mënxyra që po pushton shqiptarët nuk mund të kalojë në heshtje. Varfëria po troket kudo. Në një ditë me kuksianet, apo thënë ndryshe pjesa më e varfër e Shqipërisë dhe gjithë Europës, u ngritën në protestë edhe naftëtarët e Ballshit. Pas tyre edhe biznesi i vogel filloi të ulë qepenat. Shoqëria civile demonstroi përpara Kryeministrisë. Revolta ndaj varfërisë, krimit në pushtet, korrupsionit galopant, mungesës së drejtësisë, ndjehet kudo dhe po fillon të shpërthejë. Është  detyrë e opozitës në tërësi dhe Partisë Demokratike  në veçanti që të përkrahë, mbështesë, fokusojë dhe udhëheqë revoltën popullore kundër këtij regjimi antikombëtar. Mosbindja civile është një formë shumë komplekse e kësaj revolte. Pikërisht për kompleksitetin që paraqet, mosbindja civile nuk vjen me një ditë, as me një lëvizje të vetme dhe as me një kategori shoqërore të caktuar. Duhet një ndërgjegjësim sa më i gjerë për të arritur tek mosbindja civile. Ndërkohë lëvizja ka filluar dhe do vazhdojë. Këtë javë p.sh, biznesi i vogel do të jetë në protestë për të vazhduar në ditët në vijim. Opozita dhe populli e kanë vendosur, do vijojmë me protesta të tjera të pandalshme derisa të largojmë të keqen që na ka zënë për fyti.

 

Keni folur për djegie mandatesh, si mundësi, nëse situata agravon. Në ç’pikë duhet të shkojë kjo gjendje, që mandatet e opozitës të digjen?

 

Mosbindja civile është në thelb mosbindje ndaj shtetit, apo mosnjohje e tij. Djegia e mandateve parlamentare të opozitës është opsion i hapur në varësi të përshkallëzimit që merr revolta popullore. Më pas ka vetëm protestë pa kthim deri në largimin e Ramës dhe banditëve të tjerë. Krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe vendosjen e një qeverie që të rifusë vendin në rrugën e prosperitetit.

 

A mendoni se mazhoranca do të reagojë, dhe a është kjo rruga e duhur që kjo e fundit të reagojë?

 

Mënyra se si Rama dhe banda e tij po reagojnë ndaj shqetësimit në rritje të shqiptarëve që po përpëliten në varfëri dhe opozitës që po përpiqet të japë alternativën e ndryshimit, tregon se ata kanë mbyllur sytë dhe veshët ndaj halleve të popullit dhe po na çojnë me shpejtësi ne greminën ku sundojnë autokratët antipopullorë. Protesta masive, e fortë dhe e pandalshme është zgjidhja e vetme që ka mbetur në këtë situatë që është krijuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here