Deputetja demokrate Orjola Pampuri e ftuar në ‘’Fax News’ ka folur në lidhje me debatet e fundit për komunitetin LGBT.
Ajo ka theksuar se ambasadori Donald Lu në këtë fund të mandatit të tij do të bënte mirë që të merrej me deputetët e kriminuar dhe për 11 kuksianët që mbetën në burg, sesa me debatin për LGBT-në.
‘’Sipas ambasadorit Lu emri im kishte nxitur debatin e LGBT-së, e gjitha kjo bëhet për të hequr vëmendjen. Nuk është kjo çështja për të cilën duhet të shqetësohet ambsasdori Donald Lu në muajt e fundit të mandatit të tij në vendin tonë. Ambasadori do bënte mirë të shqetësohej për 11 qytetarët kuksianë që mbahen padrejtësisht në burg.
Unë vendosa që të kthej një përgjigje vetëm për etikë, nëse ne duam që të mbrohemi nga një çështje është zhvendosja e vëmendjes. LGBT-të nuk janë të paaftë, dhe as njerëz që nuk mund të punojnë dot.
Unë flas në emër të së djathtës, unë sot kam në dorë të votoj ose jo një ligj. Unë sot jam pro familjes. Këto shoqata kanë marrë fonde pafund dhe vetëdiskriminohen, nga ana tjetër ka njerëz të tjerë në nevojë në vendin tonë.LGBT-të të vazhdojnë jetën e tyre, ajo letër është nga fillimi në fund e ndjerë nga ana ime. Unë nuk e di se kush e stis këtë çështje dhe kush e inicion, të gjitha këto debate që happen janë në dëm të qytetarëve dhe të shoqërisë.
Një çështje të tillë nuk e mbështesin as përfaqësues të qeverisë Trump, kështu që dhe unë kam të drejtën time, aq më shumë si deputete që të kem qëndrimin tim. Unë mendoj se ky debat duhet që të nis në familje, dhe jo në shkolla.
Nuk mund të përfshihen në shkolla persona që nuk kanë lidhje me sistemin arsimor. Përballja me një temë për shumë fëmijë mund të përbëjë traumë, për shkak se ky diskutim nuk bëhet në familjet e tyre. Mentaliteti nuk mund të imponohet, çdo fazë zhvillimi për familjen ka në bazë marrëdhënien mes nënës dhe babait”, u shpreh Pampuri.